4 perditesime
21:28

Abdullahu pyet nëse propozimi i Kurtit në Tiranë bishtnon Mini-Schengenin

Faton Abdullahu i PDK-së ka thënë se propozimi i sotëm në Samitin e Tiranës nga kryeministri Albin Kurti, ka qenë i papritur. Ai ka shtuar se për një propozim të tillë, Kosova nuk ka ditur gjë e as nuk i është prezantuar partive opozitare.

Ai në Deskun e KOHËS ka ngritur pyetjen nëse ky projekt është përpjekje për t’i bishtnuar Mini-Schengenit.

“Pyes, ky projekt a është ad-hoc, a është i përpunuar aty për aty, a është përpjekje për t’i bishtnuar Mini-Schengenit, për të bërë diçka si Mini-Schengeni që në njëfarë mënyrë është ripërtypje e të përtypurës për ta shitur ndryshe. Kurti a ka folur me vëllain e vet Edi Ramën për këtë çështje”, ka thënë ai.

Abdullahu ka thënë se VV-ja e pati përmendur shumë shpesh në të kaluarën bashkimin kombëtar, por tash ka krijuar raporte të këqija me Shqipërinë.

“A kishte Rama qasje në mendim për këtë. Ky raport Kosovë-Shqipëri që është prezantuar nga VV-ja si diçka që jo vetëm se duhet të bashkëpunojmë, të përafrohemi por duhet edhe të bashkohemi, me çka shumë njerëz në Kosovë që janë edukuar me këtë qasje që duhet të përafrohen, ka fituar shumë vota e simpati. Kemi ardhur në pozitën që raportet Kosovë-Shqipëri janë shumë të këqija. Pyes, ku mbeti ajo VV që thoshte se duhet të bashkohemi me Shqipërinë, tash as nuk komunikon me Edi Ramën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Tiranës me liderët e Ballkanit Perëndimor, ka propozuar një Marrëveshje të Evropës Juglindore për Tregti të Lirë (SEFTA) si kornizë të re bashkëpunimi për të ardhmen në Ballkanin Evropian.

Sipas propozimit të tij, në SEFTA do të përfshiheshin vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta, bazuar në një marrëdhënie të veçantë me Bashkimin Evropian, ngjashëm sikur marrëveshja e Zonës Ekonomike Evropiane – EEA.

20:48

Vetëvendosje pret “dialog të ri”, opozita e konsideron të pamundshme

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin se dialogu me Serbinë duhet të ndryshojë në mënyrën se si ka ecur deri tash. Disa herë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me qeverisjen e tij do të nisë “një dialog i ardhshëm” e s’do të ketë vazhdimësi të dialogut të kaluar. Megjithatë, të gjitha këto po u duken të pamundshme akterëve opozitarë.

Në emisionin “Desku” në KTV, deputeti i VV-së, Artan Abrashi, ka thënë se “do të ishte ideale që të hidhet një pjesë e asaj që ka ndodhur në të kaluarën në dialog” duke përmendur “vendimet që janë quajtur kompromise të dhimbshme e me pasoja direkte në integritetin territorial e sovranitetin e vendit”.

Ka përmendur disa parime mbi të cilat duhet të niset Qeveria e re në dialog. Ka thënë se pikë e parë është që Serbia duhet ta njohë realitetin që Kosova është e pavarur, që të distancohet nga regjimi i kaluar dhe që dialogu të mos jetë proces “për të shpëtuar fytyrën e një politikani të caktuar”.

Megjithatë, kjo është konsideruar e palogjikshme nga Faton Abdullahu i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka akuzuar Kurtin dhe Vetëvendosjen se “kanë bërë mashtrim” me qytetarët kur kanë thënë se dialogu s’është prioritet i tyre.

“A po bëhet dialogu temë qendrore, po mendoj se po. Do të jetë prioritet i kësaj Qeverie, edhe pse ka thënë se s’ka qenë prioritet. Edhe gjatë fushatës edhe më herët është thënë se dialogu s’është prioritet. Kur e ka dëgjuar qytetari, ka thënë sa mirë se na ka ardhur te hunda dialogu. Kemi thënë në çdo studio se s’është e vërtetë. Me këtë brishtësi që ke si shtet s’mund të bësh këtë. ‘Kush o ka t’i vetë dajtë ty?’. Do të shkosh kur të thirrin ata e do të ballafaqohesh me ato probleme e për më keq edhe kur bën qeveria diçka të mirë, puna e dialogut e eklipson të mirën apo edhe të keqen”, ka thënë ai.

Ndërsa Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Kosova s’mund të jetë partner i përgjegjshëm në sistemin ndërkombëtar nëse “diskuton me termet se tash është Qeveria e re”.

“Javën e kaluar në Kuvend, kryeministri Kurti tha që nuk do të ketë vazhdim të dialogut, por do të ketë dialog të ardhshëm. Ka dialog tash e dhjetë vjet. E shtoi se tash ka qeveri të re. Po bre, kemi qeveri të re, kemi ndërruar shpesh qeveri, por kemi një shtet që është zgjidhje e përhershme. Kemi krijuar këtë shtet me luftë, gjak e dije. Qeveritë ndërrohen, por shteti jo. Qasja që Aeveria i ndërron gjërat është problematike. Duam të jemi pjesë e sistemit ndërkombëtar. Duhet të jesh partner i përgjegjshëm. Nuk diskutohet me termat Qeveri e re. Kjo që do të ndodhë nesër, është rikapitulim por jo me dobi të madhe. Duam të shohim platformë”, ka deklaruar Hamiti.

Madje Hamiti e ka cilësuar të papërgatitur Qeverinë Kurti për procesin e dialogut.

“Po shihet që u është dashur shumë kohë. Kanë kritikuar Qeverinë, dhe tani po dalin të jenë të papërgatitur. Në opozitë, ka kohën e gjithë botës për të përpunuar politikat. Nuk duhet thënë që dialogu nuk do të jetë prioritet”, ka shtuar ai.

E si përgjigje, Abrashi ka thënë se ftesa që Qeveria i ka bërë opozitës për dialogun është që të ketë linja komunikimi me ata që kanë qenë pjesë e procesit në të kaluarën.

“Kanal i komunikimit nuk mund të jenë vetëm paraqitja në debate. Albin Kurti do të jetë fytyra kryesore përballë Vuçiqit. PDK-ja ka refuzuar, ndërsa LDK-ja është treguar më konstruktive. PDK-ja e bën këtë për inati. E konsideroj shumë produktive që Kurti i ka ftuar liderët e opozitës, dhe pse jo të dalim me një qëndrim të përbashkët. Mospajtimet dhe divergjencat tona duhet t’i mbajmë në këso raste. Arsyeja pse VV-ja ka qenë kritike më herët për dialogun është se idetë tona as nuk janë marrë parasysh. Kritikat tona kanë qenë me bazë, sidomos pasi i kemi parë marrëveshjet”, ka thënë ai.

20:34

Hamiti: Nuk ka pasur marrëveshje me Serbinë, janë diskutuar elementet që çojnë në një të tillë

Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk ka pasur marrëveshje që janë arritur me Serbinë, porse janë diskutuar vetëm elementë të marrëveshjes së përgjithshme e cila do të çojë në njohje reciproke.

Ai ka shtuar se Qeveria Hoti ka diskutuar vetëm mbi elementet e marrëveshjes përfundimtare në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne kemi qëndrimin se bisedat me Serbinë bëhen për elemente të marrëveshjes së përgjithshme që patjetër duhet të çojnë në njohje. Elementet e marrëveshjes janë diskutuar, nuk janë marrëveshje derisa nuk kemi përfundim të procesit dhe marrëveshje për njohje reciproke”, ka thënë ai.

Në Deskun e KOHËS, Hamiti është përgjigjur edhe për dokumentacionin të cilin kryeministri Albin Kurti pati thënë se nuk i është dorëzuar i plotë, sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se nuk e di çfarë kanë kërkuar, por sipas tij, është kërkuar diçka që nuk ekziston.

Rikthimin në temën e dialogut nga Qeveria aktuale, ai ka thënë se nuk e sheh të frytshëm.

“Ky rikapitull i procesit te dialogut nuk më duket i frytshëm. VV për kohën që ka qenë në opozitë ka pasur retorikë të fortë për mënyrën si ka qenë dialogut dhe ka thënë se do ta bëjë ndryshe. Ka kritikuar marrëveshjet, tash po thonë se nuk ka informacion. Po bëhen 2 muaj tash që nuk kemi informacion. Është një paradoks i llojit të vet”, ka shtuar ai.

20:29

Abdullahu: VV-ja nuk ka pse ta thërrasë PDK-në në takim për dialogun

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse ta ftojë PDK-në në takime lidhur me dialogun me Serbinë, pasi kjo parti e ka akuzuar për vite të tëra PDK-në për të këqijat në Kosovë.

Abdullahu ka thënë në “Desku” të KTV-së pavarësisht kësaj, ka fleksibilitet politik në PDK që e shtynë atë të mendoj që të bëhet bashkë kur bëhet fjalë për përballje me Serbinë.

“Edhe zotëri Hoxhaj ka bërë diçka tepër të mirë. Nëse unë jam opozitë dhe parti politike, dhe këta të akuzojnë vazhdimisht se këta të PDK-së e kanë shit këtë vend, e kanë vjedh këtë vend etj, e për çka i kanë thirrur tash, hajgare po bëjnë, kjo është joseriozitet. Na akuzuan edhe për tradhti kombëtare e tash, a po vjen bëhemi bashkë ndaj Serbisë. Përkundër kësaj, ka parametra, ka arsye, ka fleksibilitet politik që prapë si PDK na shtynë të mendojmë, të bëhemi bashkë se kemi punë me Serbi”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, PDK-ja herë bashkë me LDK-në e herë bashkë me AAK-në, e ka gjunjëzuar Serbinë në çdo aspekt.

20:23

Abrashi: Vetëvendosje synon të ndërlidhë Kuvendin me procesin e dialogut

Artan Abrashi, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se seanca e ftuar nga Qeveria për të premten, për të diskutuar për marrëveshjet e deritashme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është bërë me qëllim që të ketë ndërlidhje të Kuvendit me procesin e dialogut.

“Lëvizja Vetëvendosje është shquar në skenën politike si kritikuese e formës se si është bërë dialogu deri tani. Pothuajse i gjithë rrugëtim i yni politik ka qenë i bazuar në kritikën e klasës së atëhershme me mënyrën si e kanë trajtuar këtë proces. Ka ndryshim të realitetit politik në Kosovë. Kemi rastin që ne ta ideojmë këtë qasje të dialogut si palë, si Kosovë, në mënyrën dhe principet që besojmë. Ndër to është ndërlidhja e Kuvendit me tërë këtë proces. Siç ka paralajmëruar Kurti para çdo takimi do të konsultohet me akterët opozitarë e më pas në mbledhje të Kuvendit do t’i dëgjojë vërejtjet, kritikat e sugjerimet e deputetëve. E konsideroj si konsistencë në fjalën e dhënë, por edhe të domosdoshme sepse ndërlidhet mes Qeverisë dhe Kuvendit”, ka thënë ai në emisionin “Desku” në KTV.

Sipas tij, një ndërlidhje e Kuvendit me Qeverinë për dialogun me Serbinë “është jetike që Kosova të dalë sa më mirë”.

Abrashi ka shtuar se s’pret që në fund të diskutimit të ketë rezolutë për çështjen e dialogut, por s’ka përjashtuar mundësinë që të ketë diçka të tillë.