4 perditesime
23:48

Nagavci thotë se ka mësimdhënës që shmangin njësi të caktuara për edukimin seksual

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ka pasur raste kur mësimdhënës në Kosovë kanë shmangur qëllimisht njësi të caktuara për edukimin seksual.

Pas protestave të nxënësve të shkollave të mesme, pas shtimit të raportimeve për ngacmime seksuale në shkolla dhe ngritjes së zërit për shtimin e lëndës për edukim seksual, Nagavci në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kjo lëndë dhe ajo mbi shëndetin janë pjesë e kurrikulës së re.

“Për mua pjesëmarrja e nxënësve të shkollave të mesme në protestën e fundit me parullat e tyre ka qenë inkurajuese sepse jam e bindur se përmirësimi i gjendjes për respektimin e fëmijëve, trajtimin e tyre e kujdesin për ta, duhet të bëhet po ashtu me bashkëpunim të madh, me miredukim me bashkëpunim mes institucioneve edukativo-arsimore, të familjeve, shoqërisë dhe shtrëngimin e masave të kryerësve të veprave. Çështja e edukimit seksual dhe mbi shëndetin në përgjithësi janë të integruara në kurrikula. Një nga kompetencat e kurrikulës së re ka të bëjë pikërisht me këtë temë. Janë të përfshira në fusha të ndryshme. Është raportuar për raste të caktuara, mësimdhënësit shmangin njësi të caktuara mësimore”, ka thënë ajo. “Është me rëndësi që edukimi të bëhet në mënyrë shumë dimensionale, edhe me pjesëmarrje në aktivitete, vetëdijesim e shembuj më të mirë e njoftimin se ku duhet të adresohen rastet e ngacmimit. Për fat të keq ka ende raste kur shkollat nuk i raportojnë të gjitha nga tendenca apo mendojnë se mund t’i zgjidhin vetë apo s’duan t’i problematizojnë”.

23:36

Nagavci: Testimi i mësimdhënësve kërkon kujdes dhe nivel të lartë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se procesi i testim të mësimdhënësve kërkon kujdes të madh dhe nivel të lartë të atyre që i vlerësojnë.

Nagavci thotë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet në mënyrë të nxituar, pasi duhet të ndryshohet legjislacioni.

“Nuk e kuptoj që cili ka qenë interesi i SBASHK-ut që të diskutohet kjo temë, ndoshta pse ata e kanë kohën e zgjedhjeve tani. Testimi aktualisht nuk përcaktohet me legjislacionin në fuqi, marrja e vendimeve për ndryshimin e legjislacionit duhet të bëhet me konsensus dhe kujdes të madh. Duhet të sigurohemi që ata që e bëjnë vlerësimin të jenë në nivel i lartë. Unë kam njohur mësimdhënës shumë përgjegjës gjatë përvojës time, por nuk përjashtoj edhe ata të cilët nuk janë në nivelin e duhur. Nuk konsideroj që mësimdhënësit janë fajtorët kryesorë për gjendjen e arsimit në Kosovë. Janë shumë faktorë të përbashkët. Duhet të punohet për vlerësimin e mësimdhënësve. Duhet të jenë një varg masash të mirë-planifikuara. Këto gjëra nuk bëhen në kohë afatshkurtër, por me plan afatgjatë”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.

Sa i përket debatit me Sindikatën e Arsimit për shtesat e mësimdhënësve, Nagavci shprehet se vendimi i Qeverisë Hoti ishte që shtesat prej 100 eurove të ndaheshin vetëm për një muaj.

“Prej momentit të pranimit të detyrës, kam pasur tre takime me SBASHK-un. Kemi rënë dakord për angazhimin e përbashkët për të ndihmuar që fëmijët tanë të kenë rezultate sa më të mira në këtë vit të vështirë pandemik. Iu kemi bërë të qartë se vendimi nga ish-Qeveria Hoti e tregon qartazi që shtesa për mësimdhënës do të bëhen për një muaj, të cilat janë realizuar. Përtej kësaj, ajo që SBASHK-u e dinë tashmë sepse ia kam thënë në tkime, duhet të përmendet që ish-Qeveria Hoti me rishikimin e buxhetit, kishte zvogëluar buxhetin për 12 milionë euro, ndërsa gjatë pandemisë kishte ndarë 9 milionë euro, 5 prej tyre janë tërhequr për shtesat e mësimdhënësve. Dezinfektimi i shkollave, blerja e telefonave të mençur për nxënësit në nevojë e projekte të tjera pandemike kanë mbetur pezull për shkak të mungesës së buxhetit”, deklaroi Nagavci.

23:29

Nagavci akuzon Kastratin se në Kamenicë nxënësve s’po u shpërndahen tekstet shkollore

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka akuzuar Komunën e Kamenicës se nuk po ua shpërndan nxënësve tekstet shkollore të ndara nga kjo ministri.

Duke folur për iniciativën e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, për mbyllje të shkollave me pak nxënës e që të ketë riorganizim të mësimit, Nagavci e ka quajtur të papranueshëm mosshkuarjen në shkolla nga fillimi i vitit të më shumë se, siç ka thënë ajo, 440 fëmijëve.

“Kemi takuar prindërit. 16 për qind e totalit të fëmijëve, më shumë se 440 fëmijë, nga fillimi i vitit të ri shkollor, nga shtatori, s’kanë shkuar fare në shkollë. Ata në Busavatë që nga fillimi i vitit të shkuar. Me vendim të prindërve. Në aq sa kam pa në dy shkolla, s’bëhet fjalë për shkolla me pak nxënës, por nga më shumë se 100 nxënës. Busavatë e Karaçevë”, ka sqaruar ajo në Interaktiv.

Nagavci ka thënë tutje se si ministri kanë propozuar një zgjidhje të përkohshme, të mësimit alternativ të përshpejtuar dhe me këtë, sipas saj, është pajtuar edhe Kastrati.

Ka thënë se ishte paraparë që nga 5 maji e deri në fund të korrikut nxënësit të plotësonin 2/3 e kurrikulës.

“Kastrati s’e ka kontestuar vendimin tonë për mësimin alternativ, por edhe pse e ka pranuar ka insistuar që edhe ky mësim të bëhet në shkollat që s’janë pranuar nga fillimi. S’kemi mundur të tolerojmë këtë. Kam kuptuar se përkundër që ministria i ka ndarë materialet shkollore për fëmijët. Komuna akoma s’i ka ndarë tekstet mësimore, që janë për nxënës. Për bindjen time ka qenë goxha shqetësuese të kuptoj sot për këtë. S’di cilat janë arsyet, por shumë nxënës s’i kanë marrë”, ka thënë ajo.

23:17

Nagavci thotë se kanë filluar hapat e parë për rimëkëmbjen e arsimit nga pandemia

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se që nga muaji maj kanë filluar hapat e parë për rimëkëmbjen e sistemit arsimor nga efektet e pandemisë.

Nagavci në “Interaktiv” të KTV-së e pranoi që pandemia i ka sjellë dëme të mëdha sistemit arsimor, të cilat do të thellohen edhe në të ardhmen.

“Në bazë të raporteve, jo vetëm nga institucionet vendore, e konstatojnë se situata me pandeminë ka sjellë dëme të mëdha në arsim. Për fat të keq, përveç rezultateve që identifikohen menjëherë, ngecjet dhe vështirësitë mund të thellohen më tepër pas disa viteve. Është e natyrshme që do të duhet angazhim më i madh nga tani e tutje. Nga maji kemi filluar me mësimin plotësues për nxënësit që kanë pasur ngecje gjatë pandemisë, që është hapi i parë drejt rimëkëmbjes së arsimit. Drejtoritë komunale kanë filluar raportimin për të dhënat e mësimit plotësues. Kemi kërkuar që ky projekt të mbështetet nga inspektorati i arsimit. Për nxënësit e ciklit të ulët, mësimi plotësues fokusohet në Gjuhën Shqipe dhe Matematikë, ndërsa për nxënësit me moshë më të madhe është më i përgjithshëm”, u shpreh Nagavci.

23:09

Nagavci e sheh rrugë të vështirë kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se Kosova do të ketë rrugë jo të lehtë përpara në tentimin e saj për kthim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Në ditën kur Qeveria miratoi vendimin për ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Nagavci në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kthimi i Kosovës në këto dy institucione do të jetë më i vështirë sesa pranimi për herën e parë.

“Nuk do të jetë rrugë e lehtë. Madje për bindjen time, rikthimi në to do të jetë edhe më i vështirë sesa pranimi për herën e parë sepse tani pos që janë edhe një varg kriteresh për rianëtarësim është edhe një proces i kompromentuar nga ndërhyrjet politike në të kaluarën”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se nga fillimi i mandatit po punohet për plotësimin e kritereve për rikthim. Ka thënë se kërkesat janë për miratim të projektligjit për AKA-në, lokacioni i ri dhe plotësimi i institucionit me staf.

Nagavci është zotuar se s’do të lejohet ndërhyrje politike në KSHC, ndërsa ka thënë se shteti do të jetë i fokusuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për studentët që kanë diploma nga institucionet arsimore që funksionuan pa i përmbushur kriteret.

Në vitin 2014, AKA-ja u pranua në ENQA, kurse në vitin 2015 në EQAR, mirëpo të dyja e përjashtuan për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë agjenci të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, dhe ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.