Arbëri

SHBA-ja ia ndaloi hyrjen Berishës për shkak “se abuzoi me pushtetin për të pasuruar veten”

 

“Abuzimi me pozitën e besimit të publikut, për të pasuruar veten dhe familjen”, është arsyeja që ka bërë që ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas ndihmësekretarit të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, nuk ka rëndësi koha kur ka dalë njoftimi, pasi që Berisha ka vjet që s’është në pushtet.

“Nuk do t'i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumente që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut”, ka thënë Palmer për “VoA”. “Zoti Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”.