2 perditesime
15:17

Mehaj nga Srebrenica: Bota nuk duhet të heshtë për këto krime

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ishte i pranishëm në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë me rastin e 26 vjetorit të masakrës atje, si përfaqësues shtetëror i Kosovës, bashkë me anëtarë të tjerë të kabinetit qeverisës. 

Mehaj ka thënë më këtë rast se krimet e luftës nuk vjetërohen dhe se bota nuk duhet të hesht për këto krime.

Sipas tij, vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serbë të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen.

“Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës. Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen. Sepse, siç thotë ish- zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt, "Nuk është e mjaftueshme për të folur për paqen. Duhet besuar në të. Dhe nuk është e mjaftueshme për të besuar në të. Duhet punuar për të.” Dhe duhet punuar për paqen, sepse ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme. Ia kemi borxh ndërgjegjes sonë që thirret pa pushim nga viktimat e pafajshme”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

11:54

Osmani: Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se aktet barbare si në Srebrenicë duhet të marrin gjykimin e drejtësisë por edhe të historisë.

Osmani përmes një shkrimi në Facebook ka deklaruar se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

“Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit. Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të të vrarëve atëkohë (bashkë me mbi 8 mijë boshnjakë të tjerë) sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes! Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten. Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës. Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim”, ka shkruar Osmani.

Osmani përmendi votimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë që u votua në Kuvendin e Kosovës, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

08:57

Kurti në 26-vjetorin e Srebrenicës: Themeli i paqes në Ballkan është ndëshkimi i kriminelëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës në Bosnjë.

Kurti përmes një statusi në Facebook thotë se duan paqe dhe barazi mes kombeve në Ballkan, por që themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve.

“Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve. I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale”, ka shkruar Kurti.

Kurti kujtoi edhe votimin e rezolutës në Kuvendin e Kosovës me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë.

“Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore. Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date. Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës: ‘Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.’ Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë: ‘Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor’ ”, shkruan tutje kryeministri i Kosovës.