2 perditesime
16:35

Di Maio: Liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet sa më shpejt

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë shumë shpejtë.

Di Maio këtë e ka thënë gjatë konferencës së përbashkët që e mbajti me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

“Rrugëtimi i reformave që Kosova duhet të ndërmarrë në anën tjetër është e domosdoshme edhe për të përafruar vendin me Bashkimin Evropian, Italia është plotësisht e bindur se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe do të vazhdojmë që zëri ynë të dëgjohet që konsiderohet në agjendë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës që shpresojmë që do të bëhet sa më shpejt”, tha ai.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka falënderuar Italinë për ndihmën që vazhdimisht ia ka dhënë Kosovës. Ajo ka thënë se shpreson të intensifikohet bashkëpunimi mes dy shteteve edhe në fusha tjera.

“Vendi ynë është i përkushtuar që të anëtarësohet në BE dhe NATO. Ministri Di Maio vjen nga Italia e Jugut, e mund ta dijë se atje janë vendosur me mijëra shqiptarë më shumë se 500 vjet më parë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ka fshatra ku fliten dialekte të vjetra të gjuhës shqipe”, ka thënë Gërvalla, duke thënë se lidhja mes dy vendeve është e vjetër dhe e shkëlqyeshme. “Ne kemi pasur takim të shkëlqyeshëm për sa i përket atmosferës, por edhe për rezultatin. Rezultatin konkret e pat sot me nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e taksimit të dyfishtë në tatimin mbi të ardhurat e parandalimin e evazionit fiskal, marrëveshje që u nënshkrua nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ambasadori i shquar i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando”.

Ndërkohë ka thënë se shpreson që të avancohet edhe bashkëpunimi si në njohjen e patentshoferëve, procesin e suksessimit dhe po ashtu marrëveshjen për bashkëpunim kulturor.

“Italia është mike e vërtetë e Kosovës. Miq të tillë si Italia, që pos që janë anëtarë të BE-së e NATO-s mund të luajnë rol vendimtar për t’u shpjeguar tjerëve klimën e re dhe ndryshimet e jashtëzakonshme që po ndodhin në Kosovë”, tha ajo.

Gërvalla ka treguar se në Romë do të jetë në fundjavë ku ndër të tjera do të jetë edhe sekretari i shtetit amerikan Anthony Blinken.

Ministri italian Di Maio pas takimit me Gërvallën, ka pasur takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. 

Ai do t'u flasë sot deputetëve të Kosovës në një seancë plenare të jashtëzakonshme. 

Ministri italian: Kosova nuk ka pse të ketë frikë nga dialogu

Ministri italian Di Maio shtoi se Kosova nuk ka pse të ketë frikë për dialogun pasi sipas tij, ky proces vetëm e forcon Kosovën ndërkombëtarisht.

“Shpresojmë të punohet për pajtimin në mes të rajonit dhe në ketë aspekt ia paraqita ministres vizionin e Italisë për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, sepse këtu kemi të bëjmë me stabilitetin më Ballkan dhe Sigurinë në Evropë, ashtu qysh i kemi inkurajuar serbët edhe Kosovën e inkurajojmë që të vazhdohet para dhe në mënyrë konstruktive dhe në një frymë të hapur për të pasur një rezultat konstruktiv që është një projekt ambicioz, por i arritshëm nëse ka vullnet politik. Lehtësimi nga ana e BE-së dhe mbështetja e fortë nga SHBA është mundësi e madhe historike për të dy vendet. Kosova nuk ka asgjë që të ketë frikë nga dialogu, përkundrazi do të shpërbejë vetëm në forcimin e saj të statusit në nivel ndërkombëtar”, tha ai.

16:01

Italia dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë në të ardhura

Ministri i Financave Hekuran Murati dhe Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando në praninë e ministrave të jashtëm të dy shteteve kanë nënshkruar marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë në të ardhura.

Kjo marrëveshje është nënshkruar sot pas ardhjes së ministrit të Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio.

15:18

Ministri i Jashtëm i Italisë mbërrin në Kosovë

Ministri i Punëve te Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtarë të Italisë, Luigi Di Maio ka mbërritur në Kosovë. Ai është pritur nga ministrja Donika Gërvalla.

Di Maio do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.