8 perditesime
18:40

Kurti: Vuçiqit i ofrova libra që flasin për Kosovën, nuk e pranoi asnjërin

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar se në takimin e sotëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, këtij të fundit ia ka ofruar tri libra që flasin për gratë e përdhunuara gjatë luftës, listën e 1.113 fëmijëve të vrarë dhe "Dosjen Britanike", për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

Kurti shkroi në Facebook se Vuçiq asnjërin nga to nuk e pranoi, duke theksuar se "është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim.

Marrëveshja e propozuar nga kryeministri Kurti, e cila u refuzua kategorikisht nga presidenti Aleksandër Vuçiq:

 

Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar...

Posted by Albin Kurti on Monday, July 19, 2021

 

17:01

Kurti: Propozova marrëveshje të paqes, por u refuzua pa u lexuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se në takimin e sotëm në Bruksel ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar ende pa u lexuar.

Kurti tha se marrëveshja, që ai tha se ishte deklaratë e paqes, ishte e përgatitur nga ai dhe e balancuar.

“Ajo u refuzua ende pa u lexuar, kjo dëshmon për mosgatishmërinë e tyre për marrëveshje”, tha Kurti.

Ky ishte takimi i dytë Kurti - Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel.

Tutje, kryeministri Kurti ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i lexoi 11 pikat që Serbia ia vendos Kosovës si barrikada, derisa sipas tij, përfaqësuesit serbë nuk deshën të dëgjonin për to.

“Ishim dakord që në fund të gushtit të takohen përfaqësuesit e delegacioneve tona dhe në shtator, të ketë takim mes krerëve tanë. Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi ballafaqimit të së kaluarës, kur e dimë që problemet i kemi nga e kaluara. Është për të ardhur keq që nuk arritëm një marrëveshje të përbashkët. Pala serbe e kundërshtoi shumë ashpër atë”, ka thënë Kurti.

Duke folur për atmosferën e takimit, Kurti deklaroi se ishte pothuajse e njëjtë nga takimi i kaluar, ngase nuk është pranuar togfjalëshi “ballafaqimi me të kaluarën”.

“Duket se kryetari i Serbisë e sheh shumë personalisht këtë punë. Ne kemi angazhuar Andin Hotin për çështjen e të pagjeturve, derisa në Serbi vazhdon të jetë Velko Odalloviqi”, deklaroi tutje ai.

 

16:55

Vuçiqi “i brengosur”, akuzon Kurtin se u kthye në shekullin XIX

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti, të mbajtur në Bruksel në kuadër të dialogut mes dy vendeve dhe siç tha ai, nuk po beson “se njerëzit po kthehen 150 vite prapa dhe po flasin për të kaluarën”, duke iu referuar kryeministrit kosovar.

Ai ka thënë se Kurti e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve. Vuçiq tha nga Brukseli se ka pranuar propozimet e palës ndërmjetësuese për temat e dialogut, ndër to edhe për të pagjeturit e luftës.

“Ishin tri pika, të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga gjërat që mund të eskalojnë situatën dhe që dialoguesit të takohen rregullisht”, ka thënë Vuçiq për agjencinë Tanjug, përcjell B92.

Vuçiq ka akuzuar Kurtin se gjatë gjithë kohës ka insistuar për gjëra që nuk kishte pajtim të Serbisë dhe të BE-së.

“Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë”, tha ai. “Gjithçka po sillet rreth asaj që të shtyhet Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Njerëzit në BE nuk po besojnë atë që po dëgjojnë. Njeriu u kthye në shekullin XIX. Siç po e shihni, jam i brengosur”, shtoi presidenti i Serbisë.

16:43

Mediat serbe: Kurti e akuzoi Serbinë se ka kryer tri gjenocide ndaj shqiptarëve

Takimi i dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke u mbajtur ende. Ka nisur në orën 16:00 dhe pritet të përfundojë rreth orës 17:00, dhe vetëm më pas do të ketë deklarime zyrtare të palëve.

Por mediat serbe, pretendojnë se kanë informata çfarë po ndodh në takim. “B92” shkruan se gjatë takimit, Kurti ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide të kryera ndaj shqiptarëve. Për çka sipas këtij mediumi ka marrë “përgjigje të ashpër” nga Vuçiqi.

Sipas B92, Kurti e ka akuzuar Serbinë për gjenocidin më 1878 dhe të fundit më 1999. Për të dytin, ky medium nuk ka dhënë vitin.

Në fakt, Qeveria Kurti ka paralajmëruar padi ndërkombëtare ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në luftën e fundit, më 1998\1999.

16:15

Nis takimi Kurti-Vuçiq

Ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Pjesë e tryezës së diskutimit janë edhe emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi Josep Borell.

15:27

Borrell para takimit me Kurtin e Vuçiqin: E ardhmja më e rëndësishme se e kaluara

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, para takimit të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pati një adresim të shkurtër në të cilën shprehu optimizmin për takimin e sotëm. Ai ka thënë se pavarësisht të kaluarës së dhimbshme mes vendeve duhet të shikohet nga e ardhmja pasi ajo është më e rëndësishme.

Borrell shtoi se takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk ishte shumë i frytshëm por uroi që gjërat të ndryshojnë sot dhe se diskutimet do të vazhdojnë mbi progresin e arritur deri më tani, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për të vazhduar zhvillimin e dialogut.

“Është mirë që jemi në gjendje të takohemi përsëri para pushimit të verës dhe vetëm një muaj pas takimit tonë të parë që kishim në qershor. Unë mendoj se mbajtja e kontakteve të rregullta është thelbësore dhe tregon përkushtim për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Ne do të vazhdojmë sot diskutimet tona mbi progresin e arritur deri më tani, për hapat e ardhshëm para nesh dhe rrugën përpara për të vazhduar zhvillimin e këtij dialogu”, deklaroi Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme u shpreh se se pret që të dy palët t'i qasen takimit në një mënyrë konstruktive dhe pragmatike. Borrell vijoi duke thënë se të dy vendet duhet të shohin nga e ardhmja, pasi kjo është më e rëndësishme se e kaluara.

“Kosova dhe Serbia duhet të mbyllin përfundimisht kapitullin e së kaluarës së tyre të dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse juridikisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe duke shikuar përpara drejt së ardhmes evropiane për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shohim përpara. Dhe kur shohim përpara, ajo që shohim në fund të rrugës është perspektiva evropiane”, deklaroi Borrell.

13:05

Lajçak takohet edhe me Kurtin

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. 

‘’Këtë mëngjes, kam mbajtur takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për t'u përgatitur për takimin e nivelit të lartë të dialogut këtë pasdite’’, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Takimi mes Kurtit, Vuçiqit dhe Lajçakut raportohet të fillojë nga ora 16:00.

12:09

Vuçiq takohet me Lajçakun, në orën 16 takimi me Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është takuar me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Pas këtij takimi në orën 14 e 30, Vuçiq sipas mediave serbe do të takohet me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borell. Ndërsa bisedimet tri palëshe mes Vuçiq, Kurtit dhe ndërmjetësit të BE-së do të zhvillohen në orën 16:00, raportojnë mediat serbe.

Lajçak si nikoqiri këtij takimi në Bruksel, rreth këtyre bisedimeve përmes një video mesazhi do të flasë rreth orës 18 të pasdites.

08:05

Kurti e Vuçiq takohen sot në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen sot për herë të dytë në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit, pas atij të 15 qershorit kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë rifilloi zyrtarisht.

Nga takimi i parë të dyja palët kishin dallime të mëdha. Beogradi insistoi që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.

Në takimin e parë, kryeministri Kurti paraqiti katër propozime për dialogut: E para, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA. E dyta, Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. E treta, pas njohjes së ndërsjellët midis Kosovës dhe Serbisë, në të dy vendet të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave, që serbët në Kosovë të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Ndërsa si propozim i fundit, Kurti kërkoi dorëheqjen e Veljko Odalloviqin nga delegacioni serb për të pagjeturit.

Përveç këtij takimi të nivelit të lartë, javën e kaluar është mbajtur edhe takimi i dy delegacioneve të nivelit të ekspertëve.