2 perditesime
23:32

Haxhiu: Ka ndërhyrje prej Kryeministrisë që të vazhdohet vetëm me donacione, jo kontrata për vaksina

Për procesin e blerjes së vaksinave për COVID-19 është duke ndërhyrë dikush nga Zyra e Kryeministrit, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Derisa ka treguar për përvojën e tij, ku kishte ofruar një kontratë për vaksina pranë Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilit, një kompani i kishte ofruar blerje të dozave, Haxhiu ka thënë se dikush i nivelit qendror ka ndërhyrë për të mos lejuar blerjen.

Sipas tij, po kërkohet që doza të vaksinave të merren vetëm përmes donacioneve.

“Janë duke arritur vetëm donacione, por jo kontrata, ministri ka thënë shumë shpejt por është shumë e ngadalshme për qytetarët që po humbin jetën. Pas takimit kur ua kam përcjellë korrespodencën për ofertën, kam marrë një falënderim prej ministrisë. Duket që këtu ka pasur ndonjë, sipas disa aludimeve të disa prej zyrtarëve që duan ta ruajnë konfidencialitetin, duket se ka pasur ndërhyrje prej lartë, prej kryeministrit apo zyrës së tij që të vazhdohet në këtë mënyrë, me këtë proces përmes donacioneve dhe të mos kemi kontratë”, ka thënë ai në Interaktiv të KOHËS.

Sipas Haxhiut, ndërhyrje ka pasur edhe në procesin e sigurimit të vaksinave që kishte tentuar ta arrinte ish-ministri Armend Zemaj.

Deputeti i PDK-së ka thënë se procesi i blerjes së sasive të mëdha të vaksinave është stopuar me tendencën që të vazhdohet vetëm me donacione.

“Është stopuar, aktualisht nuk po shohim. Aludimi i zyrtarëve të MSH-së është që prej nivelit qendror, zyrës së kryeministrit është duke u shikuar si mundësi që ne të vazhdojmë me këtë proces vetëm përmes donacioneve, ndonëse kemi buxhet të ndarë për vaksina”, ka thënë ai.

“Po, ka një ndërhyrje prej lartë dhe është prolonguar oferta, parakontrata që ka qenë e përgatitur nga ish-ministri Zemaj. Ka një lloj kërkese qe të shkohet vetëm në këtë formë, të mos shpenzojmë buxhet. Kjo është jo vetëm serioze, por shumë shqetësuese të presim ta bëjmë vaksinimin përmes donacioneve, se si të furnizon COVAX-i apo sa t’i jep BE-ja, është shqetësuese. Qytetarët tanë po shkojnë të vaksinohen në Serbi”, ka përfunduar Haxhiu.


Haxhiu: Ministrja Gërvalla hodhi vrer mbi PDK-në nga foltorja e Kuvendit

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar ministren e Jashtme, Donika Gërvallan, duke thënë se ajo nga foltorja e Kuvendit ka hedhur vrer në drejtim të PDK-së dhe ka bërë klasifikime të partive politike.

“Kishte një përpjekje prej znj. Gërvalla që t’i ik përgjigjes në pyetjen që bëri deputetja e PDK-së, Ariana Musliu rreth raportimit në Këshillin e Sigurimit. Në asnjë prej pyetjeve që iu bën nuk dha përgjigje. Doli në foltore e hodhi vrer mbi PDK-në duke bërë kualifikime e klasifikime të një subjekti politik apo subjekteve politike, duke thënë se këta janë më të korruptuar e këta më pak. Këtë e ka thënë nga pozita e ministren së Jashtme. Prandaj i kam reaguar unë, sepse nuk është person që e ka përgjegjësi me i kualifiku e klasifiku subjektet politike. Është ministre e Jashtme nuk është prokurore. Mund të ketë individë të korruptuar në të gjitha subjekte, por të klasifikikosh e të kualifikikosh një subjekt politik në atë formë si ministre e Jashtme është huqje e madhe. Nëse vërtetë ke fakte e ke argumente që një individ është i korruptuar, atëherë janë në pushtet tash i kanë gjitha levat e pushtetit. Lufta kundër korrupsionit nuk bëhet duke i përgjithësuar dukuritë e duke i etiketuar partitë politike”, ka thënë Haxhiu. “Nëse flasim për PDK-në si subjekt politik, po liderët e PDK-së kanë qenë themelues të UÇK-së, kanë qenë fitues të zgjedhjeve të vitit 2007 dhe e kanë shpallë pavarësinë. Udhëheqësit e PDK-së kanë kontribuar në zhvillimin e vendit, rritjen e pagave, zhvillimin e infrastrukturës. Janë bartës të luftës për liri dhe shtetndërtim. Ata që kanë ardhur me kauza të rrejshme në pushtet dhe luftë kundër nepotizmit e korrupsionit, nuk mund të bëjnë kualifikime e klasifikime”.

Haxhiu ka shtuar se Gërvalla hedh vrer ndaj UÇK-së dhe udhëheqësve të saj.

“E ima ishte në këtë aspekt e bazuar në deklaratë të saj. Janë videoinçizimet e publikuara çdo ditë. Ka qenë kërkesë të dihet a është dëshmitare në Speciale a nuk është. Pasi ajo nuk është më qytetare e thjeshtë e Kosovës që jeton në Gjermani, është ministre e Jashtme. Prej këtij pozicioni ajo duhet të jap sqarimin para qytetarëve. Gjithë ai vrer ndaj UÇK-së dhe udhëheqësve të saj përfshirë jo vetëm akterët e PDK-së por edhe partive tjera, ajo duhet të jap sqarim nga buron ky vrer ndaj bartësve të luftës. Nuk kemi pasur prononcim të saj për mijëra viktima që kanë ndodhur në Kosovë”, ka thënë Haxhiu.

23:14

Haxhiu: Mungesa e vaksinave është neglizhencë

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se mungesa e vaksinave kundër COVID-19 është neglizhencë e madhe nga ana e Qeverisë.

Haxhiu në Interaktiv të KTV-së ka treguar edhe për kontaktet që ia kishte dhënë ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për të nënshkruar kontratë për sigurimin e deri 3 milionë dozave të vaksinës antiCOVID.

“Në sigurimin e vaksinave, Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina, kjo është neglizhencë e mungesë e madhe. Sepse mungesa e vaksinave është rrezikim i jetës së qytetarëve. Fillimisht dua të sqarojë gjithë opinionin, se duke parë që Qeveria nuk po arrin me siguru kontratë për vaksinat, unë kam kontaktuar shoqatat e mjekëve në Evropë e Amerikës, njerëz me ndikim në diasporë për të kërkuar prej tyre që të na ndihmojnë në këtë proces. Në bazë të këtyre kontakteve, këto shoqata kanë bërë shkresa e kërkesa, si shembull shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani i ka bërë shkresë Bundestagut gjerman për të ndihmuar Kosovën në këtë proces. Pastaj edhe përtej Atlantikut kemi pasur kërkesa të tilla drejtuar deri në nivelin e Sekretarit, Anthony Blinken. Dhe kam marrë përgjigje pastaj nga një biznesmen shqiptar se një kompani që është partnere me prodhuesit e vaksinave mund të na ofrojë prej 500 mijë deri 3 milionë dozave të vaksinave”, ka thënë Haxhiu.

23:09

Haxhiu: Shumë probleme të qytetarëve kanë mbetur pa adresë, shkak çështja mirëqenies sociale

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se shumë probleme të qytetarëve kanë mbetur pa adresë për shkak të çështjes së mirëqenies sociale si fushë e cila nuk është e përcaktuar në asnjë nga komisionet parlamentare.

“Nuk është e përcaktuar në asnjë prej komisioneve çështja e mirëqenies sociale, dhe kam ngritë çështjen se si në pushtet të vijë një parti me program të majtë dhe ta shuajë mirëqenien sociale. Edhe ministria e mirëqenies sociale nuk ekziston në kontestin e asaj që kanë, tash puna është tek transferet, pra ka një riorganizim”, ka thënë ai në Interaktiv të KOHËS.

Haxhiu ka thënë se riorganizimi i dikasterit të Mirëqenies Sociale lë shumë shqetësime të qytetarëve pa zgjidhje.

“Jo, shumë probleme dhe shqetësime të qytetarëve dhe komuniteteve të caktuara kanë më mbetë pa adresë të tyre. Ne kemi qelë një adresë si komision për shëndetësi, kanë qenë disa prej ligjeve të ndërlidhura njëra me tjetrën, kemi bë edhe monitorimin e ligjeve”, ka shtuar Haxhiu.