1 perditesime
15:18

Tahiri: Qeveria Kurti po e varfëron qytetarin

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas përfundimit të Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Qeveria Kurti është Qeveri që varfëron qytetarin, kjo duke iu referuar marrëveshjes për taksën ngjitëse prej 5 euro.

Ai ka thënë se PDK-ja ka propozuar debat parlamentar për këtë çështje, derisa shtoi se do të përdorin çdo metodë për anulimin e kësaj kontrate.

“PDK ka propozuar debat parlamentar në lidhje me tiketën ngjitëse dhe besojmë që është nën kundërshtim me Ligjin. Qeveria nga zgjedhjet e 14 shkurtit vendimin e parë që e mor nuk është vendim që lehtëson jetën e qytetarëve, pra kjo qeveri është qeveri që varfëron. Ne si PDK do të përdorim mjetet që kjo kontratë të anulohet. Kryeministri po vendos taks prej pesë euro për të gjithë ata që regjistrojnë veturat e tyre dhe kjo është e papranueshme”, ka thënë Tahiri.

Tahiri për takimin e Kurtit në Bruksel u shpreh se ky proces po përcillet me jotransparencë, ngase qytetarët nuk e di se për çfarë temash po diskutohet.

14:40

Gashi: Kurti po i shkel kriteret që vetë i ka vendosur për dialogun

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për sjellje të papërgjegjshme në lidhje me procesin e dialogut.

Gashi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit është shprehur se kjo sjellje e Kurtit shkatërron vetëbesimin politik në Kosovë.

“Vizitë apo takim çfarë mund t’i themi. Sa Kurti ishte në opozitë kishe propozuar dhjetëra rezoluta në Kuvend, dhe ka përdorur gjuhën më të dhunshme për ata që shkonin në këto bisedime. Madje thoshte se nuk duhet të shkohet në bisedime pa kërkuar falje Serbia, pa u gjet të zhdukurit. Ai kërkonte raportim në Kuvend sa herë mbahej ndonjë takim, ndërsa janë bërë katër muaj që Kurti nuk ka raportuar në Kuvend për këtë çështje. Atë që e ka proklamuar në Kuvend po e shkel. Po i shkel kriteret që vetë ai i ka vendos. Ka sjellje të papërgjeshme. Sjellje që shkatërron vetbesimin politik në Kosovë dhe kjo sjellje e tij do të marrë përgjigje nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë Gashi.

Edhe Besnik Tahiri nga AAK-ja kërkoi informim paraprak nga kryeministri Kurti para procesit të dialogut. Sipas tij, AAK-ja është e qartë në dialog pasi kërkon me çdo kusht përfshirjen e SHBA-së në këtë proces, për të arritur në një përfundim për njohje reciproke mes dy vendeve. 

Kurti u takua mëngjesin e sotëm me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, teksa pasditen e sotme do të zhvillojë takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.