Arbëri

Schuetz: Në Procesin e Berlinit të gjitha shtetet janë të barabarta

Kosova në Procesin e Berlinit është e ulur në tavolinë si partner i barabartë dhe bisedon, ndër tjera, edhe me Serbinë. Unë jam e sigurt që kjo në vitet e fundit ka pasur efekte pozitive në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo, për shkak se vendimtare për të gjitha bisedimet është krijimi i besimit dhe i një atmosfere konstruktive
 

Në Samitin e Berlinit pritet të nënshkruhen katër marrëveshje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por, siç thotë për KOHËN drejtoresha për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Sabine Schuetz, marrëveshjet mund të përmbyllen vetëm nëse ato pranohen nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. “Ose nënshkruajnë të gjithë, ose i vazhdojmë bisedimet. Procesi i Berlinit jeton nga inkluziviteti. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të barabarta dhe nëse një shtet nuk u bashkohet përpjekjeve, atëherë na duhet të shikojmë që t’i sqarojmë të gjitha rezervat për t’i sjellë të gjithë në Bord“, thotë Schuetz

Javën tjetër do të mbahet Samiti i Berlinit. Në Ministrinë e Jashtme gjermane kanë shpresa të mëdha nga ky takim, prej të cilit pritet të ecet përpara me projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Veç kësaj, janë katër marrëveshje specifike që pritet të nënshkruhen në këtë samit, thotë në një intervistë ekskluzive për KOHËN Sabinne Schuetz, drejtoreshë e Departamentit për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet EFTA në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Por katër marrëveshjet – për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime, hapësirën e njësuar të udhëtimit për nënshtetasit e vendeve të treta, si dhe njohjen e diplomave profesionale dhe akademike – znj. Schuetz thotë se duhet të nënshkruhen nga të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. “Ose nënshkruajnë të gjithë, ose i vazhdojmë bisedimet“, tha ajo, duke theksuar se në Procesin e Berlinit të gjashtë shtetet janë të barabarta.

Për më tepër, znj. Schuetz thotë se pjesëmarrja e Kosovës, si e barabartë, në Procesin e Berlinit, ku është edhe Serbia, ka efekte pozitive edhe në procesin e dialogut të Brukselit.