1 perditesime
23:14

Tahiri i quan të dobëta 4 propozimet e Kurtit

Ish-kryenegociatorja për bisedime teknike në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, pikat e propozuara nga kryeministri Albin Kurti në takimin në Bruksel me palën serbe lidhur me dialogun, i ka quajtur të dobëta.

Në Interaktiv ajo ka thënë se sot Kurti e ka dëmtuar Kosovën.

“Ishin katër pika shumë të dobëta, mu duk si nxënës i klasës së parë fillore. Besoj se do ta marrë veten sepse kështu nuk mund ta çojë përpara interesin e Kosovës. Sot e ka dëmtuar Kosovën”, ka thënë ajo.

Sipas Tahirit, pikë e parë në këto bisedime do të duhet të ishte njohja reciproke dhe më pas reparacionet e luftës. Si pikë e tretë, shtoi ajo, do të duhej të përmendej gjenocidi i Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Është shumë i rëndësishëm takimi i parë dhe si pozicionohen palët. Karta e parë duhej të ishte njohja, pastaj reparacionet e luftës. E treta të përmendej gjenocidi në platformë, t’i kujtohej Serbisë pasi ka tendencë ta harrojë. Duhej të kërkohej edhe suksesioni, pasuria që i takon Kosovës nga ish-Jugosllavia, ku ka qenë njësi federale. E fundit natyrisht, ajo që ka përmendur të pagjeturit është në rregull, por ka harruar gratë e dhunuara, dhjetëra mijëra shqiptarë të torturuar, të abuzuar, dhe një milion të dëbuar në kohë lufte”, ka thënë ajo.

23:05

Tahiri: Kurti u tregua inferior në takimin e parë me Vuçiqin

Ish-kryenegociatorja për bisedime teknike në dialogun Kosovës – Serbi, Edita Tahiri, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është treguar sot inferior në takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Tahiri në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Kurti duhet ta marrë veten, pasi në këtë mënyrë nuk mund ta çojë para interesin e Kosovës. Ajo ka thënë se Kurti sot e ka dëmtuar Kosovën.

“E para mendoj se ishte ana psikologjike. Kurti nuk ka qenë asnjëherë në ballë të luftës kundër Serbisë së Millosheviqit. Nuk e ka atë fuqinë që e ka një personalitet që i ka dalë në ballë okupatorit. Mbase edhe fakti se ka qenë i burgosur, ka krijuar ndonjë traumë. Nuk ishte i përgatitur fare, nuk paraqiti asnjë platformë në parlament, me arsyetimin se do të jetë një njohje. Nuk ka çfarë të njohësh në këtë proces, pasi dihet se Vuçiqi kush është, është krahu i djathtë i Millosheviqit”, ka thënë Tahiri. “Për fat të keq ai si pikë e para është dashur të kishte kërkesën për njohje reciproke. E me atë pikë të parë të fitonte betejën negociatore".