Arbëri

CSL-ja e konsideron skandaloz vendimin e Apelit për hidrocentralet në Deçan

 

Skandaloz po e konsideron vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit që tri hidrocentraleve të kompanisë “Kelkos” t’u lejohet rifillimi i prodhimit të energjisë në to, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Më 3 qershor, Apeli vendosi që të refuzojë propozimin për shtyrje të ekzekutimit të lejeve për tri hidrocentralet e “Kelkosit” në Grykën e Deçanit. Themelorja dy herë radhazi kishte pezulluar ekzekutimin e lejeve ujore dhe mjedisore për hidrocentralet “Deçani”, “Bellaja” dhe “Lumbardhi 2”, pas padisë së Vetëvendosjes në Deçan dhe shoqërisë civile. Por, në vendimin e Apelit, të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se Gjykata Themelore gabimisht ka aplikuar të drejtën materiale, kur ka vendosur që ta aprovojë kërkesën e paditësve-propozuesve dhe t’ua shtyjë ekzekutimin e vendimeve kontestuese të të paditurave. Në vendim përmendet se paditësit kanë përmendur faktin se me ekzekutimin e këtij vendimi do t’u shkaktohej dëm i pariparueshëm, pasi të njëjtëve po u cenohet prona ku është ndërtuar termocentrali dhe po u reduktohet uji që furnizon familjet e tyre, po pa provuar konkretisht ndonjë provë konkrete se në çfarë mase të njëjtëve u reduktohet furnizimi me ujë.