3 perditesime
13:52

Krerët kosovarë kërkojnë njohjen nga Greqia

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ua ka riafirmuar mbështetjen e Greqisë krerëve të Kosovës për liberalizimin e vizave.

Presidentja e Kosovës, kryeparlamentari dhe kryetari i Qeverisë kanë kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia.

Në takime të ndara, ai ka thënë se Greqia e mbështet liberalizimin e vizave.


Osmani: Njohja nga Greqia thellon marrëdhëniet tona

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias.

Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë të mira dhe ka potencuar se njohja e Kosovës nga Greqia do t`i thellojë edhe më tej marrëdhëniet bilaterale e multilaterale ndërmjet të dy vendeve. Në këtë kontekst, gjithashtu ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në mekanizmat e euro-atlantik të sigurisë.

Ajo ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në sferën e turizmit e kulturës, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

Ndërkaq ministri Dendias i ka dhënë mbështetje Kosovës në rrugën evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave.


Konjufca: Njohja nga Greqia, në dobi të Kosovës për integrimin evropian

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Dendias ritheksoi qëndrimin e shtetit grek për mbështetjen e Kosovës rreth liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu vuri në pah se qëndrimi i Greqisë karshi Kosovës ka qenë konstruktiv, duke përmendur bashkëpunimet e deritashme në fushën e zhvillimit ekonomik, të energjisë dhe kontributin e ushtarëve grekë në kuadër të KFOR-it, njoftohet nga Zyra për Media e Kuvendit.

Konjufca ndërkaq, shprehu gatishmërinë dhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, si dhe dobishmërinë që do ta kishte për Republikën e Kosovës njohja nga ana e Greqisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

U diskutua edhe për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dialogun me Serbinë.​

Zyrtarë grekë prej kohësh patën shprehur mbështetjen për liberazim të vizave.


Kurti përsërit kërkesën për njohjen e Kosovës nga Greqia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, ku ndër tjerash Kurti përmendi njohjen nga shteti grek.

Dendias shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me Kosovën dhe për investime të reja. Duke pasur parasysh historinë dhe gjeografinë e përbashkët të rajonit, ministri i jashtëm grek tha se Greqia është shumë e interesuar të rris bashkëpunimin kulturor me Kosovën, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Greqia dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Kurti e falënderoi ministrin Dendias për rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku vota greke ka qenë përcaktuese për pranim, por edhe për votimin për pranim në Bankën Qendrore Evropiane, Frankofoni e Komisionin e Venecies.

Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike.

11:53

Dendias: Greqia e përkrah dialogun për zgjidhje të qëndrueshme

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka deklaruar se Greqia e mbështet dialogun në vazhdimësi, duke bërë thirrje që të intensifikohen përpjekjet për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme gjithëpërfshirëse.

“Ne besojmë që i mbarë Ballkani Perëndimor duhet të lidhet me linjën transatlantike. Është potenciali i marrëdhënieve tona kulturore ne duhet të shkojmë me tej në këtë fushë. Greqia për dy dekada në mënyrë të vazhdueshme për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së”, ka deklaruar ai.

Përmes zyrës e cila është avancuar në një zyre të interesave të përgjithshme të Kosovës në Athinë, e mbështesim në vazhdimësi dialogun. Unë kam në kontakte të rregullta me miqtë e mi dhe përfaqësuesin evropian Lajçak dhe Greqia mbështet këto përpjekje”, ka shtuar tutje.

Dendias takime ka zhvilluar edhe me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, takime në të cilat mediat nuk kanë pasur qasje.

11:43

Gërvalla në takim me ministrin grek: Pavarësia e Kosovës është fakt i pandryshueshëm

Në takimin me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, ministrja Donika Gërvalla ka deklaruar se Greqia është shtet fqinj i rëndësishëm në rajon, duke kërkuar që të ngrihet statusi i zyrës në Athinë nga një zyre ekonomike në një të interesit.

“Pavarësia e Republikës së Kosovës është një fakt i pandryshueshëm dhe sa më shpejt të pranohet. Riafirmojmë se me Greqinë dhe partnerët e tjerë do të vazhdojmë dialogun edhe rreth kësaj çështjeje”, ka thënë ajo.

10:57

Nis takimi Gërvalla-Dendias

Ka nisur takimi mes ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias dhe ministres së Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës.

Të dy pritet t'u drejtohen mediave në orën 11:00.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti pritet të takohet me Dendiasin në 12:50.