3 perditesime
20:23

Varroset babai i Kadri Veselit

Fitim Majkovci

Babai i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, është varrosur mbrëmjen e së mërkurës.

Familjarë e figura të politikës kanë marrë pjesë në varrim, mirëpo Kadri Veseli nuk ka mundur të jetë i pranishëm për shkak se gjendet në Hagë pas ngritjes së akuzës nga Gjykata Speciale.

Pas varrimit, bashkëpartiakët e Veselit kanë folur para mediave.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se mbrojtja e ish-kryekuvendarit Kadri Veselit është duke punuar që të sigurojnë leje për ardhjen e Veselit në Kosovë gjatë ditëve të ardhshme. Derisa ka shtuar se mungesa e tij në ceremoninë e varrimit padyshim që është e dhimbshme.

Deputeti Abelard Tahiri ka thënë se vdekja e Fazli Veselit është një humbje e madhe duke pasur parasysh veprimtarinë dhe atdhedashurinë që Veseli ka pasur për vendin.

16:42

Familja s’pret që Kadri Veseli të marrë pjesë në varrimin e babait

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli nuk pritet që të jetë pjesëmarrës në ceremoninë e varrimit të babait të tij, që vdiq të mërkurën. Veseli, i cili gjendet në Hagë, pas ngritjes së akuzës nga Gjykata Speciale, ka porositur familjen që t’i kryejë të gjitha procedurat, duke paralajmëruar se s’do të mund të jetë në Kosovë për këtë ceremoni, ka thënë për mediat vëllai i tij, Ismeti.

“Nuk është bash lehtë pa praninë e Kadriut po ne e kemi një të kaluar... pak kemi sprova... mundemi me thënë që jemi të sprovuar. Edhe këtë po e përjetojmë normal. Në mëngjes e kemi lajmëruar vëllain, përmes shoqes e kemi lajmëruar, menjëherë pas një ore na u ka lajmëruar vëllai. Fjalët e tij kanë qenë ‘ngushëllime’ dhe ‘kryeni procedurat qysh i kemi, njerëzore, kombëtare e fetare ato kryejini ju’. E ato janë punë të gjyqit atje ne s’kemi kurrgjë atje. Tjera fjalë s’kemi veç kryejini procedurat qysh shkojnë. Jemi të liruar prej tij. Qysh në fillim ai ka shpreh dëshirën që me i kry procedurat njerëzore e fetare ashtu qysh i kemi. Ato janë punë të Hagës atje, tjera fjalë s’kemi”, ka thënë Ismet Veseli.

13:28

Babai i Veselit varroset sot

Familja Veseli ka hapur dyert për ngushëllime pas vdekjes së Fazli Veselit, babait të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Ai ka vdekur sot, siç është bërë e ditur në orët e para të mëngjesit ndërkaq do të varroset në orën 19:00.

Ende nuk dihet nëse Kadri Veseli do të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

09:50

Vdes babai i Kadri Veselit

Babai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vdekur sot.

Lajmi është konfirmuar nga anëtari i PDK-së, Donjet Bislimi.

“Ishe Hero sepse rrite heroin tonë të gjallë, Prehu në paqe Baci Fazli”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Veselit i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale për krime lufte dhe i njëjti është duke u mbajtur në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. Në fillim të majit, pikërisht për shkak të babait të tij, Veseli është lejuar që të vijë në Kosovë ta vizitojë.Ngushëllime ka shprehur edhe ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

“I paska mbyllur sytë përjetësisht babai i Kadrisë, Fazli Veseli! Herën e fundit kur e takova, pak ditë pasi Kadriu ishte nisur për në Hagë, ma shtrëngoi dorën në shtëpinë e tij në Mitrovicë, ishte besimplotë dhe i palëkundur se Kosova do të bëhet. Ishte ai që me fjalët e tij na motivoi ne se duhet të mbledhim forcat dhe dhimbjen ta kthejmë në energji për të vazhduar punën e kryetarit Veseli në shtetndërtimin e Kosovës. Një baba shembull që i edukoi të gjithë fëmijët e tij me ndjenjën e përhershme të atdhedashurisë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, thuhet në njoftim.