2 perditesime
11:14

Presidenti kroat reagon pas aksidentit tragjik

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Slavonski-Brod të Kroacisë, ku një autobus nga Kosova që po udhëtonte në linjën Frankfurt – Prishtinë, është aksidentuar.

Në aksident kanë humbur jetën së paku dhjetë persona, ndërsa raportohet për 45 të lënduar, prej tyre tetë në gjendje të rëndë.

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e pasagjerëve që vdiqën në aksidentit e trafikut që ndodhi këtë mëngjes në afërsi të Slavonski-Brod. Bashkëndjejmë me autoritetet dhe popullin e Kosovës në këtë moment të trishtuar për të gjithë ata. U uroj udhëtarëve të lënduar shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar presidenti në Twitter.

11:06

Ministri i jashtëm kroat telefonon Donika Gërvallën pas aksidentit tragjik

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliq Radman ka kontaktuar ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla pas aksidentit tragjik që ndodhi në Kroaci e ku u përfshi autobusi kosovarë që vinte nga Gjermania.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave të këtij aksidentit tragjik, ku raportohet për dhjetëra të vdekur dhe të lënduar.

“Unë fola në telefon me ministren Donika Gërvalla dhe shpreha ngushëllimet e mia për njerëzit dhe familjet e viktimave të aksidentit tragjik të autobusit që ndodhi këtë mëngjes në Kroaci, si dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve”, ka shkruar ministri i jashtëm kroat në Twitter.

10:28

Kryeministri kroat ngushëllon Kosovën pas aksidentit të rëndë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka ngushëlluar popullin e Kosovës pas aksidentit të rëndë në Slavonski Brod, ku një autobus nga Kosova është aksidentuar.

Raportohet për së paku 10 të vdekur e 30 të lënduar.

“Me trishtim të madh morëm lajmin për një autobus që u aksidentua afër Slavonski Brod në të cilën humbën jetën 10 persona. Mendja jonë është te familjet e viktimave, autoritetet dhe popullin e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona të thella. Shpresojmë që pasagjerët e lënduar të shërohen më shpejt”, ka shkruar kryeministri kroat Andrej Plenkoviq në Twitter.

Ai ka thënë se ka biseduar me Ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Davor Bozhinoviq dhe me atë të Shëndetësisë, Vili Berosh. Ata janë nisur për në Slavonski Brod për të kuptuar nga afër gjendjen.