8 perditesime
13:15

Kosova me katër propozime në dialog, takimi Kurti-Vuçiq “jo i lehtë”

Kosova ka paraqitur katër propozime në dialogun me Serbinë të martën në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Të gjitha palët takimin e kanë cilësuar si “jo të lehtë”.

Kryeministri i Kosovës pas takimit ka renditur pikat që ka propozuar në dialog. Ai ka thënë se ka bërë propozim për marrëveshjen për tregti në Evropën juglindore, që të nënshkruhet menjëherë një marrëveshje e paqes mes dy shteteve, që pas njohjes të ketë reciprocitet bilateral për pakicat dhe që për çështjen e të pagjeturve, nga delegacioni serb të hiqen njerëzit që ishin në funksione në kohën e udhëheqjes së Serbisë nga ana e Sllobodan Milosheviqit.

Në anën tjetër, për përplasje në takim ka folur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se madje Kurti e ka pyetur se kur do ta njohë Kosovën, teksa ka shtuar se pala kosovare s’ka lejuar të flitet për Asociacion, por ka dashur të diskutonte vetëm për të pagjeturit.

Në fund, në një deklaratë për media, Lajçaku e ka cilësuar takimi si të vështirë, por ka thënë se “me rëndësi është që ka ndodhur”.

Takimi i radhës mes Kosovës e Serbisë, në ndërmjetësim të BE-së, do të zhvillohet para pushimeve të verës, që nisin në fund të muajit korrik.

13:08

Lajçaku: Takimi Kurti-Vuçiq s’ishte i lehtë, por me rëndësi ndodhi

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit që patën të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe president serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, ka deklaruar se takimi s’ka qenë i lehtë.

Ai ka thënë se nga dialogu, BE-ja dhe popujt e dy vendeve kanë pritje të mëdha.

“Nuk ishte takim i lehtë, por i rëndësishëm që ndodhi. Të dy liderët patën diskutim të hapur secili se çka do nga dialog. E rëndësishme nga BE-ja është që të dy liderët konfirmuan se s’ka rrugë tjetër pos normalizim raportesh. Të dy u zotuan për punë për arritjen e marrëveshjes së përgjithshme, nëpërmjet dialogut. Do të vazhdojë në fund të korrikut. BE-ja ka pritje të mëdha për të tejkaluar trashëgiminë e kaluar dhe që Serbia e Kosova të drejtohen kah e ardhmja evropiane nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse obliguese”, ka thënë ai.

12:51

Kurti: Në dialog bëmë katër propozime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e sotëm me Serbinë në Bruksel, i ka bërë katër propozime. Ai ka thënë se tri nga to janë refuzuar nga Serbia, ndërsa për njërën s’ka marrë përgjigje. Kurti ka bërë të ditur që takimi i radhës në kuadër të dialogut mes dy shteteve do të zhvillohet para pushimit të verës, që nis në fund të muajit korrik.

1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka thënë Kurti për gazetarët pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti ka thënë se “nuk është se s’është optimist” për dialogun, por ka shtuar se përderisa “Serbia nuk e pranon Kosovën, as Kosova nuk e pranon Serbinë”.

“Ky ishte një takim në të cilin u ruajt distanca fizike. Pra ishim më shumë se dy metra larg njëri-tjetrit dhe mund të them që për bindjen time s’kishte shumë befasi. Por unë prezantoj interesat e Republikës së Kosovës, të drejtat e popullit të Kosovës dhe në veçanti përpiqem që procesi të ketë parime. Vetëm në atë mënyrë është i qëndrueshëm. S’mund t’i pyesim shqiptarët për çerekfinormacion që kanë për varrezat masive në Serbi kur shumë lehtë mund t’i pyesim në Serbi. Edhe pse presidenti thotë se nuk di gjë, ka të tjerë që i dinë. Le t’i pyesim. Në Bosnje e Kroaci ka qenë e mundshme të thuhet se serbët e atjeshëm kanë qenë pjesëmarrës, në Kosovë s’kanë qenë askund krimet joshtetërore. E vërteta për krimet e Serbisë së Milosheviqit në Kosovë ndodhet në Beograd. Ne bëjmë thirrje që këta persona që janë gjallë e që ishin në pushtet në atë kohë të hiqen nga pozitat në Serbi e të merren në pyetje për të vërtetën kriminale të Serbisë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova ka nisur përgatitjet për paditjen e Serbisë për gjenocid, duke shtuar se ajo do të marrë kohë për përgatitje.

Ka shtuar se Kosova s’lejon Asociacion njëetnik.

“Pushteti në Serbi dueht ta fajësojë fajtorin. E ka pasur të okupuar Kosovën dhe e ka humbur shekullin e kaluar nën regjimin e Milosheviqit. Duhet të mos vajtojnë, por të bashkëpunojnë me ne për njohje në Ballkan. S’mund të merremi me ide të vjetra, por i ftojmë që të merren me propozime tona të reja”, ka thënë më tej Kurti.

12:20

Vuçiqi: Kosova s’donte të fliste për Asociacionin, por për të pagjeturit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin në Bruksel ka pasur “provokime” nga ana e Kosovës.

Ai ka thënë se nuk janë përdorur fyerje në takim, por “përgjigje të rrepta”.

“Ai erdhi duke mos u pajtuar për asgjë. Erdhi e më pyeti se kur do ta njohim Kosovën. I kam thënë kurrë. Ka shpërthyer”, ka thënë Vuçiq pas takimit.

“Delegacioni i Kosovës nuk dëshiron t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara, pra nuk do fare të flasë për Asociacionin, ndërsa në anën tjetër ka kërkuar ugjentisht të dijë se kur do ta njohim Kosovën dhe janë thirrur në incidentet që kanë ndodhur atje, që serbët po dëshirojnë përmes liturgjive dhe kishave që janë ndërtuar në kohën e Milloshevqit. Kemi folur për personat e zhdukur dhe nuk do të besoni, unë kam folur sipas principeve, kam folur për atë se sa është e rëndësishme të zbulojmë vendet ku gjendet trupi i çdo shqiptari dhe serbi. Unë kam kërkuar që të ketë kërkime në nëntë lokacione, dy në Klinë një në Istog, një në Llapushnikë, Mejë të Gjakovë dhe Suharekë. Kemi kërkuar që ne ta zhvillojmë zhvarrimin pasi dyshojmë se në këto lokacione ka trupa të serbëve, por ata kanë refuzuar”, ka thënë më tej Vuçiqi.

Sipas Vuçiqit, është arritur pajtimi për vazhdim të dialogut deri në korrik.

12:18

Përfundon takimi Kurti-Vuçiq

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

10:41

Kurti e Vuçiq takohen në Bruksel

Ka nisur në Bruksel takimi tre palësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesit i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Është takimi i parë që zhvillohet mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Para takimit mes të gjitha palëve, Borrell e Lajçak takuan ndaras fillimisht Kurtin e më pas Vuçiqin.

Në konferencën për media, të mbajtur para të gjitha takimeve, Borrell u shpreh se “e di që dialogu është proces i vështirë, por i domosdoshëm për të dy palët”.

Ai u shpreh i lumtur që dialogu po zhvillohet në një kohë kur Bashkimi Evropian po vizitohet nga presidenti amerikan, Joe Biden.

10:39

Kurti e Vuçiq fillimisht takohen ndaras me Borrellin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, janë takuar në takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, para takimit trepalësh.

08:19

Borrell: Dialogu jo i lehtë, por i domosdoshëm

Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, pak para takimit Kosovë-Serbi në Bruksel, ka thënë se e di që dialogu s’është i lehtë, por e ka parë si të domosdoshëm për të ardhmen e dy vendeve. Ai është shprehur i lumtur që takimi po mbahet në të njëjtën kohë kur presidenti amerikan, Joe Biden po viziton Evropën.

“Sot bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçakun, do të organizojmë një takim të ri të nivelit të lartë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Jam i lumtur që po ndodh në të njëjtën kohë kur BE-ja takohet me presidentin amerikan Joe Biden. Është kënaqësi të pres në Bruksel, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurit, jo larg pas takimeve të shkuara. Inkurajoj të dy palët të vazhdojnë dialogun pa vonesa e të fokusohen në rezultate pavarësisht të gjitha vështirësive. Dialogu s’do të jetë i lehtë, por procesi është i domosdoshëm për popujt e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai në konferencën para takimit.

“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes evropiane. Në të njëjtën kohë, ka sjellë rezultate të rëndësishme për popujt. BE-ja dhe unë jemi të interesuar të shohim progres të shpejtë e të lëmë të kaluarën prapa, të arrijmë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe të bëjmë të ardhmen evropiane një realitet. Është momentum i ri dhe duhet ta shfrytëzojmë. Është momentum i ri në BE për të Ballkanin Perëndimor. Është mundësi për të gjithë rajonin. Jo vetëm për Kosovën e Serbinë sepse marrëveshja mes tyre është në të mirë të stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, ka shtuar ai.

Pas konferencës hyrëse, Borrelli pritet të ketë takim me kryeministrin Kurti dhe më pas me presidentin e Serbisë, Vuçiq, para se më vonë të mbajë një takim trepalësh.

08:00

Sot në Bruksel takohen Kurti e Vuçiqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot, e martë, 15 qershor, në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se në takim do të jetë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Fillimisht pritet që Borrelli të ketë takime të ndara me dy palët, ndërkaq më vonë të nisë takimi trepalësh, ku pjesë do të jetë edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Dy shtetet s’janë takuar në kuadër të dialogut qysh nga viti i shkuar, kur në Kosovë vendi udhëhiqej nga Qeveria Hoti.

Për Kurtin do të jetë takimi i parë në dialog, si kryeministër. Ai ka thënë se do të takohet me Serbinë për të diskutuar për “dialogun e ardhshëm”.