3 perditesime
21:10

Gërxhaliu: Kemi punuar 6 vjet në Kizhevak, ka zvarritje

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka treguar se ka zvarritje nga pala serbe sa i përket gërmimeve në vendet ku dyshohet se ka varreza masive. Gërxhaliu në Desk të KOHËS ka thënë se vet fakti se në Kizhevak është punuër për gjashtë vjet, tregon se ka zvarritje.

“Normal që ka pasur zvarritje, me vet faktin që kemi punuar për 6 vjet në Kizheval. Normal që është një lloj zvarritje,. Edhe në Rudnicë, për herë të parë është shkuar në vitin 2003. Z. Qubreli prej Mitrovicës është njeriu i parë që e di se e ka cekur rastin se viktimat janë nën atë ndërtesë. Është zhvilluar gërmime rreth atij moçali, mbi dhjetra tentime derisa në fund nuk pat ku të shkohet. Në Kizhevak me miliona kubik gur e dhe është hedhur mbi pjesët kockore që i kemi gjetur. Ka qenë çështje e planifikuar, pasi është ditur se aty hudhen mbeturinat e minierës, pra do të bëhej mbulim. Është hequr ajo masë, sa i përket çështjes së Kizhevakut është përfunduar në tërësi”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka treguar se ka edhe vende tjera që po presim të gërmohen.

“Jemi në pritje të urdhëresës për të gërmuar si në afërsi të Novi Pazarit, pastaj në Shtaball miniera e thëngjillit, afërs Sinicës, ka ardhur informata nga një vendas që jeton në shtetet e jashtme në Evropë. Informata del siç është përshkruar, jemi në pritje të urdhqëresës”, tha Gërxhaliu.

 

20:58

Blakaj: Mbi 400 persona të zhdukur në Kosovë janë të komunitetit serb

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj ka thënë se mbi 400 persona, nga numri i përgjithshëm i personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, janë serbë.

Blakaj ka thënë se pala kosovare duhet të punojë që të lokalizojë këto viktima duke dëshmuar kështu se po realizon të drejtën e familjarëve për të ditur për më të dashurit e tyre.

“Mbi 400 persona të cilët janë në listën e personave të zhdukur janë të komunitetit serbe dhe truipat e tyre duhet të jenë diku në varreza në Kosovë. Pala kosovare duhet të bëjë maksimumin që të lokalizojë vendin ku ndodhen viktimat serbe meqenëse Fondi për të Drejtën Humanitare vite me radhë ka kërkuar që çështja për persona të zhdukur të jetë në rendin e ditës”, ka thënë Blakaj në "Desku". 

Sipas tij, edhe pala serbe e di me saktësi se ku ndodhet varrezat masive dhe trupat e kosovarëve të zhdukur.

“E vetmja mundësi e sigurt që të dokumentohet dhe kjo ishte dashtë të ndodhë, sepse edhe me Konventat Ndërkombëtare familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të dinë se çka ka ndodhur me më të dashurit e tyre mirëpo e vetmja mënyrë që të dëshmohet janë arkivat të cilat unë dyshoj që në një të ardhme të afërt do të ketë rrjedhje të këtyre informatave. Pala serbe e din me saktësi se ku gjenden varrezat masive dhe dëshmon edhe me varrezat e hapura para 6 viteve në Rudnicë dhe tash në Kizhevak. Ata duhet ta kenë pasur të saktë informacionin e varrezave masive. Në këtë mënyrë dëshirojnë që t’i ikin përgjegjësisë institucionale të Serbisë për zhvendosjen e trupave nga Kosova dhe fshehjen e tyre në Serbi. Mungon vullneti politik nga pala serbe në radhë të parë që të zbardhet fati i personave të zhdukur. Është më shokuese është që palët kanë përmendur se çështjen e personave të zhdukur e shohin si çështje humanitare dhe jo politike”, ka shtuar Blakaj.

20:45

Gara: Serbia e ka shtyrë afatin për hapjen e dokumenteve të arkivave të ushtrisë

Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë së Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, ka thënë se Serbia e ka shtyrë afatin për hapjen e dokumenteve të arkivave të ish-ushtrisë jugosllave, ish-policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Kemi kërkuar një çasje të plotë në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave, arkivat e ish-policisë dhe ministrisë së Brendshme. E për paradoks, e që është skandal, jo vetëm që nuk është lejuar çasja, përkundrazi Serbia së fundi ka proceduar edhe plotësim ndryshime të legjislacionit në fuqi, duke shtyrë afate të deklasifikimit të informacionit të klasifikuar, sepse 22 vjet pas luftës, informatat e klasifikuara, varësisht nga klasifikimi, do të duhej të jenë të çasshme për publikun. Serbia ka ndryshuar procedurat ligjore, duke shtyrë afatin e deklasifikimit”, ka thënë Gara në Desk të KOHËS. 

20:32

Gërxhaliu: Mbi 2,000 familje i kanë varrosur të afërmit pa analiza dhe pa autopsi

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se në Serbi kanë ekzistuar deri më tani nëntë lokacione të dyshuara për varreza masive, prej të cilave shtatë kanë rezultuar me gjetje pozitive.

Gërxhaliu ka thënë në “Desku” të KTV-së se ka ende familje të cilat nuk japin gjak për identifikimin e të zhdukurve.

Sipas tij, llogaritet që mbi 2,000 familje i kanë varrosur të afërmit e tyre pa analiza dhe pa autopsi.

“Kanë qenë 9 varreza prej të cilave 7 kanë qenë të cilat kanë rezultuar me gjetje pozitive. Më pas është hapur Petrosevo ku janë tërhequr 76 trupa, në Batanicë 740. Si qeska që i kemi tërhequr kanë qenë mbi 1035 qeska dhe pastaj ka rezultuar se për shkak të shkapërderdhjes së pjesëve të trupit janë bashkuar dhe ka dalë numri i gjithmbarshëm rreth 743. 22 vite pas ballafaqohemi me një numër të madh të familjeve të cilat nuk japinë dhe më tutje gjak për identifikimin e tyre. Del që mbi 2,000 familje i kanë varrosur të afërmit e tyre pa analiza dhe pa autopsi”, ka thënë Gerxhaliu.

Ai ka thënë se është duke u punuar në 5 lokacione të tjera, afër Novi Pazarit dhe tek një minierë.

“Kemi kontrolluar por normal kërkon edhe procedurën e lëshimit të urdhëresës prej Serbisë. Kemi edhe stagnim tani për arsye se kinse ne në anën tonë në Kosovë nuk jemi duke bërë asgjë, në njëfarë forme të reciprocitetit”, ka shtuar Gërxhaliu.

Në Kosovë llogariten 1,632 persona të zhdukur si pasojë e luftës së fundit.