2 perditesime
23:40

Bislimi: LDK-ja s’garoi me Veliun për t’ia dhënë Llapit kandidatin në të cilin beson më shumë

Faton Bislimi nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se LDK-ja vendosi të mos kandidonte me Agim Veliun për shkak se, sipas tij, llapjanët besojnë më shumë në Ekrem Hysenin, kandidatin e shpallur të kësaj partie për të parin e Podujevës në zgjedhjet lokale të këtij viti.

Bislimi këto komente i bëri në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së, duke iu kundërpërgjigjur edhe Veliut, i cili dërgoi letër në Kryesinë e partisë ku thuhet se vendimi për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të degës së Podujevës kishte shkelje statutare. Këto pretendime të Veliut, i mohon Bislimi.

‘’Besoj që Kryesia e ka marrë atë vendim vetëm e vetëm për t’i dhënë llapjanëve kandidatin që i besojnë shumë e ai është doktor Hyseni. Kanë qenë një sërë diskutimesh që ka ndodhur me Kryesinë e Podujevës, përmes të cilave diskutimeve është ardhur deri te ky vendim. Shpresojmë që ky vendim të jetë i duhuri, për rikthimin e qeverisjes së LDK-së në Podujevë. Nuk besoj që ka pasur shkelje statutare. Besoj që vendimi me shumicë votash është bazuar në nene. Jemi ardhur në momentin që Ekrem Hyseni na jep shpresën më të madhe për rikthimin e qeverisjes në Podujevë’’, deklaroi Bislimi.

Bislimi shtoi se LDK-ja është e përgatitur për zgjedhjet lokale, ndërsa meqë vjen nga Gjilani, ai refuzoi të zgjidhte mes Lutfi Hazirit dhe Arbër Ismajlit për kandidatin e të parit të Gjilanit nga kjo parti.

23:32

Bislimi: Kushtetuta, platforma e vetme e Kosovës për dialog me Serbinë

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë platforma e vetme në të cilën duhet të bazohet Qeveria e Kosovës për të arritur deri te një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Bislimi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se çfarëdo platforme tjetër që nuk është në linjë me aktin më të lartë juridik të vendit, nuk do t’i shërbente askujt.

“Ajo që dihet është se si LDK dhe personalisht e kam thënë që platforma më e fuqishme, më stabile, më rigoroze, është Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çfarëdo platforme tjetër, që nuk është në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk do t’i shërbente askujt. Nëse kryeministri i rri besnik Kushtetutës, nuk do të kemi marrëveshje që do të jetë e keqe”, është shprehur Bislmi.

Ai ka thënë se takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel më 15 qershor, ishte një lloj tjetër i negociatave, në krahasim me ato që janë zhvilluar nga qeveritë e kaluara.

“Është një lloj tjetër i negociatave që kemi parë, pasi përveç temës së caktuar ka pasur edhe propozime të tjera që janë hedhur në tavolinë”, ka thënë ai.

23:14

Me raportin për Ujmanin SHBA-ja zbatoi Marrëveshjen e Washingtonit, thotë Bislimi

Publikimi i raportit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, si një nga zotimet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator të vitit të kaluar në Washington, sipas anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Faton Bislimi, paraqet indikator që marrëveshja ka qenë valide.

Ai ka thënë se me publikimin e këtij raporti, SHBA-ja po i zbaton zotimet e saja.

“Është indikator i fuqishëm që marrëveshja është valide në secilën shkronjë, fjalë e palë nënshkruese që ishin Kosova, Serbia e SHBA-ja. Raporti tregon që një nga pikat e marrëveshjes është përmbushur nga pala amerikane. Rekomandimet janë ato që shpërfaqin mundësitë më të mira që çështja e Ujmanit të zgjidhet në mënyrën që i ndihmon Kosovës dhe procesit të finalizimit të marrëveshjes që pritet të bëhet me Serbinë, e që nga administrata amerikane është thënë se duhet të përfundojë me njohje reciproke”, ka thënë ai për raportin që doli nga Marrëveshja e nënshkruar nën administratën e ish-presidentit Donald Trump. “Ka pasur ndryshim administratash, por politika e jashtme e SHBA-së, s’bëhet në hapa afatshkurtër”.

Për rekomandimin që për Ujmanin të përdoret modeli i Traktatit të lumit Columbia në mes të SHBA-së dhe Kanadasë, Bislimi ka thënë se dallon sfondi i shteteve.

“Siç e dini, liqeni i Ujmanit është pjesërisht në dy territoret e shteteve fqinje, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë. Në një marrëveshje finale për njohjen reciproke do të determinonte edhe vijën kufitare e cila domosdoshmërisht do të prekë edhe liqenin e Ujmanit. Ajo që thuhet edhe në raportin e Departamentit për Energji, shembulli që jepet nga lumi Columbia është shpjegimi më i mirë i mundshëm që mund t’i bëhet një çështjeje që ishte politizuar shumë te ne, si zgjidhje që qe mplementuar mes dy shteteve në SHBA dhe Kanada dhe s’ka sjellë asnjë problem. E di që s’po flasim tash për dy shtete miqësore, por për dy shtete që në shekullin e fundit kanë pasur përplasje të mëdha me njërën palë si agresore e tjetrën viktimë. Dallon sfondi i dy vendeve, mirëpo kauza apo mundësia e zgjidhjes së problemit është model shumë i mirë që besoj se ekspertët amerikanë e kanë studiuar mjaftueshëm për ta nxjerrë si rekomandim. U takon palëve që më pas të merren e të shohin”, ka shtuar ai.

Sipas tij, me këtë raport sqarohet “si kristali që zotimet s’kanë qenë të njëanshme të të dyja palëve”.

“Janë në dy letra të ndryshme, e qartë, por me SHBA-në. SHBA-ja po i rri e përgatitur implementimit të tyre. Unë nuk shoh ku është humbja që Kosova ka pësuar nga marrëveshjet me SHBA-në”, ka shtuar ai.

Ai ka refuzuar ta komentojë heshtjen e institucioneve të Kosovës për raportin e publikuar nga SHBA-ja.