Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq dhe e kthyera në Gjakovë, Dragica Gashiq
Zyrtarët serbë po bëjnë politikë me rastin e Dragica Gashiqit, e cila mes kundërshtimeve vendosi të kthehej në Gjakovë. Gjatë vizitës në Kosovë, drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se rastin e Gashiqit e ka ngritur edhe në takimet e fundit në Bruksel. Të martën ka reaguar edhe Ambasada amerikane, e cila ka kërkuar kushte për kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre
Serbia e ka bërë agjendë të takimeve në Bruksel edhe rastin e Dragica Gashiqit, kthimi i së cilës në Gjakovë nxiti pakënaqësi të mëdha. Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, ku nuk munguan as mesazhet politike kundër shtetit dhe zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vizituar të martën Gashiqin. Sipas tij, nuk mund të ketë normalizim nëse pengohet kthimi i të zhvendosurve.
“Mesazhet që dërgohen si në rastin e Dragica Gashiqit janë mesazhe të frikësimit të personave të zhvendosur brenda vendit. Ne kemi marrë një vendim për të ndihmuar financiarisht, për pajisje shtesë të banesës, për të siguruar kushte, dhe shteti i Serbisë do të ndihmojë gjithçka që mundet, kryesisht në aspektin e sigurisë, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Petkoviq.
Ndërkaq Gashiq, e cila po sigurohet nga Policia e Kosovës, ka thënë se nuk do të largohet nga Kosova.
“Policia është para derës sime ditë e natë, ata po më sigurojnë. Ata vërtet po më ruajnë, nuk kam asnjë vërejtje ndaj tyre. Dhe qytetarët në pesë ditët e fundit kanë ndaluar të më sulmojnë. Nuk e di çfarë do të ndodhë më tej. Unë do të vazhdoj të qëndroj në banesën time”, ka theksuar ajo.
Të martën ka reaguar edhe Ambasada amerikane duke thënë se viktimat meritojnë drejtësinë dhe personat e zhvendosur të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
“Ministra dhe kryetarë të komunave - ju lutem lini mënjanë politikën dhe bashkëpunoni për të siguruar që të gjithë kosovarët të gëzojnë paqe dhe siguri, pa ngacmime dhe frikësime. Kosova ka sukses kur respektohet sundimi i ligjit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Me reagime e pakënaqësi të mëdha është kundërshtuar kthimi i shtetases serbe në Gjakovë. Familjarë të të zhdukurve dhe organizata të shoqërisë civile kanë akuzuar kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, se ia ka mundësuar Dragica Gashiqit që të kthehet në pronë të Komunës.
Por Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme” ndaj Dragica Gashiqit, e cila në fillim të qershorit u bë serbja e parë që u kthye në këtë komunë.
Por ajo e ka lëshuar banesën në Gjakovë më 30 qershor, me arsyen se nuk ndihej e sigurt dhe u zhvendos tek familjarët e saj në Krushevë të Madhe të Komunës së Klinës. Dyshohet se Dragica Gashiq është e padëshirueshme në Gjakovë për shkak se para luftës ka punuar në policinë serbe. Por ajo e ka mohuar këtë duke thënë se nuk i ka bërë keq askujt dhe se në polici ka punuar vetëm si pastruese.
Gjatë luftës së fundit në Gjakovë janë vrarë më shumë se një mijë civilë shqiptarë, disa prej tyre ende janë të zhdukur.