Arbëri

Lufta speciale ruse dhe serbe përmes «revistës» gjermane «Zuerst»

Sot nëpër mediat ballkanike po qarkullon një lajm i një «reviste» gjermane të quajtur «Zuerst» mbi një «non-paper» të ri mbi Kosovën. «Dokumenti» thuhet se përmban 16 pika dhe, në thelb, parasheh kthimin e Kosovës nën Serbi për «99 vjet». «Zuerst» pretendon se e ka dokumentin në fjalë, por nuk publikon faksimilen apo ndonjë pjesë të saj.

 

Një «revistë» obskurantiste gjermane, e drejtuar nga racistë dhe propagandistë prorusë dhe proserbë, pretendon se disponon me një «non-paper» të ri mbi zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e këtij «lajmi» pa asnjë dëshmi nga fletushka gjermane me gjasë është pjesë e një operacioni të ri të Kremlinit dhe Beogradit për të shkaktuar tensione dhe huti në rajon.

Sot nëpër mediat ballkanike po qarkullon një lajm i një «reviste» gjermane të quajtur «Zuerst» mbi një «non-paper» të ri mbi Kosovën. «Dokumenti» thuhet se përmban 16 pika dhe, në thelb, parasheh kthimin e Kosovës nën Serbi për «99 vjet». «Zuerst» pretendon se e ka dokumentin në fjalë, por nuk publikon faksimilen apo ndonjë pjesë të saj.

Në tregun medial gjerman «Zuerst» është «revistë» praktikisht inekzistente. Për nga dukja e webfaqes ajo lë përshtypjen e një «mediumi» që prodhon lajme të rrejshme në shërbim të propagandës ruse dhe serbe. Pas «revistës» qëndrojnë propagandistë të ekstremit të djathtë, të cilët shquhen si shumëzues të rrenave të Kremlinit dhe kundërshtarë agresivë të pavarësisë së Kosovës. Po ashtu «revista» u ofron ekstremistëve rusë dhe gjermanë një platformë për të prezantuar «idetë e tyre». Gjuha e «magazinës» konsiderohet raciste, antisemite, revanshiste, revizioniste dhe relativizuese e krimeve naziste. Për shembull «revista» e konsideron të pafajshëm kriminelin nazist të luftës dhe të dënuarin me vdekje Erich Priebke.