Arbëri

Rama kritikon BE-në: Kosovarët në diktaturë lëviznin lirshëm, në demokraci janë të izoluar

Foto: AP
 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në edicionin e 23-të të “Symi Symposium”, organizuar e drejtuar nga ish-kryeministri grek, George Papandreou, Rama ka kritikuar BE-në duke thënë se qytetarët e Kosovës në diktaturë lëviznin lirshëm në Evropë, ndërsa tash edhe pse të çliruar janë të bllokuar.

“Gjatë diktaturës, ata nuk njiheshin si qytetarë të barabartë të ish Jugosllavisë, por lëviznin lirisht, shkonin në Gjermani, në Zvicër për të punuar. Tani, ata janë çliruar nga demokracitë perëndimore, por nuk mund të lëvizin. Ndërkohë që BE-ja ka vendosur një regjim të liberalizimit të vizave me 100 milionë njerëz, Gjeorgjinë e të tjerë, Kosova është e bllokuar me më pak se 2 milionë njerëz, të cilët nuk lëvizin dot. Është e vetmja popullsi në Evropë që nuk mund të lëvizë dhe kanë përmbushur të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian. Bashkimi Europian tha ‘po’ dhe pastaj doli çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Është thënë gjithmonë dhe nga Angela Merkel, bëni demarkacionin, pastaj do të ndodhë. E bënë, ndërkohë regjimi pa viza nuk u vendos e tani u thuhet luftoni krimin dhe korrupsionin”, ka thënë ai duke shtuar se “të luftosh krimin dhe korrupsionin është një histori pa fund”.