Arbëri

Presidentja Osmani kundërshton ashpër revistën gjermane “Der Spiegel”, e cila e përshkruan Thaçin si “zagar të amerikanëve”

 

Në një intervistë dhënë revistës gjermane “Der Spiegel” presidentja e Kosovës ka theksuar se Hashim Thaçi ka qenë president dhe kryeministër në kohëra historike dhe ai s’duhet nga askush të njolloset si “zagar i amerikanëve”.

Revista gjermane “Der Spiegel” ka një traditë të gjatë të akuzave paushalle ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë traditë tani e ka përsëritur edhe një gazetar i “Der Spiegel” gjatë një bisede me kryetaren e Kosovës. Ai i është drejtuar Vjosa Osmanit me këtë pyetje: “Presidenti Thaçi, shpeshherë i shpotitur si zagar në prehër të amerikanëve, gjendet në burg në Hagë. A nuk ka ardhur koha për t’u emancipuar (Kosova) nga fuqia botërore SHBA?” Përgjigjja e Osmanit ka qenë e qartë: “Përkundër krejt diferencave politike që mund t’i kemi pasur me Thaçin, askush nuk do të duhej ta quante atë ‘zagar të amerikanëve’. Thaçi ka qenë kryeministër dhe kryetar në kohëra historike. Sa i përket marrëdhënieve me SHBA-në: ato nuk varen nga personeli udhëheqës politik. Ato janë një lidhje e veçantë, që na mbajnë bashkë. Ne nuk e harrojmë rolin e amerikanëve në Kosovë në vitet 90-të”.

Sipas Osmanit, për aq kohë sa Serbia destabilizon rajonin, prania e SHBA-së dhe ndërkombëtare është e domosdoshme në rajon.