4 perditesime
23:22

Bajrami: LDK-ja pretendon ta fitojë Prishtinën pa balotazh

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se në parti ka shumë besim se Përparim Rama do të jetë kryetar i ardhshëm i Prishtinës.

Rama është kandidat nga radhët e LDK-së për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Ne kemi shumë besim që z. Rama do të jetë kryetar i ardhshëm i Prishtinës. Në fakt konsiderojmë që është personi i duhur për katrahurën në të cilën ne po jetojmë. Ju e dini personalitetin e tij, nuk besoj se ka nevojë të flitet, por ai vazhdimisht edhe pse me karrierë në Londër e punë gjithandej globit kishte pasion Prishtinën. Ka projekt e zgjidhje pothuajse për secilin problem. Tani jemi duke finalizuar programin zgjedhor për Prishtinën. Besoj se me një program e platformë e ekip çfarë ka z. Rama e mbështetjen e komplet strukturave të LDK-së, qofshin ato të vjetra në moshë apo të reja, që ço e mbështesin. Z. Rama do të jetë kryetar. Jo vetëm kryetar i LDK-së por i gjithë qytetarëve të Prishtinës, pasi jeta Prishtinë është bërë e padurueshme. Para gjithash konsideroj problemet janë urbanistike. Të ju them të drejtën e kam vështirë të di cili është kundërkandidati më serioz. Mund të flas vetëm për programin e tij. Ne pretendojmë me marrë pa balotazh”, tha Bajrami në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë se nëse Lëvizja Vetëvendosje e kandidon ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Prishtinës, me këtë e dëshmon se nuk e ka problem zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por vetëm për të fituar zgjedhjet.

“Konsideroj se kandidatura e z. Vitia në këtë rast nuk do të ndihmojë Lëvizjen Vetëvendosje, sepse qytetarët e Republikës, jo pse kemi frikë, me rastin e kandidimit të tij qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Prishtinës, do të binden se Vetëvendosja jeton me kauza të rreme. Për shkak se qytetarët e Kosovës ia kanë dhënë votën atij për të qenë ministër i Shëndetësisë, e presim zgjidhjen e problemeve shëndetësore. Nëse ministrat aktual të Qeverisë Kurti do të lënë ministritë e do të kandidojnë nëpër komuna, do të dëshmohet çfarë kemi thënë prej ditës së parë se Vetëvendosja nuk ka njerëz”, tha Bajrami.

23:10

Lista për Bord të ZRRE-së u ndryshua kur iu dorëzua Kuvendit, thotë Bajrami

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thana se Lëvizja Vetëvendosje shumicën e votave në zgjedhjet e fundit parlamentare i ka fituar bazuar në kauzën kundër korrupsionit e nepotizmit, mirëpo tani siç ka thënë, këto kauza po dalin që kanë qenë të rrejshme.

Ajo ka thënë se VV-ja po bën punësime të panumërta të familjarëve dhe militantëve partiakë dhe se ka vetëm ndërrim të fytyrave nëpër bordet që po shkarkon e emëron VV-ja e jo edhe profesionalizëm.

Bajrami ka përmendur rastin e një qytetari i cili ka konkurruar për Bord të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, dhe i cili pasi ishte renditur fillimisht i treti në listën e më të mirëve, është renditur i gjashti në listën që i është dërguar Qeverisë për t’ia përcjellë Kuvendit për miratim.

“Unë sot rastisa të kem një takim me një qytetar që ishte intervistuar për Bord të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Ai ishte radhitur diku i 3-ti, në mesin e 3 ose 4 të parëve dhe në momentin kur komisioni ad-hoc i ka dërguar në Qeveri listat qe Qeveria me ia përcjellë Kuvendit, ai është zëvendësuar me të 6-tin në listë. Bordi i ZRRE-së është zgjidhur nën mbikëqyrjen e Kompanisë britaneze në mandatin e Qeverisë Hoti mirëpo për shkak të zgjedhjeve nuk është dërguar në Kuvend. Mirëpo çka ndodh, përsëritet konkursi dhe për çka përsëritet konkursi?. Kompania britaneze nuk i këqyr dy herë të njëjta konkurse. Kur është zgjedhur drejtori i Doganave atyre u ka konvenuar. Ne i kemi lënë listat ashtu siç i kanë përcaktuar britanezët, nuk e kemi caktuar drejtorin e doganave sepse kemi dashur që kjo qeveri kur të vijë ta caktojë dhe e ka caktuar ndërkaq te rasti i ZRRE-së është përsëritur konkursi”, ka thënë Bahrami.

Sipas saj, lista me emrat për Bord të ZRRE-së pritet t’i shkojë Kuvendit në javët e ardhshme.

 

23:09

Bajrami: Është raportuar për numër marramendës të kontratave me negocim të drejtpërdrejt

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Qeveria Kurti ende nuk ka marrë ndonjë hap konkret.

Bajrami ka thënë se me përjashtim të 6 milionë euro për gastronomët nuk është marrë asnjë hap.

“Do të isha e lumtur të di për cilat hapa bëhet fjalë, pasi nuk kemi parë asnjë hap. Cilëndo ministri që e marrim nuk më kujtohet asnjë hap. Nëse flasim për Ministrinë e Financave janë 6 milionë euro për gastronomët, e nëse mund të quhet hap janë bonot e Thesarit që është borxh ekstra, pra edhe për 30 milionë euro po hyn shteti borxh dhe po i dedikohen diasporës, që po shiten përmes bankave. Më lejoni t’u them se bonot e Thesarit kanë pasur mundësi t’i blejnë diaspora sa herë që kanë dashur, sa herë që Ministria e Financave ka bërë emetimin e bonove të Thesarit askush nuk e ka ndaluar një qytetar që ka të drejtë vote, për të ardhur e të blejë bono të tilla. Por tash janë me dedikim të veçantë. Tjetër janë ulja e shtesave për familjet me asistencë sociale, ulja e pensioneve, ulja e shtesave në sektorë tjetër. E nuk mund të përmend ndonjë intervenim tjetër”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka folur edhe për vonesat në hapjen e afatit të pranimit të studentëve në universitetet publike të Kosovës, si dhe për tenderin me tiketa ngjitëse të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Nëse e marrim Ministrinë e Arsimit ne kemi parë që për herë të parë pas 20 vjetëve, për herë të parë që nga paslufta, në afatin e korrikut nuk kemi afat të regjistrimit të studentëve në universitete publike, pasi mbledhja e Këshillit të Cilësisë dështoi e programet kaluan tek dje. Tash është vonë, sigurisht se do të kemi afatin e regjistrimit, por kjo është me konsekuenca edhe për studentët edhe për familjet e tyre, sepse e dimë se çdo i treti student provon një herë e pastaj ose ndërron mendje, kemi fluks të madh në afatin e parë mu regjistru Mjekësi, provojnë ata edhe afatin e dytë, e kërkojnë më pas alternativa tjera. Janë shanse të humbura. Në anën tjetër nëse flasim për Ministrinë e Infrastrukturës, e pamë skandalin e tenderit me tiketa ngjitëse, e mediat kanë raportuar për numër marramendës të kontratave me negocim të drejtpërdrejt”, tha Bajrami.

 

23:06

Bajrami: VV-ja nuk i përkrahte marrëveshjet ndërkombëtare gjatë qeverisjes tonë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizje Vetëvendosje, sa ishte në opozitë, nuk i përkrahte marrëveshjet ndërkombëtare të cilat siç ka thënë, tash po i sjell në Kuvend për miratim.

Bajrami ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se VV-ja ka krijuar precedent të keq në këtë drejtim.

“Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat sot po sillen në Kuvend kanë qenë edhe në qeverinë tonë, një pjesë janë negociuar në atë kohë dhe ne nuk kemi arritur ta marrim mbështetjen e tyre, së paku për disa javë, ju e dini se nuk e kemi pasur mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje përkundër që për 10 vite sa un kam përvojë herë në Qeveri herë në Parlament, opozita kur ka ardhur puna te marrëveshjet financiare ndërkombëtare i ka përkrahur por këta krijuan një precedent të keq. Kemi kërkuar përmes shefit të grupit parlamentar por edhe përmes përfaqësuesve të grupit tonë parlamentar në Kryesi te Kuvendit kemi kërkuar sqarime nga Qeveria. Ata atëherë kanë thënë që këto marrëveshje janë të dëmshme dhe le të dalin tani të thonë se çka ka ndryshuar në këto marrëveshje”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se si LDK nuk janë për bllokim të vendit, por dëshirojnë t’ia bëjnë me dije VV-së se pavarësisht numrave që i ka, bashkëpunimi me partitë opozitare është më se i domosdoshëm.

22:55

Bajrami: Buxheti nuk përkon fare me programin e Qeverisë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, njëherit ish-ministre e Financave, ka kritikuar buxhetin e Qeverisë Kurti 2.

Sot në Kuvend është miratuar në lexim të dytë Ligji për rishikimin e buxhetit.

“Ndër të tjera ne kemi parë se buxheti nuk përkon fare me programin e qeverisë. Asnjëra nga premtimet faktikisht që ka në program Qeveria Kurti nuk është se e ka reflektuar në buxhet. Mbi të gjitha do të thotë aty flitet për fondin e ringjalljes ekonomike, siç po e quajnë ata fondin e rimëkëmbjes ekonomike për 420 milionë euro që askund nuk shihen në buxhet. Gjatë diskutimit të leximit të parë, por edhe gjatë diskutimit të leximit të dytë, ne kemi kërkuar në vazhdimësi sqarime nga ministri i Financave por nuk kemi arritur t’i marrim ato”, ka thënë Bajrami në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë se Qeveria Kurti 2 në 4 muaj ka marrë vetëm një masë, ajo prej 6 milionë euro për gastronomët, që thotë se nuk dihet nëse është implementuar në tërësi.

“Nga tabelat buxhetore shihet, është fondi për rimëkëmbje ekonomike si zonë buxhetore në kuadër të Ministrisë së Financave e Transfereve, që është 133.6 milionë euro, e nuk shihen asgjëkundi të tjera. Një nga shtyllat të pakos së ringjalles ekonomike të Qeverisë Kurti janë investimet kapitale apo për publikun e aty flitet për rreth 100milionë euro. Ndërkohë investimet kapitale në tabelën 1 të buxhetit të rishikuar janë zbritur për 73 milionë euro. Të ju them të drejtën vërejtjet ishin të shumta, edhe mungon buxheti, por edhe po të ishte buxheti ka shumë pak kohë për ekzekutimin e tij. Nëse llogarisim janë më shumë se 4 muaj kur Qeveria Kurti ka marrë drejtimin e vendit. Deri më tash kemi parë vetëm një masë që nuk e dimë nëse është implementuar e tëra, është masa 6 milionë euro për gastronominë, për 12 ditët e mbylljes kur pati edhe një mbyllje totale të ekonomisë. Tani të pretendosh që ke 420 milionë që nuk janë në buxhet, e në anën tjetër të pretendosh se mund të shpenzosh, është jashtëzakonisht jo reale”, tha Bajrami.