2 perditesime
23:44

Lista Guxo shqyrton mundësinë të garojë bashkë me VV-në në zgjedhjet lokale

Pas zgjedhjeve të përgjithshme, Lista Guxo po shqyrton mundësinë që të garojë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje edhe në zgjedhjet lokale të muajit tetor, ka bërë të ditur deputetja e Grupit Parlamentar të VV-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Ajo ka thënë se për shkak të “punës së madhe” që po e bëjnë deputetët e kësaj liste në Kuvend, ka qenë e pamundur të bëhet formimi i partisë.

“Disa deputetë të Listës ‘Vjosa’ janë edhe deputetë të rinj, përfshirë mua. Jam në dy komisione e përfshirë plus deputete dhe më duhet të them që puna që po bëhet, sepse jo gjithçka shihet në publik, është punë intensive. Ajo çka duhet të theksohet këtu është që duke pasur parasysh se dy prej personave të Listës ‘Vjosa’ po udhëheqin ministri, të tjerë të përfshirë tërësisht në punë si deputetë e në komisione, e duke vërejtur agjenda legjislative e qeverisë se sa çështje të shtyhen përpara, fokusi është kthyer tek puna. Ky duhet të jetë fokusi ynë. Unë nuk kam pa ndonjë lëvizje konkrete të regjistrimit tani, por më duhet të theksoj se ekziston një bashkëbisedim i vazhdueshëm i Listës Vjosa me Vetëvendosjen dhe Alternativën se si do të përfaqësohen saktësisht nëpër komuna dhe asamble. Të gjithë kandidatët që po propozohen nuk është se s’po kalojnë në proces diskutimi konsensual”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka shtuar se emrat e kandidatëve që mund t’i propozojë kjo listë do të diskutohen bashkë. Është shprehur e bindur se Donika Gërvalla mund të kryejë me sukses punën e kryetares së kësaj liste, pasi Vjosa Osmani pas zgjedhjeve të 14 shkurti u bë presidente.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.

23:17

Kica-Xhelili: Kisha dyshime në kompetencat e Bordit të RTK-së, i pritshëm rekomandimi për shkarkim

Doarsa Kica-Xhelili, kryetare e Komisionit Parlamentar për Media, ka thënë se nuk ka qenë i befasishëm rekomandimi për shkarkimin e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka pasur dyshime në kompetencat e këtij Bordi, kur anëtarët kanë raportuar para Komisionit për Media.

“Do të doja të them jam befasuar, por nuk mund të them sepse edhe përgjatë kohës që është raportuar në komision nga anëtarët e Bordit, i kam pasur dyshimet në kompetencën e tij. Ka qenë e çuditshme që të kontestohet kompetenca e Auditorit gjeneral për auditimin e RTK-së. Auditori gjeneral është kategori kushtetuese. Nga ligji për RTK-në është e qartë se në dispozita thuhet se RTK është institucion publik”, ka thënë ajo..

Ajo ka thënë se mungojnë disa vite të raporteve të auditimit të RTK-së dhe Bordi i saj nuk ka dhënë përgjigje për to.

23:09

Kica-Xhelili e konsideron shkarkimin e Dakës “mesazh për pavarësi e paanshmëri të KQZ-së”

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, e ka parë si mesazh për pavarësi dhe paanshmëri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryesueses së KQZ-së.

Duke folur për kundërshtimet dhe kritikat që ka marrë presidentja nga opozita dhe shoqëria civile për shkarkimin e Dakës, se me vendim po bën presion te KQZ-ja, Kica-Xhelili ka thënë se mesazhi ka qenë tjetër.

“Një mesazh për pavarësi dhe paanshmëri të institucionit. S’do ta merrja si presion. Por si iniciativë që të rilegjitimohet pozicioni i pavarësisë së një institucioni që në fund të ditës ia vë vulën demokracisë”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së.

Kica-Xhelili ka thënë se çfarëdo shkarkimi që po bëhet në vend po i jepet një linjë politike.

“Mund ta vëreni në debate në përgjithësi që është diskursi i njëjtë. Për çdo shkarkim opozita vjen me qëndrimin se po tentohet një kapje”, ka shtuar ajo.

Të enjten, Kuvendi zgjodhi Krenare Sogojeva-Dermakun komisionere për Informim në një proces që është përcjellë me kritika të vazhdueshme nga shoqëria civile e cila kundërshtoi dërgimin e emrit të kandidatit Enver Bujari. Edhe pse Bujari pati më së shumtë pikë ndër kandidatët në komisionin që e bëri vlerësimin, në fund deputetët votuan për Sogojeva-Dermakun. E vendimi u mirëprit nga shoqëria civile. Për këtë Kica-Xhelili ka thënë se “proceset e tilla s’duhet të konsiderohen absolute teksa janë në komisione.

“Unë mendoj që mundësia e njëjtë për aplikim duhet t’i ofrohet secilit. Ajo që u ngrit ishte për ndryshimet në CV-në e tij, por supozoj që ata që e kanë votuar e kanë bërë filtrin e tyre të konfirmimit. Derisa ka dalë në intervistë, është në diskrecion të secilit anëtar të japë vlerësimin e tij. por duhet ta kemi parasysh se në fund të ditës as komisionet s’e vendosin kandidatin. E vendos Kuvendi dhe deputetët”, ka deklaruar ajo.