4 perditesime
21:34

Peci: Kosova duhet ta kuptojë stilin serb të negocimit

Lulzim Peci, ish-ambasador i Kosovës, tash drejtor i KIPRED-it, thotë se është tejet e rëndësishme për palën kosovare që të kuptojë stilin negocimit të Serbisë, e që sipas tij është i njëjti me atë të Rusisë.

Peci në një intervistë në emisioni Desku në KTV, tha se stil i Serbisë në negociata është që të arrijë marrëveshje që duken të plota, por që në fakt hapin probleme të tjera më vonë.

“Nëse për disa marrëveshje do i kishim pasur përgatitjet më të mira, unë mendoj se do të kishim pasur marrëveshje më efektive, të cilat do të mund të zbatoheshin më mirë se që janë zbatuar. Ne duhet ta kuptojmë edhe stilin negociator serb, dhe stili serb është që të arrijë një marrëveshje që në sytë e të tjerëve duket e plotë, por mandej kur të nënshkruhet ajo marrëveshje, pas një kohë të shihet realisht se e ke arritur vetëm gjysmën e marrëveshjes. Edhe këtu duhet të kihet kujdes me Serbinë, sepse ky është një lloj stili negociator që e ka edhe Rusia. Me marrëveshjen që do ta arrijmë, duhet t'i eliminojë të gjitha këto mundësitë e interpretimeve dualiste apo që Kosova ta sheh vetveten se nuk i ka mbyllur çështjet, por e ka mbyllur një dhe i ka hapur disa të tjera”, ka thënë Peci.

 

20:59

Peci: Njohja e Kosovës nga Greqia varet nga SHBA-ja

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka thënë se njohja e Kosovës nga Greqia varet nga SHBA-ja. Peci në Deskun e KOHËS ka thënë se Greqia ka bërë ndryshim të qasjes karshi Kosovës për shkak të interesave të saja.

Ai ka treguar se Greqia ka filluar të negociojë qysh në kohën e administratës Trump kah fundi i vitit 2019, Traktatin për Mbrojtje të Ndërsjellë me SHBA-në.

“Mendoj se Greqia ka bërë ndryshim për shkak të interesave të saja. Greqia ka filluar të negociojë qysh në kohën e administratës Trump, kah fundi i vitit 2019, Traktatin për Mbrojtje të Ndërsjellë me SHBA-në. Ky traktat po bëhet përkundër fatit që Greqia është anëtare e NATO-s, për t’i dhënë Greqisë mbrojtje ekstra në raport me problemet e saja që i ka me Turqinë. Qysh në atë kohë është përfolur në qarqe të ndryshme që SHBA-të do ta përdorin këtë mundësi që të ndryshojnë qëndrimin e Greqisë dhe Greqia ta njoh Kosovën në momentin e duhur. Marrëveshja nuk është nënshkruar ende. E shoh lëvizjen e Greqisë në drejtim të njohjes së Kosovës”, ka thënë Peci.

20:54

Peci vlerëson se qëndrimi i Spanjës karshi Kosovës ka nisur të zbutet

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, vlerëson se qëndrimi i Spanjës ndaj pavarësisë së Kosovës ka shenja se ka nisur të zbutet dhe se ky vend do ta njohë pavarësinë e Kosovës në fund të procesit të dialogut Kosovë – Serbi.

Peci në një intervistë në Deskun e KOHËS, tha se në Madrid ka gjithnjë e më shumë zëra se çështja në raport me Kosovën duhet të zgjidhet.

“Mendoj se zbutja e qëndrimit të Spanjës do të ndodhë gjatë këtij procesi të dialogut dhe me përfundimin e tij, nëse qeveria e Sanchezit nëse do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, do ta bëjë njohjen e Kosovës, pasi ka shumë zëra në Madrid, se janë të lodhur duke u parë si ‘dele le zeze’ në Bruksel për shkak të kundërshtimeve ndaj Kosovës. Kanë ardhur në një fazë kur edhe këtë problem duan ta zgjidhin”, ka thënë Peci.

20:30

Reka: Kosova nuk mund të ofrojë më shumë kompromise

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka thënë se Kosova nuk ka çfarë të ofrojë më shumë kompromis në dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se nuk mund të ketë më tepër kompromise nga Kosova se nga çfarë ka dhënë deri tash, ndërsa theksoi se e qartë është se përmbyllja bëhet me njohje reciproke.

“Biden në letrën dërguar Vuçiqit i thotë shumë qartë dhe bindshëm se ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke të dy shteteve. Kosova nuk ka çka të ofrojë më shumë prej kompromiseve. Kosova 22 vitet e fundit ka ofruar dhe ka dhënë tri kompromise mjaft të dhimbshme, në Rambuje më 1999, në negociatat e Vjenës më 2007 dhe në dialogun e Brukselit me marrëveshjen e Brukselit të 18 prillit 2013 me pranimin e të ashtuquajturës fusnotë. Nuk është se Kosova nuk është kooperuese, por nuk mund të ketë më tepër kompromise pa e rrezikuar edhe zhbërjen e shtetit. Dy vija të kuqe janë të panegociueshme, të pakalueshme, është integriteti territorial i Kosovës dhe karakteri unitar i Kosovës”, ka thënë profesori i së Drejtës Ndërkombëtare.

Reka ka shtuar se ka një përplasje mes deklaratave që bashkësia ndërkombëtare po i jep Kosovës rreth Asociacionit të Komunave Serbe.

“Po e shoh se po bëhen spekulime me ‘Zajednicën’, por aq sa bashkësia ndërkombëtare po insiston me këtë ‘Zajednicë’, duhet t’i bëhet një pyetje, a është po kjo e njëjta bashkësi ndërkombëtare që neve një shtet me 95 për qind të përbërjes etnike shqiptare pranoi konceptin, modelin e një shteti multietnik, por si mund të funksionoj në një model të tillë të shtetit multietnik një njësi njëetnike prej 10 komunave serbe. Kemi një përplasje të drejtpërdrejt të asaj që po na thotë bashkësia ndërkombëtare se Kosova duhet të mbetet shoqëri multietnike dhe asaj që ajo po na bën presion ta pranojmë ‘Zajednicën’ edhe pse është një lloj i federalizmit njëetnik”, ka thënë Reka.

20:25

Reka: Eksperimenti i Brukselit në dialog ndryshoi me përfshirjen amerikane, Kosova e barabartë

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka thënë se takimet dy-ditore të përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretarit amerikan, Matthee Palmer, në Kosovë kanë një mesazh të jashtëzakonshëm diplomatik për Kosovën. Ai këto vizita i ka quajtur ristartim për një format më ndryshe nga dialogu i deritanishëm.

Reka ka thënë se këta dy përfaqësues përçuan atë që Kosovës i mungoi prej disa vitesh gjatë procesit të dialogut – trajtimin e barabartë të palëve negociuese.

“Për të parën herë vijnë dy të deleguar special për dialogun, një nga SHBA dhe një nga BE në Prishtinë për të përçuar atë që i mungonte tash e 10 vite dialogut eksperimental të Brukselit që eksperimentohej me qasjen e negociatave asimetrike, duke i trajtuar dy palët në mënyrë të pabarabartë dhe duke eksperimentuar me të ashtuquajturën neutralitet ndaj statusit të Kosovës. BE-ja nga 2011 deri më 2018 edhe pse theksonte se do të ishte ndërmjetësuese neutrale në dialog, ajo u bë neutrale ndaj njërës palë”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Ai ka thënë se BE-ja nuk e ka trajtuar Kosovën si palë të barabartë dhe këtë e ka mbështetur në përdorimin e fusnotës kur i referohej Republikës së Kosovës.

Ka shtuar se trajtimi i pabarabartë në tavolinë, do të ndryshohet tash me kyçjen e diplomacisë amerikane.

“Konsideroj se ky eksperimentim jo i mirë, asimetrik, të trajtimit të pabarabartë të dy palëve negociuese, do të ndryshohet me kyçje më aktive të diplomacisë amerikane. Mund të thuhet se nga fillimi i dialogut administrata e Obamës nuk ishte fare e interesuar në dialog, duke ia deleguar BE-së. Administrata e Trumpit u kyç vetëm në fund të mandatit. Vetëm këto 4 muaj të administratës Biden japin prova se ai do përdorë dy qasje më ndryshe nga ata dy, do të kthejë boshtin euroatlantik”, ka thënë Reka.

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare është shprehur pesimist se dialogu do të mund të përfundonte me një marrëveshje finale këtë vit. Përmbylljen e këtij procesi, ai e sheh më të gjatë.

“Mendoj se do të jetë dialog i vështirë, pak më i zgjatur dhe nuk besoj se do të përfundojë këtë vit. Do të mund të pritnim një finalizim diku nga mesi i vitit 2022. Këtë e them sepse Kosova në vjeshtë e përfundon vitin zgjedhor, në Francë vitin e ardhshëm janë zgjedhjet presidenciale dhe nuk e di sa do të mund të ndikojë në shpejtimin e dialogut. Po në vjeshtë do të kemi zgjedhjet në Gjermani dhe do tërhiqet një ndër avokatet më të mëdha të dialogut, Merkel. Në pranverë të vitit të ardhshëm do jenë zgjedhjet në Serbi ku Vuçiqi do mundohet ta fitojë edhe një mandat. Nëse i shikojmë të gjitha këto zhvillime do shihet se e vetmja konstantë është ajo amerikane. I vetmi lider i pasfiduar dhe i parrezikuar është presidenti Biden që më nuk do të kalkulojë dhe sidomos në vitin e dytë të mandatit do t’i përkushtohet më shumë politikës së jashtme”, ka shpjeguar ai.

Të gjithë këta akterë, ka thënë Reka, do të jenë të kujdesshëm si do të veprojnë në dialog për shkak të proceseve zgjedhore në vendet e tyre. Problematik e ka quajtur edhe vitin e ardhshëm për ta përmbyllur dialogun.

“Pjesa e dytë e vitit është më e problematike, sepse nga korriku 2022 presidencën e merr Çekia që si shtet na ka njohur por e ka një president problematik i cili bëri skandalin me kërkimfaljen për intervenimin e NATO-s në Kosovë. Rrethanat dhe konteksti i përgjithshëm gjeopolitik jashtë dhe konteksti politik në Kosovë dhe ai rajonal, ka ndryshuar rrënjësisht prej 4 shtatorit 2020 apo prej zotimeve unilaterale të Washingtonit”, ka përfunduar Reka.