Arbëri

Vështrim \ Pse Kurban Bajrami gjithmonë ma kujton Ulqinin më 1998-n?

 

Ulqinakët tradicionalisht therin kurbane, por e thyen traditën më 1998. Nuk therën e as blenë kurbanë, por mblodhën para për t’i dërguar në Kosovë në zonat që ishin më të prekura nga lufta dhe ku kishte më shumë të dëbuar.

Lufta kishte muaj që kishte filluar, e kishte djegur Drenicën e Dukagjinin. I madh ishte numri i shqiptarëve të zhvendosur në pjesë të tjera të Kosovës ku ende nuk ishte përhapur zjarri i luftës. Nëse kam nostalgji për një gjë nga ajo kohë, atëherë është solidariteti dhe afërsia që treguan shqiptarët mes vete dhe gatishmëria për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Sa herë që afrohet festa e Kurban Bajramit më bie ndër mend viti 1998, kur Ulqini i mblodhi e i çoi 100 mijë marka për Kosovë.

Nismëtarët e këtij aksionit Muharrem-Lemo Mollabeqiri, Nazif Cungu e Xhaudet Cakuli e takuan kryetarin e atëhershëm të Bashkësisë Islame të Ulqinit, mulla Rexhep Likën dhe e morën mbështetjen e tij për të mbledhur dhe dërguar para për kurbane në Kosovë. Pasi e shpërndanë lajmin se po mblidhen para për Kosovën nga 30 marsi deri më 3 prill (brenda javës) ata mblodhën e dërguan këtë shumë në Prishtinë. Kishte edhe familje që dhuronin shuma për nga dy e tre kurbane.