3 perditesime
10:30

Ish-ministrat e akuzuar thonë se aktakuza është e ngritur mbi fakte të paqëndrueshme

Ka rifilluar seanca në rastin e “Faljes së hidrocentraleve”. Seanca kishte shkuar në pauzë shkaku i ndaljes së rrymës.

Ish-ministri Besim Beqaj ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

“Absolutisht nuk e pranoj fajësinë. Aktakuza është me prova inekzistente”, ka thënë ai.

Edhe Mimoza Kusari Lila, ka thënë se nuk pranon fajësinë.

“Nuk e pranoj fajësinë, është aktakuzë e bazuar në hipoteza të paqëndrueshme”, tha ajo.

Edhe ish-ministri Nenad Rashiq ka thënë se është akuzuar për veprën penale që nuk ishte prezent, kur prokuroria pretendon se është kryer ajo.

Edhe dy të akuzuarit tjerë nuk e kanë pranuar fajin.

10:04

Ndalet rryma, seanca për rastin “Hidrocentralet” shkon në pauzë

Është ndaluar rryma në sallën e gjyqit, ku po mbahet seanca për rastin e njohur si “Falja e Hidrocentraleve”, ku të akuzuar janë ish-ministrat Besim Beqaj, Mimoza Kusari Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq dhe dy ish-zyrtarët e KEK-ut, Fllanza Hoxha e Arben Gjuka.

Është shkuar në pauzë deri sa të kthehet energjia elektrike.

09:58

Nis shqyrtimi gjyqësor në rastin “Falja e Hidrocentraleve”

Ka filluar shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si 'Falja e Hidrocentraleve' ku të akuzuar janë ish-ministrat Besim Beqa, Mimoza Kusari Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq dhe ish-zyrtaret e KEK-ut Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Për këtë rast, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Aktakuza nuk është lexuar me kërkesë të mbrojtjes. 

09:40

Sot dalin para gjykatës katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2

Pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata e Apelit, sot pritet të dalin para gjykatës katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2: Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe dy të akuzuarit tjerë Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.

Për këtë rast, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ky rast është duke u gjykuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka.

Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.

Kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Citakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtarë të KQP-së, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”. /BetimipërDrejtësi