1 perditesime
17:01

Rivarrosen në Mitrovicë tri viktima të luftës

Remzi Kurteshi (1979), Dibran Dibrani (1930) dhe Zeqir Muja, të tre këta nga komuna e Mitrovicës, të vrarë nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe që nuk ishin gjetur deri tash, janë varrosur sot në varrezat e martirëve në Mitrovicë.

Trupat e tyre të cilat u identifikuan përmes ADN-së, u gjetën kohë më parë në varrezat në veri të Mitrovicës.

Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës, ka deklaruar se dita e sotme është dhimbje jo vetëm për mitrovicasit, por për të gjithë qytetarët e Kosovës. Duke përmendur shifra, ai kërkoi nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të bëjnë më shumë trysni tek shteti serb për dhënien e informacioneve në lidhje me të pagjeturit.

“Është dhimbje për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që edhe pas 21 vitesh ne nuk i kemi më të dashurit tonë. Janë 1 mijë e 632 raste të cilat ende janë të paidentifikuar dhe të pazbuluar se ku janë. Në Mitrovicë janë 116 persona të cilët hulumtohen dhe kërkohen për t’i gjetur dhe për t’i varrosur”, ka thënë Bahtiri.

Bajram Çerkini, kryetar i Shoqatës për personat e pagjetur “Zëri i prindërve”, ka kërkuar nga familjarët e këtyre tre martirëve që dhimbjen e tyre ta kthejnë në krenari.

“Kur gjendet vetëm një person në Kosovë, të gjithëve na jep shpresë se edhe ne do t’i gjejmë…Kisha pasur dëshirë që këtë ankth që e keni ta ktheni edhe në krenari”, theksoi Çerkini.

Nesrete Kumnova, nga “Thirrjet e nënave”, u shpreh se ka bashkëndjerë gjithmonë me familjarët e të pagjeturve. Sipas saj, Mitrovica sot nuk është vetëm, sepse me të janë edhe familjarët nga Gjakova dhe mbarë Kosova. Ajo bëri thirrje po ashtu tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen më shumë në këtë çështje.

“Ju kam kuptuar gjithnjë dhe kam bashkëndjerë me ju familje të dashura. Sot më ka ftuar baca Bajram që Mitrovica të mos jetë vetëm, por me Mitrovicën, familjet Dibrani, Muja dhe Kurteshi, jemi edhe ne familjarët nga Gjakova dhe mbarë Kosova. Nga këtu, Mitrovica, ashtu si do ditë nga Gjakova, ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen më shumë që familjarët tanë të rrëmbyer e të zhdukur të na kthehen”, ka thënë Kumnova.

Në anën tjetër, Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së komisionit qeveritar për persona të zhdukur, ka potencuar se sot nga qyteti i Mitrovicës nderohen jo vetëm këta tre martirë, por të gjithë ata që mungojnë.

Ai shtoi se sot kujtohet edhe lavdia e popullit të Kosovës i cili mbijetoi duke qëndruar mbi parimet e së drejtës për liri dhe shtet.

Gara përkujtoi obligimin e institucioneve për të cilat u shpreh se duhet vazhduar me angazhimin maksimal në mënyrë që të ndriçohet fati edhe i personit të fundit.

“Sot sigurisht nga Mitrovica ne nderojmë edhe të gjithë të tjerët që na mungojnë… Mungesa e të afërme dhe rivarrimet, na përkujtojnë se në luftë nuk ka humbje më të madhe sesa humbja e më të dashurve… Sot kujtojmë edhe lavdinë e popullit tonë i cili mbijetoi duke qëndruar mbi parimet e së drejtës për liri dhe për shtet. Eshtrat e Dibran Dibranit, Zeqir Mujës dhe Remzi Kurteshit, u gjetën në varrezat e shqiptarëve në Mitrovicë, pra sa afër, edhe larg. Afër nga vendbanimet ku jetuan në shtëpitë e tyre dhe larg për nga koha, 22 vite pas… Plagët dhe dhimbjet mund të ngushëllohen vetëm me të vërtetën dhe drejtësinë. Andaj, është obligim i yni që bashkërisht me përpjekje maksimale të vazhdojmë angazhimin dhe ndriçimin e fatit edhe të personit të fundit i cili është në listën e personave të pagjetur”, ka deklaruar Gara. /KP

11:02

Në Mitrovicë do të rivarrosen trupat e tre viktimave të luftës

Sot në varrezat e Shipolit në Mitrovicë do të rivarrosen trupat e Dibran (Ramë) Dibrani, Zeqir (Behram) Muja dhe Remzi (Kadri) Kurteshi, të cilët 22 vite më parë ishin rrëmbyer dhe zhdukur nga forcat serbe.

Sipas një njoftimi të qeverisë “Dibran Dibrani ishte në moshën 69 vjeçare kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe nga data 24 maj 1999. Zeqir Muja ishte në moshën 79 vjeçare kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe nga data 29 maj 1999.

Eshtrat e këtyre dy viktimave janë gjetur dhe zhvarrosur në fund të vitit të kaluar, në një lokacion në varrezat e besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës, ku kanë qenë të groposur nga forcat serbe në përpjekjen e tyre të fshehjes së gjurmëve të krimit.

Remzi Kurteshi, ishte në moshën 27 vjeçare kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe nga data 15 prill 1999”.

Ndërsa javën e kaluar, më 18 qershor 2021, pas identifikimit përmes analizës së ADN-së, është rivarrosur Nezir (Xhevat) Shabani.

Në respektim të kërkesës së familjes, Nezir Shabani është rivarrosur afër varrit të Selahedin Mehmetit, i identifikuar dhe rivarrosur gjatë muajit prill të këtij viti, ashtu siç ishin bashkë edhe në momentin e rrëmbimit dhe zhdukjes së dhunshme më 5 qershor 1999.

Edhe eshtrat e këtyre dy viktimave janë gjetur në fund të vitit të kaluar në lokacionin e varrezave të besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës, ku kanë qenë të groposur nga forcat serbe, më qëllim të zhdukjes edhe të gjurmëve të krimit.

Qeveria ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim dorëzohen për rivarrim edhe eshtrat e dëshmorit Remzi Maksuti dhe viktimës së luftës Magbule Morina, të identifikuar gjatë këtyre ditëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në angazhimin maksimal, përmes dhe në bashkëpunim me mekanizmat kompetent institucional, për trajtimin me prioritet të ndriçimit të rasteve të personave të zhdukur, në respektim të së drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur” thuhet në njoftimin e egzekutivit.