Arbëri

Kosova i shkruan UNESCO-s se trashëgimia ortodokse s’është në rrezik  

 

Me katër kërkesa i janë drejtuar krerët e Kosovës Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë (UNESCO). Letra është bërë publike të premten vonë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri Albin Kurti ka publikuar letrën e nënshkruar edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, nëpërmjet së cilës i janë drejtuar UNESCO-s me katër kërkesa për trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe qasjen e UNESCO-s ndaj shtetit të Kosovës.

Të tre liderët kanë kërkuar që monumentet e listuara në kategorinë “në rrezik” të hiqen nga ajo. Në njoftimin e Kurtit krerët e kanë arsyetuar këtë kërkesë, duke thënë se “rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006, kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara”. Bëhet fjalë për Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Graçanicës dhe Kishën e Shën Premtes në Prizren.