1 perditesime
23:01

Bunjaku-Rexhepi: Nuk pres asnjë rezultat në dialog me Kurtin kryeministër

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se me Kurtin kryeministër, nuk pret asnjë rezultat në dialogun Kosovë-Serbi.

Bunjaku-Rexhepi ka deklaruar se kryeministri Kurti do ta neglizhojë dialogun dhe do të përfitojë në kohë.

“Nuk pres absolutisht asnjë rezultat mes Serbisë dhe Kosovës me Kurtin kryeministër. Unë pres veç neglizhim, përfitim në kohë të Kurtit dhe ai dhe Qeveria Kurti II as nuk duan dhe as nuk dinë”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas saj, Kurti po tregohet arrogante ndaj opozitës dhe aleatëve ndërkombëtarë.

Duke folur për marrëveshjen e Washingotnit, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se çdo marrëveshje që është në bashkëpunim me SHBA-në, duhet të zbatohet.

“Secila marrëveshje që është në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të zbatohet. Historikisht, ne kemi qenë të lidhur ngushtë me SHBA-në dhe falë tyre jemi këtu ku jemi, jemi një shtet i pavarur dhe sovran. Kurti është po i njëjti që ka refuzuar edhe Pakon e Ahtisaarit edhe Rambujenë, edhe ka organizuar protesta ku humbën jetën dy të rinj dhe tani ai është duke e zbatuar Pakon e Ahtisaarit dhe Marrëveshjen e Rambujesë dhe të gjitha këto janë vetëm retorikë e Kurtit, asgjë nuk është në realitet”, është shprehur ajo.

22:57

Bunjaku e vlerëson sjelljen e Kurtit ndaj opozitës si “jashtëzakonisht të keqe”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për arrogancë ndaj opozitës.

Në Interaktiv të KTV-së, ajo ka thënë se Kurti po aktron gjatë fjalimeve të tij para qytetarëve dhe se po fyen opozitën në Kuvend.

“Sjellja e Kurtit është jashtëzakonisht e keqe karshi opozitës dhe qytetarëve. Jemi të vetëdijshëm që Kurtin e kanë votuar më shumë se 50 për qind të qytetarëve sepse kanë besuar në VV-në dhe Kurtin, por këtë besim të qytetarëve Kurti është duke ua kthyer bumerang. Kurti po harron që opozita është aty që të kritikoj dhe të parashtrojë pyetje sepse opozita përfaqëson gjysmën tjetër të qytetarëve”, ka thënë ajo.

Bunjaku-Rexhepi duke folur për seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kryeministri duhet të jetë i pranishëm në çdo debat që thirret e se nga kjo Kurti po ikë, ka thënë ajo.

“Ishte në fillim të seancës, doli dhe aktroi para mikrofonit në Kuvend si zakonisht me atë retorikën e tij boshe, me populizëm e ofendoi opozitën dhe e lëshoi seancën”.

“Kurti po e fyen gjithë opozitën, me fjalimet e tij gjithmonë aktron dhe nuk thotë diçka çka është e vërtetë. Ka thënë se dialogu do jetë në pikën e 6-7 pastaj kaloi në të katërtën dhe tash u bë prioritet”, shtoi tutje ajo.

Ndër fyerjet që ajo vlerësoi se iu bë opozitës nga kryeministri, tha se ishte deklarata e tij se opozita duhet të pushoj me mbrojtjen e SHBA-së prej tij, madje duke i quajtur “qesharakë”.

“Kjo është fyerje ndaj të gjithë qytetarëve sepse Kurti nuk ka aq fuqi sa Kurti të ketë ndikim në SHBA. Kurti po i bën dëm Republikës sonë por besoj se do të ndërhyjë SHBA-ja por edhe ne si opozitë do ta ndalojmë”, përfundoi ajo.