4 perditesime
00:00

Sveçla: Të mërkurën mbërrijnë trupat e të vdekurve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se 10 trupat e të vdekurve në aksidentin tragjik në Kroaci, kanë nisur të vijnë në Kosovë dhe në mëngjesin e së mërkurës do të mbërrijnë.

Sveçla para mediave deklaroi se për transportimin e tyre është kujdesur shteti kroat, derisa edhe për të lënduarit kanë dhënë ndihmë të madhe.

“Angazhimi i palës kroate ka qenë që nga kryeministri, e ministrat, por edhe stafi mjekësor atje dhe gjithë qytetarëve mund të themi. Në këtë rast besoj se duhet të shprehim mirënjohje dhe falënderime për këtë ndihmë që shteti i Kroacisë na ka ofruar. Jemi të bindur se po të mungonte sadopak ndihma e tyre, po të vonohej ajo, numri i viktimave do të ishte më i lartë. Prandaj, ne në vazhdimësi kemi shprehur falënderimin tonë por besoj se këtë falënderim ata e kanë ndier prej të gjithë shoqërisë dhe popullit tonë”, ka thënë ai në ANP.

Ministri i Punëve të Brendshëm ka theksuar se vdekja e 10 qytetarëve ka qenë moment i rëndë për tërë popullin e Kosovës, dhe se familjarëve të tyre do t’u japin ndihmë të pakursyer.

Për çështjen e shoferit që është arrestuar në Kroaci, Sveçla ka thënë se janë në kontakt me autoritetet e kroate, për mundësinë e kthimit të tij në Kosovë.

“Jemi në kontakt me autoritetet kroate, do të shohim që shoferi të sillet në Kosovë. Ne s’kemi marrëveshje ekstradimi me shtetin kroat, por do të shohim me angazhim të veçantë. S’mund të premtoj asgjë, janë çështje gjyqësore, dhe ne jemi të bindur që duhet në plotëni t’i zbatojmë ligjet e shtetit kroat, dhe ai të transferohet në Kosovë dhe t’u përgjigjet institucioneve tona të drejtësisë”, ka thënë ai.

 

23:29

Krerët e shtetit pritën 21 të mbijetuarit e aksidentit në Kroaci

Kanë mbërritur 21 bashkatdhetarë në ANP, që u përfshin në aksidentin tragjik në Kroaci, kanë bërë të ditur presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca përmes një komunikate të përbashkët.

“Prijësit e institucioneve shprehën ngushëllime për jetët e humbura në aksidentin tragjik dhe të lënduarve u uruan shërim të shpejtë, duke i siguruar se do ta kenë përkujdesin institucional. Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani u shpreh mirënjohëse për ndihmën e pakursyeshme që kanë dhënë për menaxhimin e kësaj situate të rëndë, të gjitha institucionet shtetërore të Kroacisë”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se institucionet e vendit do të jenë pranë familjarëve të viktimave, për t’i përballur momentet e vështira.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se dhëmbjen e ndajnë së bashku me tërë popullin.

“Pavarësisht se sa të mëdha janë distancat, ato zvogëlohen, se maten me zemër. Këtë të diel, rruga e gjatë nuk solli në atdhe një pjesë tonën të mërguar. Solli dhimbje për mbarë popullin. Këtë dhimbje sot e ndajmë bashkë dhe qëndrojmë të bashkuar në këtë tragjedi, si një familje e madhe që jemi”, u ka thënë bashkatdhetarëve kryeministri Kurti.

Presidentja Osmani tha se “në tragjedinë e Slavonski Brodit ne nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë”

“Aty humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme: mërgimtarët”.

22:46

Zbresin në ANP të lënduarit e aksidentit në Kroaci

Kanë nisur të zbresin në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci. Një pjesë e tyre është marrë me autoambulancë.

Ruajtësit e rendit para Aeroportit po i thërrasin me listë personat që i kanë familjarët e lënduar nga aksidenti. Disa janë futur me vetura për t'i marrë familjarët e tyre.

Image
22:18

Aterron aeroplani me bashkatdhetarët nga Kroacia

Ka aterruar aeroplani me bashkatdhetarët që i mbijetuan aksidentit tragjik në Kroaci. Në vend të ngjarjes, përpos qytetarëve dhe familjarëve të të mbijetuarve, janë edhe institucionet e vendit si presidenca, kryeministria dhe kreu i Kuvendit.

“Jam duke e pritur axhën. Aeroplani e kemi dëgjuar, nuk e dimë a kanë zbrit por jemi në pritje. Axha ka pas lëndime pak më shumë. Ishte edhe gruaja e axhës, por axha pak ma shumë. Realisht nuk po na lënë të futemi brenda në atë zonë. Ne kemi ardhur t’i marrim, por nuk e di a donë të marrin këta apo ne. Kemi pasur kontakte gjatë kohës sa ishin në spital”, ka thënë një nga qytetarët nga komuna e Malishevës.

Në ora 23:00 është paralajmëruar një konferencë për media nga Zyra e kryeministrit dhe Aeroporti “Adem Jashari”.

21:00

Familjarët kanë dalë në aeroport për t’i pritur të mbijetuarit e aksidentit në Kroaci

Familjarë të personave të mbijetuar në aksidentin në Kroaci kanë ardhur në aeroportin e Prishtinës.

Ata kane thënë se kanë ardhur për të pritur familjarët e tyre, të cilët kane marr lëndime ne aksident. Sylë Hoxha, nga komuna e Deçanit tha se kunatën dhe djalin e vëllait e kanë pasur në autobus.

"Jam tu e prit kunatën e djalin vëllait, ishin në atë autobus dhe kanë pasur fat e kanë shpëtuar. Janë lënduar pak por kanë shpëtuar. Kam dhimbje për të tjerët. Kam udhëtuar me autobus edhe vet dhe ai shofer ka qenë më i afti aty. Por tash më dhimben këta që kanë shkuar. Unë po i dëgjojë disa duke folur, sepse ai nuk e ka bërë me qëllim”, ka thënë Hoxha.

Image

Në vend të ngjarjes kanë mbërritur edhe tri autoambulanca. Prezent është edhe kabineti i kryeminstrit Albin Kurti.

Aty janë parë edhe stafi i presidentes Vjosa Osmani dhe Valbon Krasniqi nga SHSKUK.

Image

Në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë të dielën, ku u përfshi aksidenti i linjës Frankfurt – Prishtinë, vdiqën dhjetë persona, ndërsa u lënduan 45 tjerë.

Shoferit të autobusit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.