3 perditesime
11:15

Tahiri: Kurti ka taktika por jo strategji në dialog

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka bërë dy lëvizje të pamatura.

Sipas tij, ka folur shumë për dialogun si prioritet e gjashtë apo i shtatë, por tashmë kjo temë po i lë anash të tjerat për shkak të rëndësisë që ka.

Ai ka thënë se tema e dialogut është e rëndësishme për vendin.

“Ne si parti opozitare jemi shumë serioz. Ne më 6 maj i kemi dërguar letër që t’ia tregojmë pozicionet tona politike lidhur me dialogun. Roli partive parlamentare është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sa i përket pozicionit në Bruksel, Vuçiqit dhe non-paperat janë dokumente të stimulojnë debat publik. Kurti nuk ka strategji, ka taktizim. Në aspektin taktik ka punu mençur duke i dhënë katër pika”, ka thënë ai.

Sipas tij, në momentin kur në dialog nuk prezantohen fuqitë kryesore nuk mund të arrish sukses.

Ai ka thënë se fuqia e Kosovës është e vërteta.

“Ne ende kemi të pagjetur, kjo është e vërteta. Tema e dialogut është temë nacionale dhe nuk është e një partie. Në këtë proces duhet të ndodhë njohja reciproke ku ruhet organizimi i brendshëm dhe nuk duhet të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë ai.

11:01

Selmanaj: Qeveria Kurti s’ka afate kohore e as parime për dialogun

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se kur e kanë marrë Qeverinë në vitin e kaluar ndër hapat e parë ka qenë qasja serioze ndaj dialogut.

Ai ka thënë se nuk e kanë parë si proces të ri të dialogut me të marrë Qeverinë.

“Ne kur kemi hyrë në procesin e dialogut vitin e kaluar kemi pasur fasilitues dhe kemi paraqitur parimet tona si parakushte për hyrjen në dialog. Një nga to ka qenë pasja parasysh vendimi i GJND-së, që integriteti territorial është i paprekshëm, çështja tjetër ka qenë që marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ky ka qenë qëndrim i ynë dhe më pas kemi vazhduar takimet në Bruksel. Ajo çka tash shohim është mos përgatitje për këtë temë, duket se ka improvizime në hapa por jo vizion të qartë. Qasja fillestare që thonin që nuk kanë gjetë dokumente ka qenë joserioze, sepse ne i kemi dorëzuar të gjitha”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka një papërgatitje dhe mungesë transparence nga Qeveria për dialogun.

Çështje tjetër për të cilat kanë dilema, ai ka thënë se është qasja jo aktive për të ftuar SHBA-në në këtë proces.

“Ka pas qasje shumë prokative të Amerikës në dialog. Ne arritëm një marrëveshje që për Kosovën është shumë e rëndësishme. Çdo tendencë për të humbur rëndësinë e këtij dokumenti është kundër Kosovës. Tash nuk ka pas afate kohore, as parime e as platformë. Kur kemi qenë në qeveri, Lëvizja Vetëvendosje as telefonin nuk e ka hapur”, ka thënë ai.

10:47

Tahiri: Qeveria Kurti nuk është e hapur për dialogun Kosovë-Serbi

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se kur flitet për dialogun krijohet përshtypje se po flitet për tema të brendshme.

Sipas tij, nga dialogu ka pasur edhe rezultate pozitive ndonëse ka pasur rol destruktiv nga ana e Serbisë.

Ai ka thënë në veri më nuk janë strukturat paralele që e kanë penguar shtrirjen e sovranitet të Kosovës në atë pjesë.

Tahiri ka thënë se nuk Qeveria Kurti nuk është e hapur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

“Kryeministri Albin Kurti ka formuar institucionet. Pak para se të ndodhë takimi në Bruksel, Kurti ka lexuar një raport dhe asgjë të re nuk ka pasur se cilat do të jenë qëndrimet dhe agjenda që do ta ketë në bisedime. E kemi një lloj amullie siç e kemi edhe në fushat tjera. Ne nuk kemi kujt të i ndihmojmë. E shoh një qasje të gabuar të vendosjes së qeverisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk beson që qëllimi final me Serbinë duhet të jetë njohja, kjo pasi sipas tij, edhe nëse ndodhë dhe pengesa është në Këshillin e Sigurimit nga Kina dhe Rusia, vendi nuk mund të përmbyll çështjen e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Tahiri ka shtuar se nga marrëveshja finale duhet synohet anëtarësimi në OKB.

“Ka ndodhë një padrejtësi e madhe nga BE-ja në çështjen e liberalizimit të vizave. Ne jemi qytetarë më të pabarabartë në rajon. Ne nuk jemi në pozitë të barabartë as në iniciativat rajonale. Ne nuk e kemi një qëndrim të qartë nga Qeveria sa i përket marrëveshjes së Washintonit”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se çështjet si dialogu nuk duhet të diskutohet nëpër zyre por në sallën plenare.

10:21

Kusari-Lila: Agjendën e dialogut e ka vendosur procesi zgjedhor

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur konferencën “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi?”.

U.D. e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se me ardhjen e Qeverisë se re dhe presidentes ka ndryshuar bashkë koordinimi dhe uniteti në raport me dialogun.

Sipas saj jo rrallëherë dialogu është bërë mollë sherri mes partnerëve të koalicionit dhe në raport me kryeministrin dhe presidentit.

Kusari-Lila ka thënë se kjo ka treguar se duhet të ketë unitet dhe koordinim.

“Ne mund të kemi bashkërendim edhe mes partive edhe mes institucioneve por mund të mos arrihet diçka për shkak se përballë e kemi një president si Aleksandar Vuçiq. Kurti ka propozuar katër propozime, unë e shoh si hap avancues. Propozimi për këshillin nacional të serbëve në Kosovë është standardi i njëjtë që Serbia e ka përdorur për pakicat e veta. Dy propozimet e tjera siç është marrëveshja e paqes është shumë e rëndësishme. Përderisa është një Serbi që mbetet e hapur me Rusinë dhe Bjellorusinë deri në blerje të armeve, refuzimi i marrëveshjes së paqes tregon për jostabilitetin që Serbia e kërcënon Ballkanin”, ka thënë ajo.

Sipas saj marrëveshja e SEFTA-s paraqet barazi në tregtinë e lirë. Ajo ka thënë se duhet të insistohet në qartësi në proceset që Kosova ndjek.

Kusari ka thënë se marrëveshja e Mini-Schengenit është e dëmshme për Kosovën. Ndërkaq për çështjen e të pagjeturve ka thënë se Serbia duhet të marrë përgjegjësi.

“E shoh të domosdoshëm bashkërendimin e shoqërisë civile në këtë proces”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se përpara do të ecët duke e treguar qartësisht vizionin. Sipas saj Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun por për anën tjetër duhet të jetë dikush që të marrë qëndrim.

“Në mes të së kaluarës dhe të tashmes ka ndodhur një proces zgjedhor i cili e ka përcaktuar agjendë”, ka thënë ajo.

Violeta Haxholli nga KDI ka thënë se dialogu me Serbinë ka qenë sfidë e çdo qeverie që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës .

Nga marsi i vitit 2011 kur kishte filluar dialogu janë bërë 35 marrëveshje me 21 marrëveshje bazë.

“Qeveria e re ende nuk ka treguar se çfarë do të bëjë e këto marrëveshje. Kjo vazhdon të jetë një nga temat qendrore në planin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës. Tani faza e dialogut konsiderohet të jetë në fazë finale. Në këtë fazë Kosova dhe Serbia kanë mendime të ndryshme se si duhet të arrihet marrëveshja. Nuk përmenden temat që do të ngritën në këtë proces, meqenëse katër propozimet e tij nuk u pranuan nga Kurti”, ka thënë ajo.

Haxholli ka shtuar se të gjitha partitë politike duhet të bashkëpunojnë për dialogun.