3 perditesime
21:25

Zekaj: Kjo mendësi e qeverisjes që po vazhdon është shumë shqetësuese

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se Qeveria Kurti po vazhdon me mendësinë e qeverisjeve të vjetra, por se me shpejtësi më të lartë.

Zekaj në Desk të KOHËS ka thënë se është shqetësuese se si po shfaqet arroganca e numrave nga partia në pushtet. Se po bëhem shkarkime të menjëhershme pa pasur vlerësime paraprake.

“Për ne është e çuditshme kjo mendësi, arroganca e numrave, që po e shpreh partia në pushtet. Nuk po heziton të bëjë shkarkime të menjëhershme pa pasur vlerësim paraprak. Pikërisht Lëvizja Vetëvendosje ka qenë shumë kritike në këto shkarkime apo në marrjen e veprimeve pa respektuar procedurat. Qysh kur ka qeverisur Qeveria PAN apo qeveritë tjera, ka pasur kritika shumë të mëdha, kur kemi pasur shkarkimin e task-forcës antikorrupsion dhe shkarkime tjera, që faktikisht u bën për interesa të ngushta politike e partiake, e nuk u vlerësuan pasojat e këtyre veprimeve. Kjo mendësi për shoqërinë civile është shumë shqetësuese. Kjo mendësi që po vazhdon, një mendësi e njëjtë, qysh tash edhe nga Lëvizja Vetëvendosje e me shpejtësi shumë më të madhe. Kemi vetëm tre muaj të qeverisjes Vetëvendosje e kemi veprime të kontestueshme që po na kthejnë në retrospektivë të 20-vjeçarit të kaluar”, ka thënë Zekaj.

21:16

Palushi: Kushtetuta nuk i jep kompetencë presidentit ta shkarkojë kryesuesin e KQZ-së

Avokati Kushtrim Palushi ka sqaruar nëse presidentja e vendit mund të përballet me pasoja nëse vendimi për shkarkimin e Valdete Dakës si kryesuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Në Deskun e KOHËS, Palushi ka thënë se me Kushtetutë nuk përcaktohet nëse shkarkimi i kryesuesit të KQZ-së mund të bëhet nga presidenti. Ka shtuar se vendimi për shkarkimin e kryesuesit të KQZ-së duhet të vijë sipas një propozimi.

“Me siguri opozita do të argumentojë që Osmani ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, si rrethana e vetme në bazë të cilës mund të kërkohet shkarkimi i presidentit, nëse Kushtetuesja vërteton se presidentja ka bërë shkelje serioze. Argumenti do të jetë që neni 84 që i liston kompetencat e presidentit, kur vjen puna te kryesuesi i KQZ-së, thotë se vetëm emëron kryesuesin e KQZ-së dhe nuk përcakton se emëron e shkarkon kryesuesin e KQZ-së. Për dallim nga kryeprokurori ose kryetari i Supremes që thotë që emëron dhe shkarkon me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Edhe prokurorët dhe gjyqtarët, presidenti nuk mundet t’i shkarkojë, por duhet të vijë një propozim nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial. Ngjashëm do të duhet të ishte rregulluar situata me kryesuesin e KQZ-së, në radhë të parë dispozita kushtetuese duhej të theksonte se emëron dhe shkarkon kryesuesin e KQZ-së me propozimin e KQZ-së”, ka thënë ai.

Palushi ka thënë se propozimi për shkarkimin e Dakës duhet të vinte nga vetë KQZ-ja.

“Propozimi për shkarkimin e zonjës Daka do të duhej të vinte nga KQZ-ja, nga vetë ky organ që është në pozitë për t’i konstatuar faktet që argumentojnë se plotësohen kriteret për shkarkim”, ka përfunduar ai.

Ndërsa ka përsëritur se Kushtetuta nuk e parasheh që presidentja të ketë kompetencë edhe shkarkimin e kryesuesit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përveç emërimit.

20:45

Zekaj: Haxhiu i ka emëruar kundërligjshëm disa anëtarë të Komisionit të Jurisprudencës

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë shkelje ligjore kur ka emëruar disa anëtarë të Komisionit të Jurisprudencës.

Zekaj ka thënë në “Desku” të KTV-së se Haxhiu ka emëruar në pozitën e kryetarit të këtij Komisioni një person i cili ka katër ose pesë pozita brenda sistemit gjyqësor.

Ai ka përmendur edhe emërimin si anëtare, të një prokuroreje e cila siç ka thënë, ka masë disiplinore të konfirmuar.

“Në këtë proces na dolën probleme, kryesisht në emërimin e disa anëtarëve të Komisionit. Ministrja Haxhiu këto dilema i arsyetoi me përgatitjen profesionale të kryetarit të komisionit dhe të anëtareve të tjerë. E kemi kontestuar si shoqëri civile përpjekjen për të emëruar në këtë komision duke shkelur ligje të veçanta, e në këtë rast Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, që thotë se një person nuk mund të ketë në më shumë se një pozitë menaxheriale. Në rastin konkret kemi një kandidat i cili, duke mos e kontestuar profesionalizmin e tij, ka më shumë se një pozitë menaxheriale, ka katër-pesë pozita brenda sistemit gjyqësorë, prandaj kjo e bën të papërshtatshme që të jetë në krye të Komisionit. Pastaj kemi aty një prokurore e cila ka masë disiplinore të konfirmuar dhe për shkak të diskrecionit të ministres që ta propozojë këtë Komision, ajo nuk është dashur që t’i propozojë këta persona”, ka thënë Zekaj.

20:39

Demolli-Nimani: Të propozuarit për Komisioner për Informim dhe Privatësi i mungon dëshmia e punës

Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja FOL ka thënë se kandidati Enver Bujari, që kishte marrë pikë maksimale nga paneli në konkursin për Komisioner për Informim dhe Privatësi, nuk ka poseduar në dosjen e tij dëshmi për përvojën e punës, siç kërkohet për këtë pozitë.

Demolli-Nimani ka thënë se kur kanë krahasuar CV-të e tij të vitit 2019 dhe të fundit, kanë vërejtur një mospërputhje të datave se kur ka punuar, gjë që i ka shtyrë të hulumtojnë.

Kjo e ka shtyrë Lëvizjen Fol dhe disa organizata tjera të shoqërisë civile që të reagojnë duke i bërë thirrje deputetët në Kuvend që mos të votojnë kandidatët për Komisioner për Informim e Privatësi.

Demolli-Nimani në Desk të KOHËS ka thënë se Enver Bujari në kohën sa ishin ekspertët britanikë, kur nuk kishte arritur të kalonte për t’u votuar në Kuvend.

“Edhe kësaj here dy nga kandidatët që kanë shkuar në Kuvend, kanë qenë pjesëe e konkursece të kaluara. Është hera e parë që nuk ishin në panel edhe ekspertët britanikë. Ditë më parë nga CV që kemi rishikuar te njëri prej kandidatëve kemi vërejtur se ka mospërputhje mes datave të diplomimit dhe periudhës se ku ka deklaruar se ka punuar. Në njërën CV të vitit 2019 më duket ai kishte thënë se ka punuar nga viti 2006 deri në vitin 2019 e në tjetrën nga viti 2009 deri më 2020. Ka pasur mospërputhje. E kjo na shtyu që dosjen e personit në fjalë ta kërkojmë. Është një nga personat që është vlerësuar nga paneli me nota maksimale. Nuk ka ndodh diçka e tillë në konkurset e kaluara kur ishin përfshirë ekspertët britanikë”, ka thënë Demolli-Nimani. “Nuk kishte arritur asnjëherë të kalojë si kandidat për votim në seancën plenare. Kur i rishikuam të gjitha dokumentet që ky person është dashur të dorëzojë me rastin e aplikimit për këtë pozitë, vërejtëm që mungon dokumenti që dëshmon përvojën e punës. Pikërisht ku ngritëm dyshimet, pasi kjo pozitë kërkon tetë vjet përvojë pune, e së paku pesë në pozitat menaxheriale. Nuk pamë që Enver Bujari, një prej kandidatëve më të votuar në panel, posedon këtë dokument. Në mungesë të këtij dokumenti ai nuk duhej fare të ftohej në intervistë, sepse dokumentacioni ishte i pakompletuar. Sapo e konfirmuam reaguam, e kërkuam nga deputetët të mos votojnë këtë person, të anulohet komplet ky proces për shkak të parregullsive”.