1 perditesime
23:19

Arifi: BE-ja duhet të vendosë afate kohore për dialogun

Profesori universitar Dritero Arifi ka thënë se Bashkimit Evropian duhet të vendosë afate kohore për dialogun Kosovë – Serbi dhe po ashtu temat. Arifi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është me rëndësi që të mos shkohet në çdo raund të dialogut me tema të reja.

“BE-së duhet t’i takojë së paku të vendosë afate kohore, por edhe temat. Është me rëndësi të mos shkojmë tash në çdo dialog, në çdo takim me tema të reja. Qe 11 vjet po zgjat dialogu. Janë debatuar mjaft tema. Besoj se në vitin 2021 dhe fillimin e vitit të ardhshëm, duhet të jetë vetëm një temë, njohja e ndërsjellë. Sa më shumë prolongohet, po dalin tema të reja, po harrohet qëllimi kryesor. Qëllimi final është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Këtu po qëndron problemi. BE-ja nuk po ka mekanizëm shtytës për të imponuar këtë temë. Dhe do t’i duhet ndihma e SHBA-së në shumë çështje. Në Ballkanin Perëndimor një shtet është problematik, Serbia, këtë e di BE-ja dhe po ashtu SHBA-ja. Nëse vazhdon me këtë ritëm e hapësirë që po u lihet palëve, atëherë besoj se 1000 vjet do të shkojë me këto tema. Palët do të gjuajnë topin herë në një anë e herë në tjetrin. BE-ja e SHBA-ja duhet të vendosin një kornizë tematike e një limit kohor”, ka thënë Arifi.

Arifi ka thënë se BE-ja me apo pa dashje po zhvillon politika pro-ruse në Ballkani.

“Pikërisht ndoshta jo me qëllim e jo me dëshirë, për shkak se BE-ja udhëhiqet nga demokracia e pakicës, e ka të pamundur t’i imponojë Serbisë shumë gjëra. Në një mënyrë, me dashje apo pa dashje, BE-ja po zhvillon politika pro-ruse në Ballkan. Qëllimi kryesor i politikës së re ruse është të përçajë BE-në në shumë çështje, si në rastin e Ukrainës ashtu edhe të Ballkanit. E vetmja fitore e Rusisë është të përçajë BE-në në politikën e jashtme. BE-ja me dashje apo pa dashje po prodhon politika pro-ruse. SHBA-të janë të interesuara të mbyllin këtë hapësirë, të mos e lënë as BE-në të prodhojë politika pro-ruse në Ballkan. Iniciativa e SHBA-së që disa vende ta njohin pavarësinë e Kosovës, si rasti i Izraelit, e tregon këtë. Kur Izraeli që ka aq shumë probleme të brendshme e njeh Kosovën, atëherë lehtëson shtetet tjera si Spanja, Sllovakia e Qipro ta ndjekin të njëjtën rrugë. SHBA-të kanë filluar të bëjnë presion, por nuk e bëjnë publike”, ka thënë Arifi.


Kosova ka treguar jostabilitet në politikën e jashtme, thotë Arifi

Profesori universitar, Dritero Arifi, ka thënë se shteti i Kosovës ka treguar jostabilitet në politikën e jashtme.

Arifi është shprehur se ky nuk është vetëm problem i Qeverisë Kurti, por edhe i qeverive të mëparshme.

“Shteti jonë ka treguar shumë jostabilitet në politikën e jashtme. Nuk është çështja vetëm e Qeverisë “Kurti” por edhe më herët kemi treguar shumë joseriozitet në politikën e jashtme, sepse politika e jashtme është reflektim i politikës së brendshme. Pritet që të krijohet një momentum më pozitiv për Kosovën sepse është krijuar fotografia se Kosova ka qenë e korruptuar e kriminalizuar ndërkaq me Qeverinë e re mund të krijohet një imazh tjetër se ka ardhur një gjeneratë e re e cila mund ta promovojë Kosovën në arena ndërkombëtare me lajme pozitive. Ne kemi këtu ambasada të cilat i shpërndajnë lajmet më shpejtë se sa interneti. Duhet të bëjmë kujdes në politikën e brendshme që të mos bëjmë veprime populiste e nacionaliste sepse të gjitha ato e kanë një kosto mandej prandaj raporti jonë me komunitetet e tjera në Kosovë reflekton shumë në politikën e jashtme”, ka thënë Arifi në “Interaktiv”.

23:10

Arifi: Përfshirja e SHBA-së në dialog duhet të jetë e detyrueshme

Profesori universitar, Dritëro Arifi, ka thënë se involvimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë-Serbi duhet të bëhet i detyrueshëm.

Arifi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se Bashkimi Evropian po shfaqë brishtësinë në këtë proces pasi, siç ka thënë, vetëm po hapen tema të reja, e kurrë nuk po vjen deri te një përfundim.

“Dialogu e ka humbur momentumin sepse është zgjatur shumë. Nuk mund të vazhdojmë të shkojmë në dialog pa një limit kohor, nëse fillon një temë ajo duhet të prodhojë një rezultat. Prandaj vijnë edhe çështjet e reja në tavolinë nga njëra apo pala tjetër. Kjo tregon brishtësinë apo fragjilitetin komplet të Bashkimit Evropian. Involvimi i SHBA-së duhet të jetë i detyrueshëm, jo që duhet por duhet të jetë i detyrueshëm. Palmer ka dallime fundamentale në qasje sepse SHBA-ja po kërkon njohje reciproke nuk po donë me stërzgjat dialogun. Sot BE-ja nuk e ka këtë qëndrim. Presidenca e re e Bidenit po do që BE-në ta involvojë në dialog. BE-ja e ka një dobësi të madhe sepse udhëhiqet nga demokracia e pakicës”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, nuk kanë mbetur shumë tema që duhet të diskutohen me Serbinë. Arifi ka thënë se çështja e vetme që ka mbetur mes dy vendeve është njohja-reciproke.