1 perditesime
Arbëri

S’ka termine më për sot, mbyllet qendra e vaksinimit në Prishtinë

S’ka termine më për sot, mbyllet qendra e vaksinimit në Prishtinë
Foto: Arkiv/Ilustrim
15:09

S’ka termine më për sot, mbyllet qendra e vaksinimit në Prishtinë

Në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë të shtunën ka vazhduar vaksinimi i qytetarëve me dozat e dyta sipas termineve të përcaktuara më herët. Të tjerë qytetarë janë parë më pak.

KOHA ka qëndruar te salla ku i është thënë se qendra është mbyllur në orën 13:00 për shkak se nuk ka pasur më termine për sot.

Koordinatori i qendrës “1 Tetori”, Niman Bardhi, ka thënë se të shtunën dhe të dielën do të vaksinohen qytetarët që kanë pasur t’i marrin dozat e dyta. Sipas tij, në 10:48 ka qenë termini i fundit.

Bardhi është arsyetuar se ndërrimi i parë i infermierëve ka pritur deri në orën 13:00 për të tjerë qytetarë e pas kësaj ore kanë shkuar.

KOHA ka vazhduar të qëndrojë aty dhe ka parë qytetarë të cilët kanë shkuar për t’u vaksinuar por të njëjtit janë kthyer prapa, pasi nuk ka qenë i pranishëm stafi mjekësor pas orës 13:00.

Ditët e fundit, kosovarët kanë hezituar të vaksinohen me vaksinën e AstraZenecas. Për shkak të këtij hezitimi, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se që nga java e ardhshme qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin vaksinën që duan. Aktualisht në Kosovë janë dy lloje të vaksinave, Pfizer dhe AstraZeneca.

14:13

Në mesditë, asnjë qytetar për vaksinim në “1 Tetori”

Asnjë qytetar nuk është parë mesditën e së shtunës në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë. Siç raporton KosovaPress, përveç punonjësve shëndetësorë në këtë qendër në mesditë s’është parë as edhe një qytetar duke pritur për vaksinim kundër COVID-19.

Ditëve të fundit është raportuar vazhdimisht për hezitimin e qytetarëve që të marrin vaksinën “AstraZeneca”, që është e cila po jepet si dozë e parë për qytetarët.

KOHA ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të kësaj qendre, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit deri tash janë dhënë 250 mijë e 658 doza të vaksinave anti-COVID. 63 mijë qytetarë kanë marrë të dy dozat.

Kosova është furnizuar vetëm me vaksinat “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, që kanë miratimin nga autoritetet evropiane e amerikane.

Nga 15 qershori ka nisur procesi i vaksinimit masiv, por që deri tash shifrat kanë ngelur larg paralajmërimeve.

Pas hezitimit të qytetarëve për të marrë vaksinën e “AstraZenecas”, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga java e ardhshme qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin vaksinën që duan.