3 perditesime
23:30

PDK-ja pretendon se e ka kandidatin më serioz për Prishtinën

Sekretari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se PDK-ja e ka kandidatin më serioz për Prishtinën në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Sipas tij, PDK-ja asnjëherë më parë nuk e ka trajtuar Prishtinën më seriozisht, sesa për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke garuar me ish-ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli.

“Kemi kandidatin më të mirë në Prishtinë. Ai përfaqëson diçka më shumë se PDK-ja, ai ka dyfishuar edhe PDK-në prej që ka ardhur në drejtim të Degës në Prishtinë. Nga partitë që kanë garuar deri më tani i ka rivalët e dobët. Kurrë më seriozisht nuk e kemi trajtuar Prishtinën. Nëse e fitojmë Prishtinën kemi mundësinë që të bëjmë Prishtinën e mirë siç e kemi bërë Prizrenin e Ferizajin”, ka thënë Gjoshi.

Ai ka folur edhe për gjasat e PDK-së në zgjedhjet komunale duke thënë se synon t’i mbajë pesë komunat në të cilat udhëheq aktualisht, dhe po ashtu t’i rikthejë edhe disa komuna të tjera.

“Kësaj radhe kemi gjasë goxha të madhe, e para është një klimë më e mirë karshi PDK-së, kandidatët e PDK-së janë të dallueshëm prej të tjerëve. Janë 5 komunat në të cilat e kemi pushtetit, në të cilat i kemi gjasat e mëdha. Tentojmë të rikthejmë shumë komuna, Mitrovicën, Vushtrrinë, Klimën Malishevën, Rahovecin, Kamenicën dhe jemi në garë edhe në Prishtinë”, është shprehur Gjoshi në “Interaktiv” të KTV-së.

Gjoshi e ka quajtur kandidatin e VV-së për Prishtinën, Arben Vitinë, një njeri frikacak dhe vegël të Albin Kurtit.

23:20

Sipas Gjoshit, LDK-ja po kalkulon për të mos e çuar Osmanin në Kushtetuese

Betim Gjoshi, sekretar në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se kjo parti e ka bërë gati dosjen kundër presidentes Vjosa Osmani për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin e saj për shkarkimin e Valdete Dakës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Megjithatë, sipas tij kjo ka ngecur për shkak të hezitimit që Lidhja Demokratike e Kosovës të dorëzojë nënshkrimet. Ai ka thënë se kjo mund të jetë për shkak të “kalkulimeve të LDK-së”.

“Është hartuar kjo lëndë për Kushtetuese dhe kemi besimin e plotë siç kemi fituar dy raste në Kushtetuese ndaj Qeverisë Kurti 1. Ka hezitime nga LDK-ja konkretisht. Po presim të reflektojnë ose të marrim ndonjë nënshkrim individual. Janë pjesë e opozitës s’duam t’i dëmtojmë, por mund të kalkulojnë ndoshta votat e përkrahësve të Vjosa Osmanit në zgjedhje lokale apo ndoshta kanë marrëveshje, ata madje edhe e kanë votuar Vjosa Osmanin. Ndoshta i frikësohen zgjedhjeve...”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Gjoshi ka thënë se me vonesat për të kompletuar përbërjen e KQZ-së dhe dërgimin e rastit në Gjykatë Kushtetuese për interpretim nga Osmani, presidentja “është bërë notere e kryeministrit Albin Kurti”.

Ai ka kërkuar që Osmani sa më shpejt të kompletojë përbërjen e re të KQZ-së duke ia mundësuar PDK-së anëtarin e dytë.

“Çdo vonesë rrezikon procesin zgjedhor dhe përgjegjësi i vetëm është Vjosa Osmani. Kurti do të përballet me gjykimin e publikut, por personi përgjegjës do të jetë Osmani”, ka thënë tutje ai.

23:12

Gjoshi: Kurti po shqetësohet nga forcimi i PDK-së

Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kryeministri Albin Kurti është duke u shqetësuar pas zgjedhjes së Memli Krasniqit në krye të kësaj partie.

Gjoshi në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së u shpreh se arsyeja pse Kurti e uroi ndër të parët Krasniqin për postin e kryetarit të PDK-së ka qenë, sipas tij, ‘’shqetësimi’’ se po vjen një politikan më i mirë se ai.

‘’Kjo Qeveri po e çon Kosovën në rrugën e gabuar. Qytetarët e kanë kuptuar se Kosova zhvillohet vetëm me PDK-në. Do të jenë fytyra të reja në strukturën e PDK-së. Kryetari do ta krijojë grupin e qeverisjes së mirë dhe do ta forcojë aktivizimin e deputetëve në Kuvend. Të vetmit që duhet të shqetësohen janë Kurti dhe ministrat e tij sepse opozita, veçanërisht PDK-ja, po forcohet. Kurti është shqetësuar se një djalë i ri, politikan i mirë është rivali i tij politik, prandaj e ka uruar ndër të parët Krasniqin’’, deklaroi Gjoshi.

Gjoshi tutje theksoi se ka pëlqyeshmëri nga shumica e anëtarëve të PDK-së për programin e Krasniqit, megjithatë nuk përjashtoi ndonjë pakënaqësi të mundshme.

Ndryshe, sekretari në detyrë i PDK-së bëri të ditur se Kryesia e kësaj partie do të jetë me emra të rinj, ndërsa ndryshime do të bëhen edhe në Këshillin Drejtues.

23:03

Gjoshi: Memli Krasniqi do ta mundë Albin Kurtin kurdo që mbahen zgjedhjet

Sekretari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se Memli Krasniqi është rival i Albin Kurtit dhe se ai do ta mposhtë Kurtin kurdo që të mbahen zgjedhje.

Duke folur për Konventën zgjedhore të 3 korrikut të PDK-së, Gjoshi ka thënë se në parti nuk ka pasur garë me njëri-tjetrin por ka pasur garë se kush do ta mundë siç ka thënë, qeverisjen aktuale totalitare-autokratike.

“Memli Krasniqi është një njohës i mirë edhe i PDK-së edhe i skenës politike në Kosovë. Unë besoj që ai do të krijojë një ekip të mirë. Ne nuk e kemi garën me njëri-tjetrin brenda partisë por garën se cili do të jetë ai që do ta mundë këtë qeveri totalitare-autokratike. Memli Krasniqi është rival i Albin Kurtit dhe ai do ta mposhtë Albin Kurtin kurdo që mbahen zgjedhje”, ka thënë Gjoshi në "Interaktiv" të KTV-së.

Ai ka përmendur edhe rikthimin e Vlora Çitakut në PDK, duke thënë se ajo do të jetë krahu i djathtë i kryetarit të ri të partisë dhe se do të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e PDK-së.