4 perditesime
21:08

Rohde: Gjermania s’do të ndryshojë qasjen për Kosovën as pas Merkelit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova s’duhet të ketë frikë nëse largimi i kancelares Angela Merkel nga kreu i shtetit të Gjermanisë do të ndikojë në ndryshim të politikës së jashtme të fuqisë më të madhe evropiane.

Sipas tij, Gjermania gjithmonë ka pasur konsensus për politikën e jashtme dhe kushdo që vjen në shtator, pas largimit të Merkelit, do të vazhdojë këtë qëndrim.

“Shikojeni politikën e jashtme gjermane në 30 vjetët e fundit. Në esencë ka një konsensus për politikën e jashtme dhe kur vjen puna te ky rajon, nuk shoh asnjë ndryshim. Madje do të thosha, e mërzitshme, por e qëndrueshme. Ne gjithmonë, çdo qeveri gjermane e di, ka një indikacion të qartë për fqinjësinë tonë të afërt, integrimi evropian dhe atlantik është caku për këtë rajon, dhe kushdo që të qeverisë pas shtatorit do të vazhdojë në këtë rrugë. Kjo është në interesin tonë nacional, sepse një rajon stabil është i mirë për stabilitetin e Evropës dhe sa më shpejt që të mundemi të përfundojmë me sukses procesin e integrimit, aq më mirë. Nëse e shikoni para dhjetë vjetësh si ishte, tani Shqipëria është anëtare e NATO-s, Kroacia është anëtare e BE-së. Ndonjëherë merr më shumë kohë se që pritet, por në fund lëvizja është gjithmonë në drejtimin e duhur, jo në drejtimin e gabuar”, ka thënë ai në Desku të KOHËS.

20:55

Ambasadori gjerman e sheh si jo të duhur paditjen e Serbisë për gjenocid

Paralajmërimin e Kosovës për paditje të Serbisë për gjenocid, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, po e sheh si rrugë problematike dhe jo të duhur për të ecur përpara.

Sipas tij, një gjë e tillë do të bënte që shumë gjëra në Kosovë të mund të ngecnin.

“Unë e kuptoj plotësisht se është shumë me rëndësi ballafaqimi me të kaluarën. Çështja e paditjes së një shteti tjetër, megjithatë mendoj se është shumë problematike dhe mbase rruga jo e duhur për të ecur përpara. Kjo, sepse do të ishte një proces tejet i gjatë, shumë gjëra në Kosovë do të mund të ngecnin dhe nuk dihet se si ajo do të përfundojë. Është plotësisht e pasigurt qoftë nëse shkoni në Gjykatën Ndërkombëtare Penale apo Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mandej edhe politikisht, të paditësh një shtet për gjenocid, do të thotë ta çosh të gjithë shtetin në gjyq, të gjithë është thjesht të bëhen bashkë rreth një gjëje. Është shumë me rëndësi, edhe për Gjermaninë, kur i hedhim një shikim historisë së vendit tim, që të ballafaqohemi me të kaluarën, por faji gjithmonë është individual dhe kjo duhet të jetë rruga”, ka deklaruar ai. “Mendoj se në rrethanat aktuale, nëse më pyesni a është hapi i duhur, përgjigjja është jo, nuk është. E kam parë që Qeveria gjithashtu po planifikon të themelojë një institut për të mbledhur dëshmi, por kjo do të mund të shfrytëzohej për të paditur fajtorët individualë, siç ka ndodhur në rastin e Tribunalit për Jugosllavinë”.

Sipas Rohdes, në rajon duhet të ndiqet shembulli i Gjermanisë me krijimin e komisioneve të përbashkëta të librave shkollorë me shtetet fqinje, në mënyrë që historia të mësohet në mënyrë të ngjashme dhe jo kundërshtuese.

20:47

Rohde: Kosovës i iku treni për liberalizim më 2016, Gjermania po i ndihmon

Jorn Rohde, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, ka thënë se Kosovës i pati “ikur treni” në vitin 2016 sa i përket liberalizimit të Kosovës, kur nuk arriti të bënte demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Duke e pranuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar, Rohde është shprehur se Kosova mund të lëvizë qëndrimet e shteteve skeptike për liberalizimin, duke vendosur në radhë të parë sundimin e ligjit e luftimin e korrupsionit.

Ai është zotuar se Gjermania po mundohet ta ndihmojë Kosovën për liberalizimin duke bindur shtetet skeptike.

“E shoh është një problem psikologjik, sepse të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë liberalizim të vizave dhe për ne kjo është e qartë: çështja është vonuar dhe duhet të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai.

20:30

Gjermania kundër idesë për ndryshim kufijsh: Është çështje e mbyllur

Të mbyllur e ka quajtur çështjen e mundshme për ndryshim kufijsh në Ballkan, Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë. Sipas tij, propozimet për kufij mbi baza etnike janë mentalitet të shekullit të shkuar dhe se ato janë të rrezikshme.

Në emisionin Desku, Rohde, duke komentuar non-paperat e fundit, atë për propozimin për ndryshime kufijsh në rajon dhe një tjetër për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se dokumenti i cili fliste për ndryshime kufijsh është hedhur me një qëllim të qartë.

“Për mua një gjë është e qartë: ndjeshmëria ekziston, prandaj edhe është diskutuar aq shumë, mirëpo nga ana politike të gjithë i kanë refuzuar ndryshimet e kufijve. Kjo çështje për ne është e mbyllur”, ka deklaruar ai.

Ai ka refuzuar të komentojë non-paperin për dialogun Kosovë-Serbi duke thënë se është demantuar me kohë dhe se “nuk ia vlen të diskutohet për diçka që s’është në tavolinë”.

Rohde ka refuzuar të flasë edhe për statutin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe çështjen e veriut, duke thënë se gjithçka që mund të diskutohet u takon dy palëve në dialog. Megjithatë, ai ka thënë prerë se Gjermania e sheh normalizimin e plotë mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke.

“Ne duam sukses, sepse suksesi është parakusht për rrugëtimin e mëtejmë për në BE. Siç e tha ministri im, normalizim i plotë për ne do të thotë që në fund njohja reciproke duhet të jetë pjesë e zgjidhjes përfundimtare”, ka thënë ai.

Rohde ka thënë se ekzistojnë mundësitë që për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të gjendet një zgjidhje brenda kornizës kushtetuese e që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne gjithmonë kemi thënë që janë arritur marrëveshje në të kaluarën dhe nëse ato përbëjnë një çështje për njërën palë nuk mund t’i shmangesh asaj, sepse në dialog duhet biseduar për të. Megjithatë, nuk ka vendime bardhezi. Unë e kuptoj atë që thoni, askush nuk dëshiron një bosnjëzim, siç e quan qeveria, apo një problem të ri, por ne nuk po e shohim se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e parandalon një lloj zgjidhjeje. Ai i ka përcaktuar direktivat brenda të cilëve zgjidhja është e mundur. Ka shembuj në Evropë ku mund të shihni se ka mundësi për të drejta të minoriteteve dhe ku ka hapësirë për të gjetur zgjidhje, duhet të shikoni”, ka deklaruar ai duke theksuar se nuk është zbatuar as vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth Manastirit të Deçanit.

20:17

Rohde: Procesi i Berlinit përgatit Ballkanin për integrim në BE

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, e ka quajtur Procesin e Berlinit mjet për t’i ndihmuar gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë gati për integrim në Bashkim Evropian, kurdo që kjo çështje të jetë në agjendë.

Në emisionin Desku në KTV, Rohde ka thënë se për shkak të këtij procesi, nga 1 korriku do të mundësohet heqja e tarifave roaming brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor, teksa ka përmendur edhe “linjat e gjelbra” për transport më të shpejt për mallra të ndjeshme e farmaceutike dhe hapin tjetër për “hapjen e shiritave të gjelbër drejt BE-së”.

“Në vitet ‘90 ne e kemi pasur shembullin e shteteve të Vishegradit, të cilat gjithashtu janë përgatitur për anëtarësim në BE dhe në NATO, si një grup joformal, jashtë, duke krijuar rrjete të bashkëpunimit rajonal dhe mendoj se ideja e njëjtë fshihet edhe pas Procesit të Berlinit. Ideja ka ardhur nga kancelarja Merkel dhe disa shtete të tjera, për ta bërë Ballkanin Perëndimor më shpejt të aftë për BE-në, sesa ndryshe. Kjo është e gjithë ideja përpara procesit”, ka thënë ai.

Si çështje të agjendës për samitin e ardhshëm brenda këtij procesi, Rohde ka përmendur njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe profesionale.

Takimi i ardhshëm pritet të mbahet dy muaj më vonë, me Rohden që ka shprehur besimin që të gjitha shtetet do të marrin pjesë.

Rohde ka thënë se Gjermania synon që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të lëvizin lirshëm brenda këtij rajoni. Ai ka refuzuar ta quajë “Mini-Schengen” idenë e përfolur më herët, por ka thënë se çkado që sjell lidhshmëri në rajon është e mirë.

Përmirësim praktik për Kosovën e ka cilësuar ai pjesëmarrjen e vendit si e barabartë me pesë shtetet tjera.