2 perditesime
23:20

Hyseni: Kurti ka qenë pjesë e zyrave të UÇK-së, rivalëve politikë u kanë humbur argumentet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, i ka dalë në mbrojtje të parit të kësaj partie dhe kryeministrit Albin Kurti, pas akuzave nga rivalë politikë se ai s’ka qenë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Interaktiv të KTV-së, Hyseni ka thënë se kontestimi i të kaluarës së Kurtit bëhet vetëm nga “rivalët politikë që kanë humbur argumentet tjera”.

“I tërë opinioni publik në Kosovë dhe faktori ndërkombëtar që ishte në bisedime atë kohë e di që Albin Kurti ka qenë pjesë e zyrës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. I kontestohet nga njerëz të politikës, konkurrentët politikë që kanë humbur argumentet tjera, dhe mundohen ta sfidojnë në këtë drejtim, por ne e dimë veprimtarinë e zotit Kurti qoftë më herët para se me qenë në zyrë, por edhe gjatë funksionimit të Zyrës së përfaqësisë politike të UCK-së, në të cilën kam shërbyer edhe unë për kohë të gjatë”, ka thënë ai.

Ndërsa për deklarimet e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në drejtim të Kurtit se “është i rekrutuar nga Serbia”, Hyseni ka thënë se kjo është “huqje e madhe”.

“Ka plot dëshmitarë që tregojnë për vuajtjet e Albinit në burgjet e Serbisë. Mendoj se këto deklarata s’kanë vend në shoqërinë tonë. S’ka teori të tilla që mund të zënë vend në kokat e njerëzve në Kosovë. Secili që ka qenë në burg me Albinin i ka të qarta qëndrimet e tij dhe vuajtjet që ka pësuar në burgje, më vjen keq për Haradinajn por më duket se është huqje e madhe në deklarimet e tij dhe s’është e para. Mjerisht po vazhdon me ato huqje”, është shprehur ai.

23:12

Hyseni për shkarkimin e Bordit të AKP-së: E ndalëm të keqen, më mirë vonë se kurrë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se shkarkimi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ishte e vetmja mundësi, pasi sipas tij, iu ndalua një e keqe Kosovës.

Hyseni në “Interaktiv” të KTV-së është shprehur se të gjitha asetet që kanë mbetur pa shitur nga AKP-ja, do të kalojnë në Fondin Sovran.

“Ne dje në seancë parlamentare miratuam propozimet e Komisionit për shkarkimin e bordit të AKP-së, për mosmiratimin e raportit të kësaj Agjencie, si dhe gjetjen e emrave të rinj nga Qeveria. Këto rekomandime vijnë si pasojë e raportimeve që kishim nga ky bord një javë më parë. Shkarkimi i bordit ishte e vetmja mundësi, pasi Agjencia nuk po shëndoshte ekonominë e Kosovës. AKP-ja do të inkorporohet në Fondin Sovran, që të kontribuojnë në gjenerimin financiar të Fondit Sovran, i cili do të shumëfishonte kapitalin e këtij fondi. Të gjitha asetet e AKP-së do të kalojnë në Fondin Sovran. Fakt është se shumica e ndërmarrjeve të mëdha janë shitur. Një dëm i nisur në vitin 2003, i vazhduar nga AKP-ja, duhet të ndalej. Më mirë vonë se kurrë. Kjo është për keqardhje çka ka ndodh në Kosovë, por tani një gjë të tillë e kemi ndaluar, në një trajtim ndryshe që i kemi bërë”, ka thënë ai.

Sipas Hysenit, ligji do t’i parasheh fazat kalimtare të Agjencisë, e cila ka mjaft dosje të hapura në gjykata.

“Ligji do të parasheh fazat kalimtare, qoftë edhe obligimet që kanë palët nga AKP-ja. Të gjitha rastet që janë në Dhomat e Posaçme duhet të marrin epilog, këtë do ta kemi prioritet. Janë disa punëtorë që kanë punuar në këto ndërmarrje që janë shitur, dhe nuk e kanë marrë 20% që kanë punuar. Me ligj do ta parashohim këtë çështje të AKP-së në gjykatë, sidomos këto obligimet ndaj punëtorëve”, shtoi ai.

Hyseni ka folur edhe për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës për të cilin ka thënë se me bazën ligjore aktuale nuk është i fuqishëm a duhet. Duke folur për një nga rastet, atë për rritjen e çmimeve të sigurimit të automjeteve, Hyseni ka thënë se AKK-ja ka pasur “qasje të zbehtë” në këtë rast. Për fuqizimin e këtij autoriteti, ai ka thënë se pushteti planifikon amendamentim të Ligjit për AKK-në.

23:05

Hyseni: Ligji i ri për automjetet do të eliminojë mundësinë e dërgimit të Kosovës në Arbitrazh

Driton Hyseni, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se në propozimet për ndryshimin e Ligjit për automjetet, do të jetë i përfshirë edhe eliminimi i mundësisë që kompania “EuroLAB” ta dërgojë Kosovën në Arbitrazh.

Të premten Qeveria Kurti miratoi nismën për ndryshimin e këtij ligji, duke përfshirë heqjen e homologimit si pika kryesore. Megjithatë KOHA ditë më parë raportoi se po që se hiqet homologimi, Kosova rrezikon një tjetër padi në Arbitrazh. Firma e vënë nga ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe përfaqësuesi i kompanisë “EuroLAB”, në vitin 2018, ia mundësojnë kësaj të fundit të kërkojë drejtësi në Arbitrazh në rast se Qeveria Kurti e heq homologimin e veturave.

Në Interaktiv të KTV-së, Hyseni ka thënë se në ndryshimet që pritet të procedohen, do të eliminohet kjo mundësi.

“Propozimi që vjen në ligj do të eliminojnë një gjë të tillë. S’do të kemi nevojë të shkojmë në Arbitrazh. Do të jepet një version që nevoja për Arbitrazh të largohet. Do të synojmë maksimalisht që të eliminohet që pala tjetër ta adresojë në Arbitrazh”, ka thënë ai duke mos dhënë detaje të tjera. “Jemi në fazën e draftligjit e do të gjendet versioni më i përshtatshëm që të mos kemi dëme me ndonjë akt të arbitrazhit. Shpresojmë dhe do të punojmë që ligji të ketë përmbajtje që Arbitrazhi të mos vijë në konsideratë”.

Me ndryshimet në këtë ligj, siç është paralajmëruar nga Vetëvendosje dhe Qeveria, do të hiqet obligimi që qytetarët të bëjnë homologimin e veturave të cilat vijnë të certifikuara për të gjitha kontrollet e kryera në shtetet e huaja, sidomos ato të Bashkimit Evropian.

Në Kuvend, sipas Hysenit, këto ndryshime do të shqyrtohen qysh në muajin qershor.