Arbëri

Investitorë privatë të interesuar për ndërtimin e hekurudhës Shqipëri-Kosovë

 

Njëri prej projektligjeve të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë është ai për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor, e për të cilin vlerësohet se hap mundësinë e investimit për lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Kosovën. Studimet kanë treguar se hekurudha Milot - Morinë ka një gjatësi prej 108 kilometrash dhe kushton afro 500 milionë euro. Qëllimi strategjik i Kosovës është të ketë pikë referimi portin e Durrësit dhe të jetë ekonomikisht e pavarur nga portet e tjera në rajon, si të Tivarit në Mal të Zi dhe Selanikut në Greqi. Ky projekt ka nxitur edhe interesimin e kompanive të njohura ndërkombëtare

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në fund të legjislaturës së nëntë disa projektligje, përfshirë edhe katër projektligje, pjesë e paketës ligjore për transportin hekurudhor në Shqipëri. Njëri prej projektligjeve, ai për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor hap mundësinë e investimit për lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Kosovën.

“Krijimi i organeve rregullatore hekurudhore do të bëjë të mundur rritjen e iniciativave të subjekteve private të vendit dhe të atyre të huaja për të marrë pjesë me investime në këtë treg. Me këtë ndërhyrje në legjislacion, Qeveria e Shqipërisë krijon mjedisin që sektori hekurudhor shqiptar të përfshihet në hartën e investimeve që do të bëjë BE-ja për korridoret hekurudhore, përfshirë edhe hekurudhën që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën. Me mbështetjen financiare të BE-së është realizuar studimi i fizibilitetit i të gjithë rrjetit hekurudhor shqiptar, dhe lidhjet e reja me vendet kufitare të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe një projekt studim-ide për lidhjen hekurudhore me Kosovën krahas lidhjes ekzistuese me Malin e Zi janë bërë projektet e rikonstruksion/ndërtimit të shumë segmenteve të tjera, si dhe shumë shpejt do të fillojë rikonstruksioni i linjës Durrës-Tiranë në lidhje me aeroportin ndërkombëtar të Tiranës”, ka theksuar Etjen Xhafaj, ish- zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, i dorëhequr ditët e fundit nga detyra, pasi ka marrë mandatin e deputetit dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.