4 perditesime
21:31

Ekspertët: Qeveria të përgatitet për të gjithë skenarët lidhur me Ujmanin

Sipas ekspertëve, Qeveria e Kosovës duhet t’i përgatisë një platformë lidhur me Ujmanin, t’i mbledhë të gjitha të dhënat, marrëveshjet dhe të përgatitet për të gjitha variantet lidhur me zgjidhjen e çështjes së Ujmanit.

Ish-zyrtari i lartë i “Hidroekonomisë”, Avdi Gjonbalaj, ka thënë se Qeveria duhet të përgatisë argumentet pse është apo nuk është adekuat për Kosovën traktati i lumit Kolumbia dhe të argumentojë se Kosova e ka të drejtën mbi të.

“Do t’u thoja (qeverisë) sistemi i Ibrit është sistem unik teknik e teknologjik, nuk e influencon Serbinë në masë. Të gjitha shqetësimet e tyre do t’i dëgjojmë, ata nuk kanë shqetësime në sasi të ujit, Ujmani nuk ndikon në cilësi, në cilësi ndikon ndotja. Nuk ka nevojë për këto ujëra se i mbesin 67 për qind të ujërave, i ka prej pellgut në profilin Leposaviq. Ne na takon edhe më shumë ujëra të marrim. E përgatitin platformën dhe japin përgjigje. Më duket se këta e kanë krijuar bindjen se ndërkombëtarët janë gogolë dhe çka thonë ata është ashtu. Kur e bënë propozimin amerikanët duhet të thonë pse nuk mund të aplikohet rasti me Kanadanë. I marrim parametrat që janë në Ujman, diskutohen plotat, nevoja për ujë prej Ujmanit nuk kanë sepse nuk kanë konsumatorë. Problemi i vërshimeve, krejt çka mund të diskutojmë me Serbinë është sistemi i alarmimit dhe lajmërimit. Mund të kërkojnë çka duan ata por të drejtë juridike dhe ujore s’kanë fare”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Mendim të njëjtë ka edhe eksperti i ujërave Afrim Lajçi. Ai pajtohet se Qeveria duhet të përgatitet për të gjithë skenarët e mundshëm për ta zgjidhur çështjen e Ujmanit. Lajçi ka shtuar se më e mira për Kosovën do të jetë të trajtohet bazuar në të drejtën ndërkombëtare ujore.

“Pajtohem me Avdinë, që duhet të përgatitemi për të gjithë skenarët. Me i mbledhë të gjitha të dhënat, marrëveshjet. Unë i kisha këshilluar kryeministrin dhe mendoj se është qasje e drejtë që Kosova duhet të insistoj që të gjitha problemet t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim në përputhje me të drejtën ndërkombëtare ujore. Kjo është arma më e fortë e jona. Nëse kjo e drejtë respektohet, Serbia nuk ka kurrfarë të drejte me qenë hisedarë në Ujman. Seria më shumë se me qenë hisedarë, e ka qasjen me ia komplikuar Kosovës rrugën që prej pas luftës”, ka thënë ai.

21:00

Gjonbalaj e Lajçi thonë se nuk janë kontaktuar asnjëherë nga Qeveria për çështjen e Ujmanit

Ish-zyrtari i lartë i hidro-ekonomisë, Avdi Gjonbalaj, dhe eksperti i ujërave, Afrim Lajçi, kanë thënë se nuk janë kontaktuar asnjëherë nga Qeveria e Kosovës për çështjen e Ujmanit.

Gjonbalaj në ‘’DESK’’ të KTV-së shprehet se fillimisht për këto gjëra duhet diskutohet përmes strukturave profesionale, e më pas sipas tij, t’ia japin ngjyrën politikanët.

‘’Nëse i referohem të kaluarës time në atë sistemin tjetër, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. Kurrë nuk është diskutuar diçka pa strukturat profesionale. Problemi i ujërave, por edhe i gjitha lëmive, fillimisht duhet të konsultohen ekspertët, pastaj t’ia japin ngjyrën politikanët. Asnjëherë nuk më ka pyetur askush’’, ka thënë ai.

Ndërkohë Lajçi pranon se askush nuk e konsultuar, por e arsyeton një gjë të tillë duke thënë se marrëveshja ka ndodhur shumë shpejtë.

‘’As unë nuk kam qenë i konsultuar, ndoshta pse kjo marrëveshje ka ndodhur pa dijeninë edhe të disa politikanëve, e lëre më ne. Si produkt i kësaj marrëveshje, ka ardhur ky raport, i cili sipas meje, është i balancuar. Duhet që ky raport të lexohet, të analizohet dhe ka hapësirë që Kosova të dalë e padëmtuar. Një zotim të tillë duhet menaxhuar që të mos jetë i dëmshëm për Kosovën. Është çështje parimore, nuk ka hapësirë të ndahet Ujmani. Duhet të diskutohet për menaxhimin e ujërave ndërkombëtare, jo veç me Serbinë, por me të gjitha shtetet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut. Është mirë të krijohet një Komision rajonal për t’i diskutuar këto gjëra’’, u shpreh ai.

20:50

Ekspertët s’e shohin adekuat traktatin e lumit Kolumbia si model për Ujmanin

Njohësit e çështjes së Ujmanit dhe resurseve të Kosovës nuk e shohin zgjidhje adekuate për Ujmanin traktatin e lumit Kolumbia, të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Avdi Gjonbalaj, ish-zyrtar i lartë i “Hidroekonomisë”, ka thënë se nuk ka aspekte teknike që mund të koordinohen me Serbinë rreth Ujmanit pasi sipas tij në kohën kur si projekt i ishte prezantuar, ajo nuk pati dhënë asnjë vërejtje. Traktati i Kolumbisë sipas tij, nuk i përshtatet liqenit në Kosovë.

“Ai model nuk mund të jetë adekuat për ne. Në Amerikë janë ngritur tri diga dhe ato punojnë në sistemin se njëra e plotëson tjetrën. Këto prej Ujman deri në Moravë nuk ka asnjë akumulim fare”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

As për Afrim Lajçin, ekspert i Ujërave, ky nuk është modeli adekuat që duhet ndjekur. Ai sqaron se si është i rregulluar kjo marrëveshje mes Amerikës dhe Kanadasë dhe pse nuk i përshtatet Kosovës e Serbisë një planifikim i tillë.

“Këtë raport, ekipi i departamentit të energjisë e kanë propozuar si modeli më i përafërt që do t’i përshtatej rastit të Ujmanit por jo si model i Traktatit ose marrëveshjes mes dy vendeve por si model i krijimit të një komisioni. Mendoj se ky model nuk është adekuat meqë sipas kësaj marrëveshje që e ka Amerika me Kanadanë do të rishikohet dhe Amerika shikon që rishikimi të jetë në favor të saj. Çështja aty është se Kanada i ka ndërtuar tri akumulacione për t’i bërë favor Amerikës, mos të dëmtojë zonat e Amerikës nga vërshimet. Investimet që i ka bërë Kanada në territorin e saj për interes të Amerikës, është krijuar një marrëveshje sipas së cilës më pas janë kompensuar. Kjo do të thotë sikur Serbia të ndërtonte disa akumulacione, atëherë ato investime të Serbisë, ne do ishte dashur të bënim një marrëveshje. Prandaj, ky model nuk i përshtatet situatës sonë”, ka thënë ai.

 

20:34

Lajçi: Raporti për Ujmanin i balancuar, nuk është në disfavor të Kosovës

Afrim Lajçi, ekspert i Ujërave ka thënë se raporti i Shteteve të Bashkuara me katër pika rekomanduese për Ujmanin është i balancuar dhe nuk është në disfavor të Kosovës.

Sipas tij, pika e tretë e raportit e cila parasheh krijimin e një Komisioni lumor për Ujmanin, duhet shikuar në kontekstin kosovar dhe si i tillë duhet analizuar.

“Raporti është i balancuar, dy pikat e para janë inxhinierike-teknike, rehabilitimi i sistemit, krijimi i një komisioni të përbashkët ujor që nuk është i dëmshëm pasi bëhet fjalë për një rrjedhë ndër-shtetërore. Në parim këto pika nuk janë që imponojnë ndonjë disfavor për Kosovën, këtë modelin e këtij Komisioni që është propozuar duhet të trajtohet dhe shikohet në kontekstin kosovar dhe natyrisht edhe raportin si të tillë duhet analizuar”, ka thënë Lajçi, në “Desku” të KTV-së.

Mirëpo me këtë ide nuk është pajtuar Avdi Gjonbalaj, ish-zyrtar i lartë i Hidro-Ekonomisë. Gjonbalaj ka thënë se derisa Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk mund të ketë komision të përbashkët për Ujmanin.

“Nuk mund të bëhen marrëveshje për themelimin e Komisionit. Përderisa nuk na njeh Serbia si shtet, komisione të tilla nuk mund të krijohen”, ka thënë Gjonbalaj.

20:24

Gjonbalaj: Ujmani gjithmonë ka qenë nën menaxhim të Kosovës, Serbia s’ka gisht në të

Avdi Gjonbalaj, ish-zyrtar i lartë i “Hidroekonomisë”, ka thënë se studimi i fizibilitetit, i kryer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për liqenin e Ujmanit, për menaxhim apo koordinim për menaxhim të këtij liqeni nga Kosova dhe Serbia, ka qenë i panevojshëm. Sipas tij, kjo sepse Ujmani që nga krijimi e deri tash ka qenë gjithmonë në kompetencë të Kosovës dhe se Serbia s’ka gisht në të.

Ai ka thënë se s’është i fascinuar as me cilësinë e studimit të SHBA-së e as me propozimet e dhëna.

“Sistemi është i dedikuar për t’i plotësuar nevojat e Kosovës në industri, për furnizim të banorëve. S’di pse çka duhet të ketë aty, kur Serbia s’e përdor për asnjë gjë”, ka thënë ai në emisionin “Desku” në KTV ku ka shtuar se disa nga propozimet tashmë janë në funksion nga autoritetet e Kosovës.

Duke folur për të dhënat që nga fillimi i projektit të Ujmanit, Gjonbalaj ka thënë se “Kosova ka financuar, ka dhenë mjete pa kthesë dhe komplet e ka udhëhequr projektin që nga fillimi e deri tash”.

Sipas tij, Serbia vetëm ka dhënë vetëm pëlqimin me ratifikim të kontratës më 1972.