1 perditesime
15:56

Ministria e Bujqësisë thotë se s’ka vendosur për uljen e subvencioneve, s’e mohon propozimin

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar ndaj një komunikate të Shoqatës së Vreshtarëve në Rahovec ku thuhet se është propozuar ulja e subvencioneve të vreshtarëve, nga 1000 euro për hektarë, në 400.

Ministria e Bujqësisë e ka cilësuar si njoftim të rrejshëm, duke thënë se deri më tani MBPZHR-ja “nuk ka marrë kurrfarë vendimi për uljen ose ngritjen e kësaj kategorie apo të çdo kategorie tjetër të mbështetjes përmes Programit të Pagesave Direkte – Subvencioneve”.

“Për hir të korrektësisë ju njoftojmë gjithashtu se në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë themeluar grupet punuese përkatëse të cilat janë në proces të diskutimeve publike për hartimin e programeve për vitin 2021 në të cilat përfshihen edhe akterë nga shoqëritë civile, konkretisht përfaqësues nga shoqatat e fermerëve”, thuhet në komunikatë.

Shoqata “Vreshtari” në komunikatën e dërguar thotë se është një gjë e tillë është ende si propozim, duke mos përmendur ndonjë vendim të marrë nga Ministria.

13:24

Vreshtarët kundërshtojnë propozimin për uljen e subvencioneve, kërcënojnë me protesta

Shoqata e Vreshtarëve "Vreshtari" nga Rahoveci ka kërkuar nga Qeveria që të mos iu zbriten subvencionet nga 100 euro për ha në 400 euro. Këtë paralajmërim thonë se e kanë marrë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Sipas komunikatës, "Vreshtari", shkruan se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, më 11 qershor të këtij viti kishte publikuar propozimin për uljen këtyre subvencioneve, duke theksuar se vreshtarët nuk ishin të ftuar dhe as të informuar për këtë takim.

“Në bazë të këtij njoftimi ne si Shoqatë e Vreshtarëve dhe përfaqësues të bujqve vreshtarë, kemi reaguar ashpër në takim dhe kemi kundërshtuar këtë propozim i cili ka pasoja për gjithë sektorin e vreshtarisë që konsiderohet si i vetmi sektor që sjell punësime dhe të hyrat në ekonomitë familjare në mbi 4.760 fermerë në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shoqata shkruan se e kundërshton fuqishëm çdo veprim dhe tendencë për të ulur subvencionimin e këtij sektori. Ata kanë paralajmëruar edhe protesta.

“Ne si Shoqatë me një anëtarësisë me 4.760 vreshtarë, me anë të këtij reagimi po përpiqemi të gjejmë forma për ta mbrojtur sektorin dhe fermerët vreshtarë, në rast se nuk gjejmë mirëkuptim dhe përkrahje për kërkesat tona legjitime, hapat tjerë do jenë më të ashpra duke shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore dhe nëse është e nevojshme, edhe mekanizma tjerë siç është dalja në rrugë të gjithë vreshtarëve – protesta”, thuhet tutje.