2 perditesime
21:22

Mushkolaj: Nuk bën të ketë asociacion njëetnik në shoqëri shumëetnike

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses dhe profesoresha e juridikut, Gjyljeta Mushkolaj, vlerëson se Kosova nuk guxon të lejojë krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, të tillë çfarë po e kërkon Serbia.

Ajo në emisionin Desku në KTV, tha se Kushtetuta e vendit nuk lejon asociacione njëetnike në një shoqëri shumëetnike.

“Ne kemi mundësi ta korrigjojmë situatën në të cilën gjendemi, duke u nisur nga ajo se a është BE-ja e gatshme që të merret me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, sidomos sa i përket ndërtimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo që për mua do të jetë e rëndësishme është fakti se Gjykata Kushtetuese duhet domosdo të niset nga dispozitat themelore. Shteti jonë është i përcaktuar si shtet i një shoqërie shumëetnike, kjo do të thotë se nuk guxon asnjëherë, në asnjë rast, asnjë lloj organizimi brenda Republikës së Kosovës të jetë monoetnik, sepse shoqëria është shumëetnike”, ka thënë njohësja e së drejtës kushtetuese.

Sipas saj, statuti i asociacionit duhet të bëhet bazuar në Kushtetutën e vendit.

“Duke u bazuar në këtë, do të duhej të ndërtohej statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe e dyta, për çka është më e shqetësuar BE-ja, tash vetë ajo nuk është e gatshme që të merret më një çështje kaq serioze. Pse? Kosova është përballë zgjedhjeve komunale, zgjedhjet komunale janë determinuese për ndërtimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse pa kryetarë të komunave mundeni me marrë me mend, nuk guxon t'iu imponohet një gjë e tillë”, ka thënë ajo.

20:57

Shasha: Dialogu ka pasur momente të rrezikshme, rreziku vazhdon të jetë prezent

Demush Shasha nga Instituti EPIK ka thënë se në të kaluarën dialogu ka pasur momente të rrezikshme të cilat e kanë dëmtuar Kosovën.

Sipas tij, ideja e shkëmbimit të territoreve dhe fushata e Serbisë për çnjohje janë dy ide të rrezikshme të prodhuara nga dialogu.

Shasha ka thënë se këta janë tregues që dialogu ka dalë nga binarët.

“Duke shikuar nga e ardhmja dialogu mund të jetë i rrezikshëm sepse jemi në një moment unik sa i përket dialogut. Është i veçantë sepse për herë të parë kemi rrethana që japin shpresë për një sukses në kuadër të këtij procesi. Në të dyja anët e kufirit kemi mazhorancat që janë të afta politikisht dhe në anën tjetër i përmbushin kërkesat kushtetuese që kërkojnë ratifikimin e një marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas tij, duke reflektuar mbi përvojën sfiduese nën presidencën Trump, tashmë ka një bashkëpunim shumë të mirë mes BE-së dhe SHBA-së lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Shasha ka shtuar se rreziku është që nuk po shfrytëzohen rrethanat inkurajuese për dialogun.

“Duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës. Momentin që marrim obligime ndërkombëtare duhet të sigurohemi që kemi mbështetje të gjerë për vendimet që i marrim”, ka thënë ai.

20:34

Palokaj: Nuk shoh hapësirë për arritjen e marrëveshjes së shpejti, mungon ambicia e BE-së

Pak është kuptuar rreth bisedimeve të së martës në Bruksel mes emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe palës kosovare të udhëhequr nga zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin.

Korrespodenti i KOHËS Augustin Palokaj ka thënë se nuk ka pasur hollësi e as deklarime për media pas takimit disa-orësh. Megjithatë, ka shtuar se pala kosovare ka sqaruar se si e sheh dialogun përgjatë viteve, për çka tha se BE-ja ka qenë e interesuar ta dëgjojë një version të tillë.

“Delegacioni i Kosovës në mënyrë të hollësishme ka raportuar atë si e sheh gjithë atë që ka ndodhur në dialog në të kaluarën, marrëveshjet që janë zbatuar, por edhe për shumë marrëveshje që pala kosovare mendon që Serbia nuk i ka zbatuar. Duket se dhe zyrtarët e BE-së, Lajçak dhe ekipi i tij kanë dashur të dëgjojnë në hollësi palën kosovare pasi siç shihet nga ndryshimet në qeverinë e Kosovës ka ardhur edhe tek ndryshimi në qasje i Kosovës në këtë dialog”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Palokaj ka thënë se nuk sheh shumë mundësi që së shpejti të arrihet një marrëveshje.

“Nuk shoh shumë hapësirë për arritjen e ndonjë marrëveshje së shpejti. Mungon edhe një ambicie e BE-së sepse BE nuk po prononcohet se çka kërkon nga dialogu në një afat të shkurtër pos që përsërisin se synimi është një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Ai ka thënë se sa i përket zbatimit të pikës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Serbisë ia ka dhënë mbështetjen BE-ja.

“Sa i përket kërkesës së Serbisë për të zbatuar pjesën e marrëveshjes për themelimin e asociacionit, duket se Serbia e ka mbështetjen e BE-së, por këtu parashtrohet pyetja edhe nëse pala kosovare dëshiron ta zbatojë atë, në bazë të Kushtetutës apo siç do Serbia”, tha ai.