4 perditesime
12:45

Gërvalla-Shalës për pyetjen për Asociacionin me komuna serbe: A jeni me ne apo me arushën

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala e ka pyetur ministren Gërvalla lidhur me kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe OSBE-së për regjistrimin e pronave rreth Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Qeveria nuk ka dhënë përgjigje. Ka dy deklarime publike që mendoj se e kanë nxitur këtë reagim. Qeveria, a do t’i regjistrojë këto prona?”, ka pyetur ai.

Shala e ka pyetur ministren edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe tentimin e Serbisë për ta diskutuar ketë çështje.

Gërvalla ka thënë se nuk i ikë kësaj teme por gjithashtu nuk donë të shpalosë çdo detaj.

“Kur flisni me lehtësi për pronat e Manastirit, pikat e marrëveshjes se asociacionit, them këta njerëz a janë me ne apo me arushën. Nuk i iki kësaj bisede por një e tillë në këtë proces të normalizimit, nuk po e refuzoj pyetjen tuaj, por njeriu nuk i hedh të gjitha gjërat në tavolinë. Nuk do të doja të shpalosja çdo detaj”, ka thënë ajo.

Raportimi i ministres Gërvalla është duke vazhduar me dyer të mbyllura, pasi kryetari i komisionit, Haki Abazi ka kërkuar largimin e mediave. Sipas tij, kjo për shkak të disa çështjeve të ndjeshme tha se do t’i raportojë Gërvalla para deputetëve.

 

11:29

Gërvalla për liberalizimin e vizave: S’do të lëmë gur pa lëvizur për t’i bindur shtetet skeptike

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave.

Ajo ka thënë se Qeveria duhet të punojë dhe të ofrojë argumente për instalimin e shtetit ligjor.

“Kjo do të jenë ndihma më e madhe që mund të ofrojmë në procesin e liberalizimit të vizave. Mbeten Franca e Holanda shtete skeptike, por jo vetëm këto të dyja. Nuk lëmë gurë pa lëvizur, kontakt pa shfrytëzuar në mënyrë që skepticizmi që ekziston ta heqim”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se profesionistët do të ulen dhe të krijojnë një strategji jo vetëm për njohjen nga pesë vendet e BE-së por edhe më gjerë.

“Duhet të kemi progres substancial në procesin e integrimit në BE. Plotësimi i kushteve të MSA-së, ERA. Gjatë mandatit tonë synojmë që të fitojmë Statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, dikujt mund t’i duket ëndërr”, ka thënë ai.

Ndërkaq për marrëdhëniet me Serbinë, ajo ka thënë se kjo Qeveri nuk do t’i ikë normalizimit të marrëdhënieve.

Ajo tutje ka shkruar se Kosova i ka të gjitha argumentet në anën e saj dhe do të bashkëpunojë me Kuvendin e opozitën.


Përplasja Haliti-Abazi, njëri përmend “fondacionin” e tjetri “Vendlindja thërret”

Image

Në kohën e raportimit të ministres së Jashtme, në Komisionin Parlamentar ka pasur përplasje mes kryetarit të këtij komisioni, Haki Abazi, dhe nënkryetarit Xhavit Haliti.

Përplasja nisi pasi deputeti i PDK-së, Haliti, reagoi kur Abazi i kërkoi ta ndërpriste fjalën në mënyrë që të jetë më i shkurtër.

Haliti iu drejtua Abazit se ai s’ka të bëjë asgjë me politikë të jashtme, pasi në të kaluarën “është marrë vetëm me fondacionin e tij”.

Më pas Haliti e ka quajtur dyfytyrësh Abazin që iu përgjigj duke ia përmendur Halitit “fondin ‘Vendlindja thërret’.

“Këtë kryetarin e komisionit do ta dërgojmë në një kurs për ta mësuar se si udhëhiqet komisioni”, ka thënë Haliti pas përplasjes verbale me Abazin.

10:54

Gërvalla për ambasadorët e shkarkuar: S’do të ketë vakum institucional

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk do të ketë vakum institucional pas shkarkimit të 12 ambasadorëve të emëruar politikisht.

Ajo ka thënë se afati i kthimit të tyre në Kosovë është data 30 gusht.

“Kthimi i ambasadorit dhe dërgimi i ambasadorit do të kalojë në procedurat e pranim-dorëzimit të tyre”, ka thënë ajo. “Vakum institucional në përfaqësim nuk do të ketë. Nuk kam çfarë të bëjë me Australinë, nuk mund ta kthejë kohën e qeverive të kaluara. Nuk dyshoj në integritetin e ambasadorëve te liruar nga detyra”, ka thënë ajo.

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi e ka pyetur Gërvallën nëse i di procedurat e emërimit të ambasadorëve. Ajo ka shtuar se kjo tregon papjekurinë e Gërvallës në politikën e jashtme.

E pyetur se cilat janë problemet më të mëdha që i ka gjetur në MPJ, Gërvalla ka thënë se kanë gjetur shkelje të ligjit dhe që në ditët e para janë munduar t’i largojnë.

“Ka pasur gradime të parregullta. Vetëm një zonjë e kemi në Departamentin e IT-së sepse të tjerat kanë shkuar diplomate. Kur te vijmë në mëngjes pyesim ku është Afërdita... Për gjëra t tjera nuk do të shfrytëzoja këtë forum sepse nën një janë të shumta dhe nën dy nuk do të doja t’i nxirrja te gjitha të palarat”, ka thënë ajo.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se shkarkimi i ambasadorëve ka qenë veprim i ngutshëm.

“Nuk është dashur të bëhet një skandal i tillë, ata është dashur të kthehen me procedura të rregullta”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka shprehur vërejtje për Ligjin për Diasporën.

“Ai është përgatitur në Kosovë me atë qe njerëzit që jetojnë këtu mendojnë që është mirë për mërgatën. Duhet të shkojmë dhe të shohim se çka mendon mërgata. Kosova nuk duhet të kontrollojë organizimet e mërgatës”, ka thënë ajo.

10:48

Gërvalla arsyetohet për gabimet në Twitter me kriteret e rrjetit social

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka arsyetuar me limitimin prej 270 karakteresh, një postim me plot gabime nga ana e kësaj ministrie në Twitter të hënën.

Qëndrimi i MPJ-së për Bjellorusinë të hënën u vlerësua joserioz e me anglishte të dobët. Pas shumë kritikave në publik, MPJ-ja hoqi atë postim duke e zëvendësuar me dy të tjerë.

E në Komisionin Parlamentar para deputetëve, Gërvalla ka thënë se e merr përgjegjësinë politike për rastin.

“Përpjekja për të futur në 270 shkronja një mesazh të komplikuar duke lënë anash të gjitha lidhëzat ka shkaktuar një tekst që është.... ju jap të drejtë. Ashtu është. E kemi marrë të njëjtin tekst e kemi zgjeruar. I kemi futua lidhëzat. Është i njëjti mesazh. Mendoj që kemi një tekst të kuptueshëm”, ka thënë ajo.

E për përmbajtjen në të cilën akuzonte presidentin rusi Vladimir Putin se po bëhet më agresiv, Gërvalla ka thënë se “Kosova është e fortë, synon dhe është krah aleatëve të saj”.

“Mesazhi dëshiron të tregojë se Kosova qëndron fort në krahun e aleatëve të saj. E kemi kuptuar e do të shohim të mos na ndodhë asnjëherë”, ka shtuar ajo.

Gërvalla po ashtu ia ka huq me numrin e karaktereve që lejohet në postime në Twitter. Aty lejohen 280 karaktere e jo 270.

10:33

Gërvalla: Minimumi 50 për qind e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës – s’do të ketë konsuj politikë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se në Shërbimin e Jashtëm minimum 50 për qind e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës. Sipas saj, s’do të ketë konsuj politikë dhe me këtë përqindja e diplomatëve politikë të Kosovës në Shërbimin e Jashtëm do të bjerë edhe më shumë.

“Proporcioni politik dhe diplomatë të karrierës, s’do ta kalojë asnjëherë 50-50shin. Së paku, minimumi 50 për qind e ambasadorëve tanë do të jenë diplomatë të karrierës. Konsuj politikë nuk ka në qeverinë tonë. Nuk është praktikë ndërkombëtare ky nocion. S’do të ketë praktikë e tillë. Duke marrë ambasadorët do të jetë së paku 50 për qind, e me konsujt, përqindja do të jetë më shumë kah diplomatë të karrierës se politikë. Do të ndërtojmë me kujdes akademinë diplomatike”, ka thënë ajo të martën para deputetëve në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme.

Në Komision ajo ka prezantuar planin legjislativ të MPJ-së për sivjet. Ka bërë të ditur se deri në korrik planifikohet projektligji për diasporën e deri në shtator ai për Shërbimin e Jashtëm.

Ka shtuar se me këtë ligj do të shqyrtohet çdo prezencë apo mosprezencë e Ambasadave apo Konsullatave në shtetet e botës.

Ditë më parë, Gërvalla shkarkoi 12 ambasadorë të Kosovës.