Arbëri

Drojë për marrëveshjen që e prodhon dialogu, i cili nis më 15 qershor

 

Të martën do të marrë start faza e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me takimin e parë që zhvillohet në Bruksel ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Akleksandër Vuçiq. Kosova pret që finalja e procesit ta prodhojë njohjen reciproke. Por, nga zyrtarë të lartë, është shprehur drojë se shteti mund të dëmtohet, nëse imponohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Faza e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të marrë start në fillim të javës së ardhshme. Në Bruksel kanë konfirmuar datën e takimit të parë, në kuadër të procesit që synohet të përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për shtetet.

“Mund t’ju njoftoj se raundi tjetër i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë javën e ardhshme, më 15 qershor në Bruksel. Në këtë takim do të marrin pjesë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe për herë të parë Albin Kurti, kryeministër i ri i Kosovës”, ka thënë në një konferencë shtypi një nga zëdhënësit e Bashkimit Evropian, Peter Stano. “Ky takim do të lehtësohet nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi special për dialogun, Miroslav Lajçak”.