4 perditesime
21:03

Peci akuzon PDK-në se qëndron prapa përçarjes së degës në Ferizaj

Faton Peci nga Lista “Guxo” ka thënë se Komuna e Ferizajt vazhdon të jetë një ndër komunat më të konsoliduara nga kjo listë.

Atje ka thënë se ka një shtab prej 70 anëtarësh, ku prej tyre disa individë kanë pasur idenë se duhet shkuar ndaras.

Sipas tij, prej 70 anëtaresh të shtabit, në mbledhjen që është vendosur të garohet e vetme kanë qenë 20 anëtarë dhe shumica prej tyre nuk kanë ditur se çka po votohet.

“Ka edhe asamblistë që janë distancuar që të shkohet ndaras. Kjo është manipulim. Ne kemi aplikuar si iniciativë qytetare në Ferizaj edhe për shkak të mënyrës se si kanë reaguar ata. Ne nuk lejojmë që askush të na marrë këtë pjesë të brendit që ne e kemi krijuar vet. Shumica e përkrahësve në këtë komunë na mbështesin neve. Dy deputetë tanë të Ferizajt i kanë mbuluar të gjitha shpenzimet për atë komunë, e pastaj kur kemi shkuar ne në zyrë, është ndërruar cilindri i derës në mënyrë që të mund të mos hyjmë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nuk mund të merret slogani e as logoja e partisë.

Peci ka thënë se dikush në prapavijë po vepron për ta përçarë Listën Guxo, për të mundësuar mbajtjen e pushtetit apo për të pamundësuar ndërrimin e pushtetit.

Ai ka hedhur dyshimet në PDK-në pasi thotë se “për koincidencë këto ditë ndodhen edhe projektet siç është edhe nënkalimi për bashkimin e qytetit në Ferizaj”.


Peci: Dikush që thirret në rugovizëm ta ketë parasysh çka proklamoi Rugova, ai nuk përjashtoi askënd nga partia

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili është anëtar i Listës Guxo, ka thënë se anëtarë të kësaj iniciative që dikur ishin pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të rikthehen aty.

Synim i Listës, ai thotë se është konsolidimi në subjekt politik, duke mos lënë mundësi për kthim në LDK, pasi ditë më parë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhikut, tha se “të larguarit nga kjo parti, do të rikthehen” në shtëpinë e tyre.

“Ka qenë shtëpia jonë, por ka ardhur një momentum që përkundër interesimit tonë për reformë ka pasur një rezistencë karshi ideve tona. E kemi paralajmëruar për rrezikun që po i kanoset por nuk na kanë dëgjuar”, ka thënë ai.

Peci ka shtuar se problemet në LDK janë të shtresuara prej vitesh në shumë aspekte, ndërsa kur u pyet në Deskun e KOHËS nëse LDK-ja po e keqpërdor emrin e Ibrahim Rugovës, ai tha se Rugova nuk ka përjashtuar asnjë anëtar nga partia e se kjo nuk është fryma rugoviane me të cilën proklamohen.

“Shumëkush thirret në rugovizëm por nuk e ka idenë më të vogël se çfarë përfaqëson rugovizmi. Nëse pretendon dikush se është rugovist duhet ta ketë parasysh çka Rugova ka proklamuar në aspektin e partneritetit, nëse flasim për rugovizmin si frymë dhe tolerancë e organizmit brendapartiak, Rugova asnjëherë nuk e ka përjashtuar asnjë anëtar nga LDK-ja”, përfundoi ai.

20:58

Peci: Partneriteti me VV-në storie suksesi, s’ka arsye të mos shkohet në zgjedhje bashkë

Ministri i Bujqësisë dhe zyrtari i Listës Guxo, Faton Peci, thotë se nuk ka asnjë arsye që në zgjedhjet lokale të tetorit të mos shkohet sërish në koalicion me Vetëvendosjen.

Peci në një intervistë në Deskun e KOHËS, tha se ky bashkëpunim është treguar i suksesshëm në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, e i tillë do të tregohet edhe në nivel lokal.

Peci foli për këtë pasi degët në Ferizaj, Gjakovë e Istog shprehën pakënaqësi që të shkohet në zgjedhje lokale me VV-në.

“Kur e kemi nënshkruar marrëveshjen me VV-në, njihet si Marrëveshja e parimeve, jemi dakorduar për partneritet për këtë mandat. Këtë partneritet frytdhënës, mendojmë ta jetësojmë edhe në zgjedhjet lokale. Ka disa zëra, i respektoj bindjet e të gjithëve. Ne kemi hyrë në një raport kontraktual edhe me qytetarin duke qenë pjesë e listës së VV-së, nuk mundemi tash pas disa muajve të themi se nuk duam të jemi pjesë e saj. Nëse ky partneritet ka qenë storie suksesi në nivel qendror, pse të mos e transferojmë edhe në nivel lokal”, tha Peci.

20:53

Peci: Më 2012 filloi abuzimi i madh në Ministrinë e Bujqësisë, pati interferim në auditim

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, vlerëson se menaxhimi dhjetë vjetët e fundit në këtë dikaster ka qenë tepër i dobët. Sipas tij, bëhet fjalë për abuzime, ndërsa shton se kjo ministri është degraduar qysh nga viti 2012.

Ai ka thënë se ministrat e kaluar kanë premtuar ndarjen e shumave për subvencione derisa nuk ka pasur buxhet për to.

“Në Ministrinë e Bujqësisë degradimi në masë të madhe ka filluar qysh në 2012, madje ka pasur interferim, në bazë të informacioneve që kam unë edhe në aspektin e auditimit sepse një draft auditim i 2012-s është ndalë dhe nuk është bë publik. Aty ka filluar abuzimi i madh dhe i skajshëm i menaxhimit të këtij institucioni”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Peci ka thënë se tjetër keqmenaxhim ka ndodhur me ndarjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë nga Ministria e Bujqësisë. Ka shtuar se nuk ka gjetur askund arsyeshmëri pse një veprim i tillë është marrë më 2011.

“Përveç kësaj, është bashkangjitur një ndarje, bëhet fjalë për AUV që në 2011 është shkëputur nga Ministria e Bujqësisë dhe është dërguar në Zyrën e Kryeministrit, unë kam kërkuar por askund nuk ka arsyeshmëri pse ka ndodhë ky veprim. Në kuadër të vlerësimit për sektorin, kam komunikuar me kryeministrin dhe kam shpalosur pikëpamjet e mia që AUV duhet të kthehet në ministri”.

20:33

Peci shpjegon një rast ryshfeti: Fermerit ia morën 120 mijë euro për t’ia dhënë 50 mijë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se janë në prag të pranimit të raportit të dytë nga auditori, i cili do të jetë raport i kualifikuar e që pastaj mund të ndahen me organet e rendit.

Ai ka thënë se arrestimet e fundit në AZHB i she si veprim të duhur nga organet e rendit në mënyrë që të luftohet korrupsioni.

Ai ka thënë se në dy raste janë marrë 250 mijë euro.

“Vetëm në një rast fermeri është dashur të jetë përfitues i 172 mijë eurove ndërsa zyrtarët ia kanë marrë ryshfet 120 mijë euro, për me ia nda 50 mijë euro fermerit”, ka thënë ai.

Peci ka shtuar se Prokuroria ka njoftuar se posedojnë fakte dhe argumente për keqpërdorim të pozitës.

“Pretendimet e Prokurorisë vetëm në arrestimet e fundit flasin për një shifër prej 1 milion euro që janë keqpërdorur nga zyrtarët. Këto raste e vështirësojnë ndarjen e subvencioneve. Ne kemi hyrë në një verifikim të lëndëve për shkak të ngjarjeve të fundit. Vetëm gjatë javës së kaluar dhe këto dy ditë janë ekzekutuara pagesa për 1554 fermerë në vlerë prej 1.5 milionë euro. 3700 ka qenë pritja”, ka thënë ai.

Procesin e riverifikimit ai ka thënë se task-forca do ta kryej nga nesër.

20:24

Peci: Në Ministrinë e Bujqësisë gjendja është alarmante, qeveritë e kaluara e futen 40 mln borxh

Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e ka vlerësuar si alarmante gjendjen ë këtë sektor.

Peci në një intervistë në emisionin Desku në KTV, tha se me të marrë drejtimin e ministrisë ka hasur në keqmenaxhim, e borxhe pa fund.

“Borxhi që qeveritë e ministrat e kaluar ia kanë lënë ministrisë është rreth 40 milionë euro. Janë borxhe ndaj fermerëve. Është e paprecedent mënyra se si qeveritë e kanë futur në borxhe të vazhdueshme”, ka thënë ai.

Peci ka folur edhe për arrestimet e fundit në Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë. Thotë se projektet kanë shkuar përmes një sistemi teknologjik që është më i dobëti dhe më lehtë i manipulueshëm nga të gjitha institucionet. Sipas tij, përmes këtij sistemi ndahen në vit apo edhe mund të keqpërdoren, 50 milionë euro grante e subvencione.

“Se sa është i dobët tregon fakti se qeveritë e kaluara kanë investuar vetëm 3.700 euro në të”, tha Peci.

Ai foli edhe për mungesë të ligjeve, të politikave zhvillimore e të tjera.

“Për 9 vite ky institucion nuk e ka sponsorizuar asnjë ligj, ka mungesë të politikave, nuk ka strategji për tetë vite”, tha ai.