1 perditesime
21:12

Beqaj: Opozita duhet të reformohet, të gjejë shkaqet e debaklit në zgjedhje

Belul Beqaj vlerëson se opozita po ndjek rrugë të gabueshme. Politologu i njohur në një intervistë në Deskun e KOHËS, tha se PDK-ka sot po mundohet të imitojë atë që dikur bënte VV-ja, por kjo sipas tij, do të shkojë në dëm të saj dhe të gjitha partive opozitare nëse nuk ndryshojnë.

Beqaj tha se partitë opozitare duhet t’i kthehen vetes dhe të analizojnë arsyet që sipas tij çuan në debakël në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Është e gabueshme që pushteti po merret me opozitën e opozita që po merret me pushtetin, ndonjëhherë edhe kur ka të drejtë, por në të shumtën e rasteve s’ka të drejtë, siç ishte rasti me ministren Donika Gërvalla apo me ato ofendimet që i dhanë në adresë të presidentes”, tha Beqaj.

Sipas tij, partitë opozitare po e ndjekin këtë kurs në pamundësi të analizojnë shkaqet e mirëfillta të humbjes dhe të bëjnë reformat që do t’i kthenin më vonë në projekte serioze.

“Unë e kuptoj unitetin e interesave kundërthënëse, prandaj është opozitë, por të bëjnë opozitarizëm në këtë mënyrë, është në dëm të tyre. Këta s’kanë vizion, se me pas i kthehen vetëvetes dhe arsyes pse kanë pësuar debakël. Këta në vend se ta bëjnë këtë, sulmojnë me apo pa arsye, ta marrim shembull sulmin ndaj Donika Gërvallës për një deklaratë të vitit 2016”, ka thënë Beqaj.

20:36

Beqaj: Kurti nuk duhet të merret me opozitën, por me ato që ka bërë ajo

Politologu Belul Beqaj, vlerëson se kryeministri Albin Kurti po bën gabim që po merret me opozitën e jo me ato që ka bërë ajo, sipas Beqajt, në 20 vitet e fundit.

“Ai po merret me opozitën, nuk po merret me problemet që janë shkaktuar para 20 viteve e deri më sot. Gabimi fillestar është se si po sillet pushteti karshi opozitës”, ka thënë Beqaj në një intervistë në Deskun e KOHËS.