5 perditesime
12:39

Dështon shkarkimi i bordit të ARH-së

Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta shkarkojë bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhës.

Pasi përfundoi hapësira për debat, nënkryetarja Saranda Bogujevci bëri thirrje për votimin e shkarkimit të secilit prej anëtarëve veç e veç të bordit të ARH-së.

Megjithatë, për shkak të mungesës së kuorumit, seanca u shty për të mërkurën në orën 13:00.


Kuvendi mban seancën e radhës të enjten

Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit është vendosur që seanca e radhës të mbahet të enjten, më 22 korrik, në orën 10:00 dhe jo të mërkurën siç u vendos në fillim.

Në këtë seancë pritet të shqyrtohen të gjitha projektligjet, që sot nuk arritën të ratifikoheshin për mungesë kuorumi.

11:59

Musliu: Nuk ka ndodhur në histori të Kuvendit që në 100 ditët e para të mungojnë ministrat

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i ka propozuar partisë në pushtet që të thërrasin një seancë për shkarkimin e të gjithë bordeve. Ndërkohë, ajo ka shtuar se nuk ka ndodhur në historinë e Kuvendit që në 100 ditët e para të mungojnë ministrat.

‘’Ju propozoj mos humbni shumë kohë, thërrisni një seancë të veçantë shkarkoni të gjitha bordet përnjëherë dhe kjo përfundon. Në vitet e 80-ta, kur ka ndodhur diferencimi politik, rasti 2 dëbimi masiv i punëtorëve dhe sot shkarkimi i bordeve të pavarura që po ndodhë nga VV në vitin 2021. Faktet e juaja të vetme janë votat në Kuvend, këtë e pranoj, e keni pushtetin kryeni punët se Kosova ka shumë punë. Ministrat e juaj nuk kanë guxim as të vijnë në Kuvend, nuk ka ndodhë kurrë në historinë e Kuvendit që në 100 ditët e para të mungojnë ministrat’’, deklaroi Musliu.

E Haki Abazi nga VV-ja iu kundërpërgjigj Musliut duke i kujtuar dosjen Pronto.

‘’Gjendja e cila u përshkrua nga komisioni nuk do koment, nëse kemi zbritur në numrin 50 mijë prej 400 mijë, secili kish me i largu nga puna që e kanë pru kompaninë në këtë situatë. Ganimete Musliu duhet të rrijë këtu pas fjalimit të saj, e jo të largohet menjëherë. Ajo që duhet të rikujtohet janë përgjimet e Prontos, po të isha unë në pozitën e PDK-së isha turpëruar me refuzue shkarkimin e këtyre bordeve. Edhe për punën e tiketave sigurisht se ne deputetët e VV-së do kërkojmë transparencë deri në fund, na jepni kohë dhe sigurisht që kemi me qitë në dritë çështjen e tiketave. Andaj prapë po kërkoj prej deputetëve qe ta shfrytëzojnë momentin të kthehemi nga e mbara, e jo të mbrohen ata njerëz që ë kanë shkatërruar në palcë kompaninë publike, e sidomos të hekurudhave, që pothuajse janë joekzistente’’, deklaroi Abazi.


Pacolli nervozohet me deputetët e VV-së: Nuk e marr fjalën kur ka njerëz të paedukuar

Deputeti në radhët e LDK-së, Behgjet Pacolli, ka lëshuar sallën e Kuvendit teksa po mbante fjalimin e tij.

Pacolli u ndërpre nga zhurma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci kërkoi qetësi.

‘’Nuk shoh rezultate nga kjo zhurmë që bëhet këtu. Malet prehen, dhe nuk di a dilni përtej Prishtinës, me çfarë brutaliteti prehen ato. Ne jetojmë me mbeturina... nënkryetar, nuk e ka marr më fjalën kur ka njerëz të paedukuar’’, deklaroi Pacolli.

11:31

Përplasje mes Pacollit dhe Zemajt për shkarkimin e bordit të ARH-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është përplasur mes deputetin e LDK-së, Armend Zemaj, rreth çështjes së shkarkimit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhës.

Pacolli sqaroi se ka shumë arsye pse bordi i ARH-së duhet të shkarkohet.

‘’Po thonë se numri i udhëtarëve nuk është i saktë, ne e kemi pyet Autoritetin ta arsyetojë rënien e udhëtarëve, prej mbi 400 mijë prej vitit 2007 në vitin 2021 ka rënë numri në rreth 50 mijë, dhe ju thoni si mos ta shkarkoni atë bord. Të kishte rekomanduar ARH-ja se të shtohet numri i udhëtarëve kish me qenë më ndryshe. Pra, ARH ka dështuar të bëj mbikëqyrjen e sigurisë, dhe ta rrisë sigurinë për qytetarët. Vetëm gjendja e trenave është arsyetim ta shkarkojmë këtë bord. Auditori duhet të japë përgjegjësi pse auditori nuk ika cekur keqpërdorimin e parave’’, ka thënë Pacolli.

Ndërkohë Zemaj ka thënë se shkarkimi i bordit po bëhet për arsye tepër selektive dhe subjektive.

‘’Prapë arsye tepër selektive dhe subjektive, përmendet viti 2016 për tre udhëtimet që kushtuan 16 mijë euro, tash nuk e dimë a janë pak 16 mijë euro apo janë mjaft e nuk janë kryer punët. Tash do ta shohim si do t’i shfrytëzojnë këta shpenzimet, apo do të shkojnë nëpër festivale. Nëse auditori ka fshehur duhet të ndiqet auditori. Ndërtimi i hipotezave nuk i lejohet Kuvendit të Kosovës. Nesër do të bëhet bordi, do ta shohim bordin e VV-së a do të jetë politik’’, u shpreh Zemaj.

Pacolli ndërkohë ka thënë se Zemaj po mendon se 16 mijë euro për tre vizita në Shqipëri dhe Mal të Zi, janë pak.

‘’Zemaj po mendon se 16 mijë euro për tre vizita në Shqipëri dhe Mal të Zi, janë pak. Le ta gjykojnë qytetarët, ato janë keqpërdorur. Ju nuk e keni shkarkuar bordin tash ne e shkarkojmë se ka keqpërdorime’’, vijoi replika e deputetes së VV-së.


Hamza: Kjo nuk është ç’kapje e shtetit, por plasje e shtetit

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se kjo çfarë po bën partia në pushtë nuk është ç’kapje, por plasje e shtetit.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, u shpreh e ashpër me deputeten Pacolli, duke thënë se pse nga Vetëvendosja askush nuk po flet për tiketat ngjitëse.

‘’Për shkak të parimeve, zonja Pccolli kur flasim për keqpërdorim të 16 mijë eurove, nëse ka fakte nuk del askush nga LDK që ta mbrojë atë. Asnjë deputet i VV-së nuk tha asnjë fjalë për tiketat ngjitëse, po flitet për keqpërdorim të 2 milionë eurove. A pajtoheni që një tiketë që kushton 2 cent kushton tash 5 euro. Nëse jeni kundër keqpërdorimit, më të mëdha janë 2 milionë se 16 mijë euro’’, ka thënë Bajrami.

‘’Tani nuk po iu kuptoj pse po ju dilni në mbrojtje disa personave. Ne i kemi pyetur listone ndonjë sukses të juajin. Nuk kanë qenë të gatshëm ta numërojnë asnjë. Kur ata nuk kanë mundur ta mbrojnë veten, pse po i mbroni ju? Ky bord është dashur të shkarkohet më 2016, ju nuk e keni bërë, e bëjmë ne tani. Janë rritë shpenzimet e nuk janë rritur shërbimet’’, ishte replika e Pacollit.

11:12

Pacolli rendit arsyet pse duhet të shkarkohet bordi i ARH-së, kundërshton opozita

Kryesuesja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Fitore Pacolli, ka renditur disa arsye për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

‘’265 mbikalime të hekurudhave, ku 49 persona janë lënduar ndërsa 11 kanë vdekur. Mungesa e vendosjes së shenjave sinjalizuese në vendet përkatëse, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave ka shkelur rregulloret për rehabilitimin e hekurudhave, ku në Han të Elezit është kontraktuar një kompani italiane e palicensuar. Rënia nga 417 mijë në 58.819 mijë udhëtarë nuk ka analizë. Nuk kanë arsyetuar shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit, ku në vitin 2016 janë shpenzuar 16 mijë euro për tre vizita në rajon’’, ka thënë ndër të tjera Pacolli.

Deklaratat e Pacollit janë kundërshtuar fuqishëm nga opozita. Fadil Nura nga PDK, Armend Zemaj nga LDK dhe Pal Lekaj nga AAK kanë konsideruar se kjo gjë po bëhet për arsye banale, politike dhe jo profesionale.

10:40

Nis seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e rregullt plenare, të lënë në gjysmë më 16 korrik. 

Seanca planifikohej të niste me votimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për Bankën Evropiane për Investim për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.

Votimi nuk u finalizua për shkak se në sallë ishin të pranishëm 75 deputetë, nga 81 sa duhet të ishin për t’u plotësuar kushtet për votim.

Seanca do të vazhdojë me pikat e tjera të rendit të ditës. 


Dështon votimi i projektligjit për financimit e linjës hekurudhore 10

Votimi i projektligjir për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për Bankën Evropiane për Investim për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, dështoi në seancën e sotme të Kuvendit.

Nga 93 deputetë të pranishëm, 71 votuan për, ndërsa nuk pati asnjë abstenim dhe asnjë kundër. Në mungesë të kuorimit për vendimmarrje, kjo pikë është shtyrë për më vonë.

08:25

Kuvendi vazhdon sot seancën e rregullt plenare

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të rregullt plenare.

Në një njoftim për media nga Kuvendi kanë bërë të ditur se seanca do të vazhdojë nga ora 10:00.

Këto janë pikat e mbetura nga rendi i ditës:

4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10,

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-019 për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II),

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”,

7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”,

10. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave,

11. Votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,

12. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve jo shumicë,

13. Propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit,

14. Propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar,

15. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020.