1 perditesime
23:19

Halimi: Qeveria e Kosovës është bërë strehë e punësimeve familjare

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se Qeveria e Kosovës është bërë strehë e punësimeve familjare.

Halimi ka deklaruar se vazhdimi i të punësuarve nga familjarët e partisë në pushtet është dekurajuese dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

“Qeveria e Kosovës është bërë si një strehë për të punësuar aktivistë dhe familjarë të partisë që është në pushtet. Një problem tjetër është që në një kontekst shoqëror në të cilin gjendemi ne, edhe vazhdimi i rasteve të të punësuarve nga familjaret e partisë në pushtet edhe dekurajuese dhe shkelje e të drejtave të njeriut, është humbje e mundësive të barabarta që është bazë e shoqërive demokratike”, ka thënë Halimi.

Sipas saj, ndryshimi ka qenë mjet për arritjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet mirëpo siç ka thënë, i vetmi ndryshim që ka ndodhur është ndryshimi i qëndrimeve të tyre të shpalosura gjatë fushatës për zgjedhjet nacionale.

“Ndryshimi radikal i qëndrimeve dhe deklarimeve publike që kanë qenë gjatë fushatës elektorale, kauzat dhe më pas me të marrë pushtetin është ndryshimi radikal i qëndrimeve. Ndryshimi ka qenë mjet për arritjen e pushtetit të tyre. I vetmi ndryshim që ka ndodhur është ndryshimi i qëndrimeve të tyre”, është shprehur ajo.

 

 


Halimi: LDK-ja nuk do të jetë pjesë e ndonjë ekipi të dialogut

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e ndonjë ekipi të dialogut Kosovë – Serbi.

Halimi ka thënë se LDK-ja do ta japë kontributin e saj në Kuvend dhe se nuk do të jetë indiferente karshi dialogut.

“Jo nuk do të jemi pjesë e ndonjë ekipi të dialogut. Qëndrimi ynë është se do ta japim kontributin, nuk do të jemi indiferent karshi një çështje kaq të rëndësishme. Por, kontributi më i vlefshëm në këtë pozitë që është LDK-ja është Kuvendi. Prandaj kemi insistuar gjatë gjithë kohës që të kemi diçka të shkruar, platformë të qartë, që të japim aty një feedbak, e të kërkojmë llogaridhënie për atë që është prezantuar”, ka thënë Halimi në Interaktiv të KTV-së.

Sa i përket deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se është fillim i ri në dialog, Halimi ka thënë se këto janë thjeshtë lojë fjalësh të kryeministrit.

“Këto u demantuan nga prijësit e BE-së. Nuk ndodhë që të krijohet një strategji e re e dialogut, është vazhdimësi. Janë lojë fjalësh që z. Kurti po përpiqet të ketë një nevojë të tij për të bërë prerje radikale mes asaj çfarë ka ndodh, në mënyrë që të krijojë opinionin publik se historia e një dialogu tjetër do të fillojë me të. Kjo u demantua, pasi çështja e dialogut gjatë gjithë kohës ka qenë e rëndësisë së madhe për secilën parti në pushtet. Qeveria në pushtet kishte premtuar shumë që këtë çështje ta zgjidhë në një formë tjetër, është fokusuar në këtë ide për të dhënë ide konkrete. Por po shihet se me të marrë pushtetin çështja është më e komplikuar, sesa kritikat për partitë tjera”.

Ajo ka shtuar se LDK-ja e ka dhënë kontributin në dy forma. E para duke ofruar platformë qartë, duke ofruar një dokument të rëndësishëm përmbajtësor. Ndërsa tjetra është se roli i LDK-së në Kuvendin e Kosovës është aktiv, dhe se në mënyrë sistematike ka insistuar që çështjet që kanë të bëjnë me dialogun të diskutohen në Kuvend.

 

23:15

Halimi për kandidaturat e Hazirit e Rugovës: LDK-ja s’ka qasje specifike ndaj askujt

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosoëvës, Sibel Halimi, ka thënë se LDK-ja nuk ka qasje specifike për individë të caktuar por se është në një fazë kur po vlerësohet gjendja e partisë në nivel të komunave.

Halimi ka folur në “Interaktiv” të KTV-së rreth kandidaturave të Lutfi Hazirit e Haki Rugovës në Gjilan, respektivisht Istog, për zgjedhjet komunale të vjeshtës, duke thënë se për të gjithë kandidatët potencialë do të bëhet e ditur në mbledhjen e radhës të Kryesisë së LDK-së.

“LDK-ja nuk ka qasje specifike për individë të caktuar por jemi në një fazë kur jemi duke e parë gjendjen e LDK-së në nivel të komunave. Për të gjithë kandidatët potencial do të bëhet publike në mbledhjen e radhës. Tani për tani për emrat për të cilët mund të flasim janë këta 8 të cilët sot e morën aprovimin nga kryesia e LDK-së”, ka thënë Halimi.

Kryesia e LDK-së ka miratuar sot disa kandidatë për zgjedhjet komunale.

Sipas njoftimit të kësaj partie, në Prishtinë do të kandidojë Përparim Rama, në Podujevë, Ekrem Hyseni, në Pejë Gazmend Muhaxheri, në Suharekë, Ardian Shala, në Lipjan, Imri Ahmeti, në Fushë-Kosovës, Burim Berisha, në Viti, Sokol Haliti, në Vushtrri Xhafer Tahiri.