3 perditesime
16:32

Qeveria ndan 4 milionë euro për blerje librash e 4.5 milionë tjera për dronë

Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për Ministrinë e Arsimit për blerje të librave si dhe ka marrë vendim edhe për ndarjen e 4.5 milionë euro për blerje të dronëve, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes.

16:21

Qeveria miraton pakon për ringjallje ekonomike

Është miratuar në mbledhjen e Qeverisë, pakoja për ringjallje ekonomike. Në fjalimin e tij para kabinetit qeveritar, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se shuma e kësaj pakoje është 420 milionë euro.

Ai ka thënë se në të hyjnë edhe bonot e diasporës.

Sipas pakos, do të mbështetet punësimi, do të ketë mbështetje për familjet, investime në infrastrukturë e ambient.

16:12

Hoti emërohet kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime për të zhdukurit

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin që Andin Hoti, i cili është kryesues i Komisionit Qendror për Persona të Zhdukur, të emërohet edhe kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje e personave të zhdukur në kuadër të grupit punues për persona të zhdukur.

15:59

Qeveria ia dërgon Kuvendit propozimet për anëtarë të OSHP-së

Qeveria e Kosovës ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës propozimin për kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues Të Prokurimit. Kërkesën për propozim e ka prezantuar zv.kryeministri Besnik Bislimi, por nuk i tregoi emrat e propozuar.

OSHP-ja ka mbetur pa bord qysh nga fundi i muajit mars.

Institucionet në këtë kohë s’kanë guxuar të nënshkruajnë tenderë për të cilët ka ankesa derisa të zgjidhen anëtarët e rinj. KOHA pati raportuar në mes të qershorit se deri tash janë rreth 300 tenderë të bllokuar.

Një pjesë e tenderëve lidhej me produkte ushqimore. Blerja e dhjetëra llojeve të barnave të Listës Esenciale është bllokuar, përfshirë insulinat për diabetikët.