5 perditesime
17:37

AAK-ja s'ka datë për zgjedhjet lokale, me rëndësi që “mandati i kryetarëve të jetë i plotë”

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti nuk ka pasur preferenca datash sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani, ka thënë se me rëndësi është që kryetarët e komunave të kryejnë mandatet e plota, pa humbur asnjë ditë.

“Zgjedhjet të ndodhin në afatet kohore. Aty u diskutua data 31 tetor, ajo që dihet është se mandati i kryetarëve të komunave përfundon më 22 tetor, nuk është mirë me iu ndalë mandati asnjë ditë. Për AAK është tepër me rëndësi përgatitja e zgjedhjeve. Jo s’kemi parapëlqyer ndonjë datë, me rëndësi është që mandati të jetë i plotë, të ketë dakordim mes partive, një javë më vonë apo një javë më herët nuk prishë punë”, ka thënë Tahiri.

17:15

LDK-ja kërkon 31 tetorin si datë për zgjedhjet lokale, njëjtë si PDK-ja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se zgjedhjet lokale duhet të mbahen më 31 tetor.

Abdixhiku ka thënë pas takimit që ka pasur me presidenten, Vjosa Osmani, se ka kërkuar nga ajo që fundi i muajit tetor, të jetë koha kur do të zhvillohen zgjedhjet e radhës për komuna.

“Tetori është muaji i zgjedhjeve. Ne jemi gati si LDK për çdo datë të mundshme për tu futur në garën zgjedhore por është rekomandim i ynë që të jetë 31 tetori, për shkak të organizimit më të mirë, për shkak se Kosova është në pandemi dhe duhet të kalojë një kohë edhe për vaksinimin dhe rimëkëmbjen ekonomike. Ne propozuam dhe i kërkuam presidentes që 31 tetorin ta shpallë datë të zgjedhjeve”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se LDK-ja në këto zgjedhje do të dalë shumë më mirë se në ato të përgjithshme që u mbajtën më 14 shkurt të këtij viti.

14:47

PDK-ja propozon që zgjedhjet lokale të mbahen më 31 tetor

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për zgjedhjet lokale, ka thënë se kanë propozuar datën 31 tetor si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Mendojmë se institucionet që merren me organizimin e zgjedhjeve, KQZ-ja e institucionet tjera, duhet të kenë mjaft kohë që procesi të jetë i përgatitur mirë dhe në këtë drejtim kemi kërkuar si datë ku mund të mbahen zgjedhjet lokale, 31 tetorin. Është brenda afatit kushtetutes”, ka thënë Hoxhaj për media pas takimit.

Hoxhaj për zgjedhjet lokale ka thënë se PDK-ja pret që me Shaqir Totajn të fitojë në Komunën e Prizrenit.


Hoxhaj: PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ

U.d. i presidentit të PDK-së, Enver Hoxhaj, sërish ka insistuar se partisë së tij i takon anëtari dytë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Hoxhaj ka thënë se këtë e ka biseduar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit.

“Një gjë që i thashë znj. Presidente është se PDK-ja kërkon nga presidentja që para se të merret data kur mund të mbahen zgjedhjet të kompletohet përbërja e KQZ-së dhe ne kërkojmë që PDK-së t’i takon anëtari i dytë në KQZ. Të gjitha argumentet juridike, legale janë në anën e PDK-së dhe presim nga presidentja që pikërisht në këtë temë të tregojë që e përfaqëson interesin e gjitha partive politike, të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve. Është kërkesa e jona urgjente e serioze”, ka thënë Hoxhaj.

14:14

Kurti për datën e zgjedhjeve lokale: Sa më herët aq më mirë

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani për përcaktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vjeshtë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se “sa më herët që ato të mbahen, aq më mirë”.

“Në 38 komunat e Kosovës sivjet do të ketë zgjedhje dhe ato janë tejet të rëndësishme meqenëse jo veç qeverisja qendrore por edhe ajo lokale ndikon në jetën e mirë të cilën e meritojnë qytetarët e vendit. Për ne sa ma herët aq më mirë. Gjithçka tregon se sikurse para katër vitesh edhe sivjet tetori do të jetë muaji i zgjedhjeve”, ka thënë ai për mediat, teksa nuk ka treguar se kush do të jetë kandidat i VV-së për kryetar të Prishtinës.

13:18

Osmani e Kurti takohen për zgjedhjet lokale

Për pak pritet të nisin takimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike për koordinimin në caktimin e datës së zgjedhjeve lokale të cilat pritet të mbahen në vjeshtë. Takimin e parë, Osmani e ka me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tashmë ka arritur në objektin e Kuvendit.

08:11

Osmani sot takohet me partitë politike për zgjedhjet lokale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të takohet me përfaqësuesit e të gjitha partive politike për të biseduar për zgjedhjet lokale.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.

“Me të gjitha partitë janë paraparë takime për të mërkurën”, ka thënë Kupina.

Pas përfundimit të takimeve e konsultimeve pritet të caktohet data për zgjedhjet lokale në Kosovë, që është paraparë të mbahen këtë vjeshtë.