1 perditesime
15:23

Kusari-Lila i kundërpërgjigjet Tahirit: PDK-ja vazhdoi me ofendime ndaj meje

Kosova Press - Tensionet e krijuara në seancën e së premtes u bënë mollë sherri në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën. Kjo meqë pas hapjes së atij debati, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës kanë lëshuar mbledhjen me arsyetimin se janë ofenduar nga u.d. shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.

Por, këtyre akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës u është përgjigjur Kusari – Lila, duke thënë se ishin përfaqësuesit e PDK-së ata që e ofenduan personalisht atë.

Kusari – Lila, në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së kryesisë, tha se largimi i përfaqësuesve të PDK-së nga mbledhja erdhi pas kërkesës së saj që të mos përsëriten situata sikurse kishte ndodhur të premten.

“Kam kërkuar nga përfaqësuesit e PDK-së, që kur u përmendën zhvillimet e asaj dite, të kenë kujdes në gjuhën parlamentare dhe të mos përsëriten situatat dhe rrethanat ku jemi fyer në baza gjinore, por gjithashtu edhe komentet dhe agresiviteti në dalje i deputetëve të PDK-së karshi ministres së Punëve të Jashtme ka qenë jashtë çdo norme parlamentare. Ky koment i imi bëri që përfaqësuesit e PDK-së të ngritën dhe të dalin nga mbledhja e kryesisë, duke vazhduar prapë me të tjera kategorizime ndaj meje personalisht. [...] Unë atë ditë jam ndjerë shumë keq si deputete, si qytetare e Republikës, si nënë, si grua kur dëgjoj ofendime dhe kategorizime që kanë ardhur nga deputetët e PDK-së. Konsideroj se me apo pa mikrofon, gjuha që përdoret nga deputetët duhet të jetë komfor standardeve të një gjuhe të mirëfilltë parlamentare”, tha ajo.

Sa i përket çështjeve të tjera, ajo bëri të ditur se kanë shqyrtuar procedimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit 05132 për automjetet, projektligj ky që synon heqjen e monopolit në homologimin e automjeteve.

“(Projektligjin për heqjen e homologimit) Ne tashmë e kemi proceduar, është miratuar në kryesi, është përcjellë në Qeveri dhe në momentin kur Qeveria e jep mendimin e saj, i kthehet seancës për të vendosur”, u shpreh ajo.

Me vendim të kryesisë së Kuvendit, interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë” do të mbahet të enjten, më 20 maj.

14:05

Tahiri akuzon Mimoza Kusari-Lilën për ofendime

(Ekonomia Online) - Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka akuzuar ushtruesen e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila për ofendime.

Tahiri ka thënë se kanë qenë të detyruar shkaku i ofendimeve edhe ta lëshojnë mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

“Së bashku me nënkryetarin e Kuvendit lëshuam mbledhjen e Kryesisë për shkak të ofendimeve që vijnë nga zonja Kusari e cila përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Kusari është e fundit që ka deficite të mëdha morale që deputetët e opozitës me u thënë se më shumë ngjasojnë më banda se me deputet”, u shpreh ai. “Paaftësia e tyre me ec për zhvillim po i shtynë ata me ndal temat e partive opozitare. Ritëm shumë i dobët dhe i ngathët po ndodhë në vendin tonë që tregon paaftësi të ministrit dhe kryeministrit. Bojkoti nuk është praktikë e jona. Kësaj Qeverie mund t’i konvenoj kjo zhurmë e rrëmujë që mos me u kujtua pagesa e energjisë elektrike për qytetarët në veri”.